MOVIOLA| Vllaznia-Teuta/ VAR-i në aksion, goli i Çobës anulohet për disa… milimetra (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2021 | 15:26

MOVIOLA| Vllaznia-Teuta/ VAR-i në aksion, goli i Çobës anulohet për disa… milimetra (VIDEO)

Sistemi VAR është risia e kampionatit të 83-të të Superiores. Edhe pse jemi në hapat e parë të zbatimit të teknologjisë, sërish ka vend për përmirësime. VAR-i ka qenë shumë aktiv në ndeshjet e para, por rastet nuk janë ato klasiket që jemi mësuar të shikojmë në kampionatet e huaja.

Vllaznia Teuta

Në këto dy javë ka dalë në pah mungesa e transparencës për publikun, ndonëse për rrethin e ngushtë që merret me këtë punë vendimet kanë qenë të drejta. Që sistemi të quhet funksional duhet një bashkëpunim më i thellë mes FSHF-së që ka investuar për teknologjinë, si dhe transmetuesit televiziv.

Në këto dy javë ka munguar sqarimi grafik i rasteve, pasi kudo rastet e dyshimta të kontrolluara me VAR shoqërohen me viza dhe shigjeta, kryesisht për pozicione jashtë loje. Plus që kontrolli merr shumë kohë në vendin tonë. Anomalitë e transparencës së rasteve dolën edhe në ndeshjen Vllaznia-Teuta, kryesisht për golin e anuluar të Çobës në fund.

WhatsApp Image 2021-09-18 at 23.45.01 (1)

“Panorama Sport” është interesuar pranë organeve kompetente për të mësuar arsyen e anulimit të golit, ku del se goli i Vllaznisë është anuluar me të drejtë, ndonëse bëhet fjalë për punë milimetrash. Tri herë ndërhyri VAR-i në këtë takim dhe në fund u morën vendime të drejta duke shpëtuar edhe gjyqtarët në fushë. Ja rastet për moviolë në këtë takim:

45’ Heriçi merr një top të gjatë pas shpinës së mbrojtjes durrsake. Teodorovski, duke e parë që Heriç po shkonte i vetëm te porta, ndërhyn në mënyrë të gabuar. Fillimisht gjyqtari Bajramaj i jep karton të verdhë, por pas kontrollit të rastit në VAR, me të drejtë ka karton të kuq për Teodorovskin. Vendim i drejtë, pasi Teodorovski ishte mbrojtësi i fundit dhe ndaloi zhvillimin e një aksioni premtues për gol.

49’ Aralica pengohet në hyrje të zonës dhe gjyqtari akordon penallti. Por, pas 2 minutash e 30 sekondash pas konsultimit me sistemin VAR ka anuluar gjithçka duke dhënë një pozicion jashtë loje për Latifin. Edhe ky ishte një vendim i drejtë nga dhoma VAR.

90+8’ Çoba shënon, por goli është i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. Ndërhyn sërish VAR-i, që pas kontrollit del që supi i Aralicës për punë milimetrash është më i avancuar se këmba e Selmanit. Rast specifik, ku nëse VAR-i do të jepte për publikun vijat do të hiqeshin keqkuptimet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"