MOVIOLA/ VAR-i vendimtar, arbitrat shohin “makthe” në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 21:50

MOVIOLA/ VAR-i vendimtar, arbitrat shohin “makthe” në fund

Shumë raste për moviolë, por në fund vendime të drejta të arbitrave me ndihmën e sistemit VAR. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet e diskutueshme të javës së 34-t në pesë ndeshjet e Superiores.

Laci-Tirana

LAÇI-TIRANA 1-3

Gjyqtarë: K.Shahini (Durrës), R.Çokaj, E.Gjoka (Lezhë); VAR: E.Hamiti (Lezhë) – AVAR: A.Koçiaj (Tiranë);

Në ndeshjen mes Laçit dhe Tiranës, një rast ka lënë hapësirë për dyshime të mëdha. Bëhet fjalë për golin e dytë të shënuar nga Ardit Hila, për të cilin u deshën pesë minuta që të konfirmohej nëse ishte i rregullt apo jo. Kryesor në Laç ishte durrsaku Klodian Shahini.

65’-70’ Florent Hasani pason tek Abazaj në zonë, që në bazë të pamjeve filmike, futet nga pozicioni jashtë loje. Sulmuesi gjuan, por topi kthehet te këmbët e Hasanit, i cili pasi godet drejt portës dhe Selmani grushton, më pas është Hila që shënon.

Për arbitrin kryesor dhe anësorin Çokaj goli është i rregullt, por janë në pritje të konfirmimit nga VAR-it për pozicionin e Abazajt në nisjen e aksionit. Nga teknologjia konfirmohet se pozicioni i sulmuesit është i rregullt pas plot pesë minutash, duke konfirmuar vendimin e anësorit.

BYLISI-KUKËSI 1-1

Gjyqtarë: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë), R.Mersinasi (Durrës);

VAR: K.Cjapi (Fier) – AVAR: M.Qose (Lushnjë); Në Ballsh ishte ndeshje që pati më shumë moviolë se çdo takim tjetër, aty ku kryesor ishte Laver Alla, ndërsa Kreshnik Cjapi në VAR.

10’-16’ Ndërhyrje e rëndë në mesfushë e Ndrecës ndaj Ruçit. Arbitri Alla toleron mbrojtësin e Kukësit, duke mos i dhënë karton të verdhë. E njëjta gjë ndodh edhe në rastin e Maçollit, që bën një faull në ekstremet e kartoni ndaj Gjelbrim Taipit, por arbitri nuk e ndëshkon.

49’ Zho Santos futet në zonë dhe rrëzohet pas duelit me Ebert, duke kërkuar penallti. Alla e ndëshkon brazilianin e Bylisit me karton të verdhë për simulim. Në këtë moment, Santos godet me kokë lojtarin e Kukësit, Ebert, pas përplasjes verbale që patën fillimisht. Alla shkon në VAR dhe shikon rastin, teksa i nxjerr direkt të kuq Zho Santosit dhe Ebertit i jep karton të verdhë. Vendim i drejtë i kryesorit.

75’ Qardaku tenton të driblojë në zonë Bytyçin dhe Dragoshin, por përplaset me këta të fundit dhe kërkon penallti. Alla, i ndodhur afër aksionit, vijon lojën. Pamjet filmike i japin të drejtë arbitrit, pasi shkodrani i Bylisit është rrëzuar sapo Dragoshi i rrëmbeu topin.

87’ Ebert godet me bërryl Lajthinë në një duel ajror në zonë. Alla vijon lojën, ndërsa më pas sinjalizohet nga sistemi VAR. Pasi shikon rastin në monitor, arbitri akordon me të drejtë penallti për Bylisin. 90’ Zguro ndëshkohet me karton të kuq, pasi shënon nga penalltia. Fillimisht mbrojtësi e tepron me festimin e golit dhe merr të verdhë, ndërsa më pas tensionohet me arbitrin.

Këtu Alla nuk toleron aspak, duke i dhënë edhe një tjetër të verdhë në kohë rekord lojtarit të Bylisit. Skuadra ballshiote mbeti me 9 lojtarë në shtesë.

101’ Zhongo devijon një top me dorë pas gjuajtjes së Gjelbrim Taipit. Fillimisht Alla jep goditje dënimi për Kukësin, por pasi sinjalizohet nga VAR-i, kthen vendimin, duke akorduar penallti, pasi mbrojtësi i Bylisit ndodhet mbi vijën e 16-të. Një vendim i vështirë.

PARTIZANI-VLLAZNIA 2-1

Gjyqtarë: F.Lata, H.Lisaku (Durrës), A.Zalla (Tiranë); VAR: A.Beqiraj – AVAR: D.Rexha (Tiranë); Gjyqtari nga Durrësi, Florjan Lata, e menaxhoi mirë ndeshjen. Interesant është fakti se nuk e nxori asnjë karton të verdhë.

35’ I vetmi moment për t’u diskutuar është kur Sota shënon golin e dytë për Partizanin. Para se topi të shkonte në rrjetë, Hakaj tenton ta devijojë, por nuk ia arrin në një duel me kokë me Da Silvën.

Mbrojtësi i Vllaznisë pretendon për shtyrje të brazilianit, por pamjet i japin të drejtë Latës, që vijoi lojën. Da Silva e ka prekur Hakajn në një duel normal, por nuk e ka penguar aspak që të kërcejë.

EGNATIA-ERZENI 3-2

Gjyqtarë: J.Xhaja, E.Doda, A.Shkreta (Tiranë); VAR: E.Jorgji – AVAR: A.Mahmuti (Elbasan);

Juxhin Xhaja si kryesor dhe Enea Jorgji në VAR ishin në Rrogozhinë për të gjykuar ndeshjen mes Egnatias dhe Erzenit. Një nga rastet më flagrante për moviolë ishte goli i tretë i Egnatias, ku shijakasit pretenduan se duhej të ishte anuluar për faull në dëm të Ademit.

Gjithashtu, në fund të lojës pati vonesa të tepruara nga vendësit, me hedhjen e topave në fushë, një taktikë kjo që po ndodh rëndomë tashmë dhe zyrtarët e ndeshjes duhet të marrin masa për ta evituar.

62’ Musta shënoi me kokë, por përpara se të godiste, Ademi i Erzenit pretendoi për faull. Pamjet filmike tregojnë se bëhet fjalë për një rast të dyshimtë dhe goli mund të anulohej. Musta i ka vënë dorën Ademit, që është munduar t’i pengojë depërtimin në zonë gjatë krosimit. Një rast që as nga VAR-i nuk është marrë parasysh.

80’ Sadiki kërkon të godasë portën, por është Memolla që devijon topin me dorë brenda zonës dhe Erzeni kërkon penallti. Xhaja vijon lojën, duke e konsideruar prekjen e topit në një pozicion natyral, të mbledhur me trupin, duke mos pasur elementët e një penalltie.

TEUTA-KASTRIOTI 1-0

Gjyqtarë: O.Ferataj, O.Grabova (Fier), N.Rrapaj (Patos); VAR: O.Yzeiraj (Patos) – VAR: I.Tartaraj (Fier);

Në Durrës arbitrat e administruan mirë takimin, që nga kryesori Ferataj, asistentët dhe ata që ishin në VAR.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"