Moviolistët e FSHF-së “djegin” arbitrin e huaj të supersfidës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 21:38

Moviolistët e FSHF-së “djegin” arbitrin e huaj të supersfidës

Java e 32-të e Kategorisë Superiore nuk u ka shpëtuar polemikave për gjykimin, ndonëse në drejtim ka pasur edhe një arbitër të huaj, siç ishte slloveni Matej Jug. Arbitri ndërkombëtar me një karrierë të spikatur nuk u ka shpëtuar gabimeve në supersfidën e kësaj jave, mes Partizanit dhe Kukësit të luajtur në “Selman Stërmasi”.

partizani kukesi jug

Tre moviolistët e emisioneve sportive, që janë edhe pjesë e FSHF-së, kanë nxjerrë në pah edhe gabimet e arbitrit ndërkombëtar, slloveni Jug. Të paktën dy futbollistë, Shameti për Kukësin dhe Vila për Partizanin duhej që të kishin lënë fushën e lojës, pasi duhet të kishin marrë kartonin e dytë të verdhë, por janë falur nga arbitri kryesor.

Jug, nga ana tjetër, ka vepruar drejt duke mos akorduar një 11-metërsh për Partizanin në minutën e 12-të pas një rrëzimi të Vilës në zonë në një kontakt me Shametin. Në pamjet filmike duket qartë që, mes lojtarit të Kukësit dhe atij të Partizanit, ka një kontakt të lehtë, por nuk vlerësohet për 11-metërsh.

partizani-kukesi

Ndërkohë që në ndeshjen tjetër, atë mes Laçit dhe Luftëtarit, Xhaja ka dhënë vendime kryesisht të drejta, por ka munguar vetëm në një rast. Një minutë para fundit të kohës së rregullt, ai duhet të kishte dhënë një karton të kuq, për Segjinin e Laçit, i cili ka bërë një ndërhyrje të ashpër ndaj Liçajt, duke mos qenë fare i interesuar për topin. Por, në këtë rast, arbitri kryesor i pasinjalizuar nga anësori ka lejuar vazhdimin e lojës, duke mos akorduar as goditje dënimi në favor të Luftëtarit.

TË TJERAT

Në tri ndeshjet e tjera të Kategorisë Superiore, vendimet e gjyqtarëve kanë qenë të drejta dhe nuk ka pasur raste për moviolë. Skënderbeu ka arritur të fitojë në minutat e fundit ndaj Vllaznisë në shifrat 4-3 dhe në këtë përballje janë dhënë tre 11-metërsha, që qëndronin.

Gjithashtu, Flamurtari ka fituar ndaj Tiranës, duke shënuar dy gola në minutat e fundit, por edhe këtu gjykimi ka qenë i drejtë. Teuta nuk e ka pasur të vështirë të fitojë ndaj Korabit në transfertë, duke shënuar katër gola, në një përballje, e cila nuk ka pasur shumë histori dhe raste për moviolë brenda saj.

Moviola e javës së 32-të

PARTIZANI – KUKËSI 1-1
Gjyqtarë: M.Jug, M.Zunik, A.Kovaçiç

Në minutën e 12-të, Vila rrëzohet pas një kontakti me Shametin brenda zonës së Kukësit, por kryesori i takimit, slloveni Jug, ndëshkon Vilën me karton të verdhë për simulim. Në pamjet filmike shohim se ka pasur një kontakt mes lojtarit të Kukësit dhe atij të Partizanit, por nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh.

jug partizani kukesi

Arbitri gjithashtu nuk duhej të kishte akorduar kartonë të verdhë për lojtarin e Partizanit. Ndërsa në minutën e 20-të, arbitri Jug ka gabuar duke mos dhënë një goditje dënimi për Partizanin në kufijtë e zonës së Kukësit, pas një rrëzimi të Vilës nga Imami.

Rasti tjetër i diskutueshëm është ai i minutës së 70-të, kur Vila, në dyluftim me Eminin, e rrëzon këtë të fundit duke i shkaktuar faull taktik. Lojtari i Partizanit duhej ndëshkuar me kartonë të verdhë, i cili do të ishte i dyti dhe ai duhej të kishte lënë fushën e lojës, por është falur nga kryesori.

Në minutën e 89-të Ekuban arrin të driblojë pastër Shametin, por ky i fundit e pengon sulmuesin e Partizanit, por arbitri kryesor nuk akordon goditje dënimi duke gabuar. Ai duhet të kishte akorduar edhe kartonin e dytë të verdhë për Shametin.

LAÇI – LUFTËTARI 2-1
Gjyqtarë: J.Xhaja, G.Qirici, E.Barushi

Kryesori Xhaja dhe ndihmësit e tij kanë marrë vendime kryesisht të rregullta në ndeshjen e luajtur në Laç dhe kanë gabuar vetëm në një moment. Në minutën e 89-të të ndeshjes, Sefgjini i ndërhyn me dy këmbë Liçajt, i cili kishte ndërmarrë një aksion në krah dhe ndërpritet ashpër nga lojtari kurbinas.

Kryesori i takimit duhej të kishte dhënë karton të kuq për Sefgjinin, i cili ka bërë një ndërhyrje të rrezikshme në këmbët e kundërshtarit, duke mos qenë aspak i interesuar për topin.

SKËNDERBEU – VLLAZNIA 4-3
Gjyqtarë: A.Beqiri, R.Avdo, D.Myftari

Në ndeshjen e luajtur në Korçë nuk ka pasur asnjë rast për moviolë dhe vendimet e kryesorit Beqiri dhe ndihmësve të tij kanë qenë të sakta.

FLAMURTARI – TIRANA 2-0
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Gançi, A.Mahmutaj

Kryesori Enea Jorgji, i rikthyer në drejtimin e një ndeshjeje, pas disa javësh mungesë ka dhënë vendime të drejta në sfidën e luajtur në Vlorë, mes vendësve dhe bardhebluve. Por, duhet theksuar se në këtë sfidë nuk ka pasur shumë raste të diskutueshme. Takimi ka përfunduar me fitoren e vendësve në shifrat 2-0.

KORABI – TEUTA 0-4
Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, M.Qose

Durrsakët nuk e kanë pasur të vështirë të fitojnë në ndeshjen ndaj Korabit, që është luajtur në “Elbasan Arena”. Dibranët kanë rënë nga Superiorja dhe janë të pamotivuar. Kjo ka bërë që rastet e diskutueshme të jenë të pakta në një takim ku durrsakët kanë arritur të shënojnë plot katër gola.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"