MOVIOLA| Tirana-Vllaznia/ Jorgji gabon, nuk akordon penallti për shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 11:36

MOVIOLA| Tirana-Vllaznia/ Jorgji gabon, nuk akordon penallti për shkodranët

Tjetër gabim i kryesorit Enea Jorgji. Edhe pse është arbitri më i mirë i Shqipërisë, ai ka gabuar në rastin e minutës së 26-të, teksa nuk jep një penallti për Vllazninë kur rezultati ishte 0-0. Gabim që e përndjek Jorgjin sa herë gjykon “klasiken” e Shqipërisë, pasi edhe në Shkodër nuk i dha penallti Vllaznisë.
Tirana festa e golit logo
Minuta e 9-të: Tirana kërkon një penallti, pas një prekjeje të topit me dorë të Mevlanit. Lojtari e kishte dorën të mbledhur. Nuk është penallti. Vendim i drejtë i gjyqtarit.

Minuta e 13-të: Gilman Lika në duel brenda zonës me Kalenë, ky i fundit prek i pari topin dhe rrëzohet. Rast shumë i dyshimtë, i pretenduar për penallti nga bardheblutë, pasi nuk dallohet nëse kapiteni shkodran e prek apo jo topin.

Minuta e 26-të: Vllaznia pretendon për një penallti, sepse Sidorenko hyn në zonë, tenton të kalojë topin te Lika, por Batha i ndodhur në zonë, në fillim me krahë nga pas kurrizit, hap gjymtyrët e sipërme dhe topi ndalet në dorën e tij. Për gjyqtarin nuk ka penallti, ndërsa ka protesta ndaj Jorgjit, aq sa Malota e ndal me dorë dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Sa i përket penalltisë, pamjet filmike tregojnë se është 11-metërsh i pastër. Gafa e radhës e ndërkombëtarit Enea Jorgji.

Minuta e 46-të: Hoxhallari del me të kuqe. Lojtari hyn në zonë nga e majta, para Adilit rrëzohet, por Jorgji nuk mendon për penallti, por i jep kartonin e dytë të verdhë mbrojtësit të Tiranës, që e mbyll kështu ndeshjen në fund të pjesës së parë. Pjesën e dytë Tirana luajti me 10 vetë.

Minuta e 82-të: Gilman Lika niset në pozicion të rregullt, anësori Ganxhi gabon në akordimin e pozicionit jashtë loje pasi pamjet tregojnë të kundërtën.

Minuta e 85-të: Aksion sulmues i Vllaznisë, Zhunior niset në pozicion të rregullt dhe futet në zonën e Tiranës, por anësori Emigres Ganxhi gabon sërish. Akordon ofsajt, por sulmuesi i shkodranëve niset në pozicion të rregullt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"