MOVIOLA| Teuta-Partizani/ Kampionëve iu mohohet penallti, të drejtë 5 kartonët e kuq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2019 | 20:30

MOVIOLA| Teuta-Partizani/ Kampionëve iu mohohet penallti, të drejtë 5 kartonët e kuq

Teuta-Partizani u gjykua nga Olsid Ferataj i Kolegjiumit të Patosit, me ndihmës të tij Ilir Tartarin dhe Orgest Grabovën nga Fieri. Ndeshja pati probleme të shumta, ku tensioni ishte i pranishëm si në pjesën e parë, por më shumë në të dytën, ku ndodhi edhe sherri masiv në fushë mes dy skuadrave. Rastet për moviolë nuk munguan, teksa arbitri akordoi një penallti për Teutën, ndërsa i mohoi një Partizanit.

Teuta-Partizani 1-0

33′ Çinari hyn në zonë, Fabjan Beqja i ndërhyn nga prapa, fillimisht me këmbë, më pas duke i vënë edhe duart në shpinë dhe krah për t’i marrë topin. Sulmuesi rrëzohet në fushë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë mes protestave të Partizanit. Në këtë moment ka një përplasje mes Çinarit dhe Aleksit për pretendimet që kanë të dyja ekipet. Nga pamjet del qartë se arbitri ka gabuar me vendimin e tij, pasi kontakti ishte dhe kështu i mohoi një penallti Partizanit, si dhe lejoi debatet mes lojtarëve pa i ndëshkuar me kartonë të verdhë.

43′ Akordohet penallti për Teutën. Fabjan Beqja, i cili më shumë po dilte nga zona, ka pranë Telushin që zgjat këmbën për të devijuar topin, por nuk e prek. Mirëpo, sapo këmba e mesfushorit mbështetet në fushë, Beqja rrëzohet dhe arbitri akordon 11-metërsh. Rast i dyshimtë, por një 11-metërsh që jepet dhe “i vjedhur” me zgjuarsi nga Beqja.

Teuta-Partizani ndeshja

47′ Shkalla ndërhyn gabimisht ndaj Bardhit, por gjyqtari nuk akordon asgjë, pasi po të jepej faull, mbrojtësi i Teutës do të ndëshkohej me karton të verdhë, që do të ishte i dyti për mbrojtësin.

62′ Momenti kur vjen përplasja mes Fabjan Beqjat dhe brazilianit Melo. Kartonët e kuq të dhënë për këtë përplasje, si për Melon e Beqjan në fushë, ashtu dhe për Boldor e Dukën, ishin të drejta. Gjyqtari ndëshkon me karton të verdhë edhe Solomon. Të njëjtën gjë si për sulmuesin e Partizanit që u përfshi në sherr, mund të jepej edhe për lojtarë të tjerë, pasi prekjet me dorë apo shkelmat ishin të dukshme.

68′ Arbitri i fal Solomonit ndërhyrjen ndaj Shkallës, që mund të ishte karton i dytë i verdhë. I drejtë kartoni i dytë i verdhë për Silvestër Shkallën në minutën e 91-të, kur dihet se u fal më herët në minutën e 47-të.

Bitri Nikac Broja

94′ Arbitrat vepruan drejt edhe te goli i anuluar për Partizanin në minutën e 94-t, pasi Braun ishte më i avancuar duke e bërë të pavlefshëm devijimin e topit nga Belica. Nëse “sfera” nuk do të prekej nga Braun, atëherë do të ishte gol i rregullt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"