Moviolistët Janku dhe Jemini “shohin” me sytë e FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 21:44

Moviolistët Janku dhe Jemini “shohin” me sytë e FSHF-së

ARSEN HOXHA

arsen hoxha

Edhe pse numri i spektatorëve nëpër stadiume ka rënie, nuk ndodh kështu me ata që ndjekin emisionet televizive ku pasqyrohen aktivitetet futbollistike të javës. Është një numër i madh, madje edhe jashtë Shqipërisë, njëri prej të cilëve jam edhe unë. “Top Channel” ka krijuar një staf shumë simpatik. Pjesëmarrësit në emision bëjnë një oponencë shumë të kulturuar, pa e ndërprerë kurrë njëritjetrin. Pak të zhurmshëm, por tepër objektiva janë edhe diskutimet në Televizionin “News 24”.

Por, çuditërisht, jo në nivelin e duhur është një pjesë tjetër e këtij programi që jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën ndiqet me shumë interes, ajo e moviolës. Sportdashësit, futbollistët, si dhe drejtuesit e tyre janë shumë kuriozë të dinë të vërtetën rreth një vendimi të rëndë- sishëm që ka marrë arbitri për fatin e lojës. Shpikësi i moviolës, gazetari i madh italian A. Choti, disa herë e ka trajtuar me forcë se moviola nuk duhet shndërruar si një gjyq ndaj arbitrit, sepse ai është njeriu që i duhet të marrë vendimin përfundimtar rreth asaj që ka dalluar në fushë, nga një pozicion i caktuar që shpesh nuk është i përshtatshëm.

pollozhani

Qëllimi i përdorimit të moviolës është që të tregojë se kush duhet të ishte vendimi më i drejtë që arbitri duhet të kishte marrë, pra të argumentojë llojin e vendimit të duhur. Sa më drejt, më me profesionalizëm dhe objektivitet të interpretohet rasti në fjalë, aq më mirë do të bëhet edhe ndërgjegjësimi i të interesuarve mbi rrugën më profesionale të gjykimit të rasteve analoge. Vetëm në këtë mënyrë do të ndihmohen në radhë të parë arbitrat e më pas futbollistët e drejtuesit e tyre, si dhe sportdashësit, me standardet e një gjykimi të unifikuar.

Shkak për këtë shkrim u bë mënyra se si u trajtuan disa ngjarje të rëndësishme nga moviolistët dhe stafi teknik i studiove respektive, të cilët nuk treguan respektin e duhur, në radhë të parë ndaj sportdashësve dhe, më pas, kundër të interesuarve të tjerë. U fol gjatë se goli i shënuar nga ekipi i Skënderbeut, i cili erdhi si pasojë e një goditjeje dënimi inekzistente, të dhënë gabimisht nga arbitri. Moviolisti Alano Janku nuk e trajtoi fare këtë problem, madje mbajti një qëndrim sikur kishte ardhur nga një kontinent tjetër dhe nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur. Ne, që ishim realisht në një kontinent tjetër, prisnim me padurim të shikonim si qëndronte e vërteta e këtij goli, por pamë vetëm mimikën e të “painformuarit” moviolist?!

skenderbeu flamurtari

Po ashtu nuk u trajtua fare profesionalisht rasti i minutës së dhjetë kur futbollisti korçar shtyhet nga mbrojtësi vlonjat, që është një rast i pastër 11-metërshi. Është një mospërfillje dhe ofendim i madh që u bëhet sportdashësve, jo vetëm nga ai, por edhe nga stafi që përgatit rastet që do të diskutohen. Akoma edhe më keq u trajtuan rastet delikate te “Procesi Sportiv”, ku u përdor një terminologji aspak profesionale. Në një rast z. Lorenc Jemini thotë: “Kjo ndeshje ka pasur një rast… Një rast e pak sepse rasti tjetër nuk duket fare…”. Kur, në fakt, atje ka katër raste të pastra për diskutim. Kur portieri i ekipit vlonjat vazhdon të ketë kontakt me topin, edhe pse ka kaluar vijën kufizuese të 16-metërshit, z. Jemini qetësisht thotë: “Çështje faulli është… thjesht një faull është…”.

Me një mimikë të pafajshme zhvejkjane flet sikur të ishte një faull në mes të fushës e jo një faull vetëm 16 metër larg vijës së portës. Ndërkohë ai harron se goli i shënuar nga korçarët erdhi pikërisht nga një faull, madje inekzistent. Vetëm po t’i referohet përvojës së tij, do të rikujtojë se sa shumë gola shënohen në futboll nga faullet afër portës, pikërisht nga ato që ai i quan “thjesht një faull…?!”. Me përjashtim të z.Kuriu si një anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, që e ka të ndaluar të dalë nga rreshti, të ftuarit e tjerë në studio nuk ishin dakord me mendimet e z.Jemini. Ata janë mësuar me moviolistët, prandaj dhe reagimi i tyre ishte i moderuar. Por të nderuarat Desara Duka dhe Olta Sheta e kundërshtuan fuqishëm Jeminin.

soue moviola

Ato, duke mos e ditur se z. Jemini ngjarjet po i shikonte me sytë e shefave të FSHF-së dhe shumë i kënaqur me rikthimin atje, shprehën çudi se si ai nuk po dallonte që dora e majtë e mbrojtësit të Kamzës ishte e ngritur lart në nivelin e shpatullave, ku ngeli edhe pasi topi u prek me dorë?! Në këto foto duket shumë qartë si para goditjes së topit, edhe pas kontaktit, dora e mbrojtësit është në nivelin e shpatullave dhe e hapur. Po kështu duket shumë qartë ndërhyrja e gabuar e mbrojtësit vlonjat ndaj sulmuesit korçar, i cili po avancon me top në drejtim të portës. Duke shpjeguar shkeljen e gabuar të mbrojtësit vlonjat ndaj sulmuesit korçar të minutës së dhjetë, i ndodhur përballë presionit në studio, z. Jemini vazhdon edhe më tej monologun e tij joprofesional dhe, si pa gjë të keq, thotë: “Tani element ka sepse çdo faull që ndodh në zonë ka elemente…”.

Siç shihet, z. Jemini pranon se ka faull sepse ka edhe elemente, por përballë këtyre dy faktorëve përcaktues për të ndëshkuar një shkelje, vetëm z. Jemini e di se kujt logjike i referohet për t’u mbushur mendjen sportdashësve se nuk kemi të bëjmë me një 11-metërsh! Të ftuarit në studio nuk mundën t’i pranonin versionet e tij, të cilat nuk binden dot as edhe dy zonjushat që presupozohet se janë më pak të angazhuara me futbollin, e aq më pak me rregullat e tij, por sidoqoftë ishin shumë më objektive se z. Jemini.

Dukuritë e moviolistëve të kësaj jave nuk ishin të reja, por ngjarjet në studio e evidentuan edhe një herë tjetër, se drejtuesit e emisioneve sportive duhet t’u japin mesazhe të qarta palëve të interesuara, që edhe ata ta dinë përfundimisht nëse moviola është si pjesë interesi e aparatit të FSHF-së për të manipuluar të vërtetat e gabimeve të arbitrave në ndeshje apo është pjesë e transparencës në programet e këtyre studiove.

Nëse pranojnë këtë të fundit dhe synojnë që sportdashësve dhe palëve të interesuara t’u paraqesin vetëm të vërtetën profesionale, me patjetër duhet që në pozicionet e moviolistëve të vendosin persona jo në konflikt interesi me FSHF-në ose mos ta zhvillojnë atë fare. Sportdashësit, futbollistët dhe drejtuesit janë të interesuar të njohin realitetin dhe jo dikush të tallet me ndjenjat e tyre. Thjesht kërkojnë më shumë transparencë dhe respekt. Drejtuesit e këtyre emisioneve i kanë të gjitha mundësitë të plotësojnë këtë kërkesë legjitime.

Shënim: Titulli origjinal i autorit është: “Organizatorët e moviolës duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj sportdashësve!”

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"