Moviola/ Skënderbeut e Kukësit u mohohen penallti, Flamurtari e pëson golin nga një faull i paqenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2018 | 22:44

Moviola/ Skënderbeut e Kukësit u mohohen penallti, Flamurtari e pëson golin nga një faull i paqenë

Kategoria Superiore ka luajtur të premten dhe të shtunën ndeshjet e javës së 19- të, e cila ishte e para javë e fazës së tretë. Në pesë ndeshjet e luajtura nuk kanë munguar gabimet e arbitrave, duke u mohuar penallti dhe akorduar goditje dënimi të paqena.

skenderbeu flamurtari

Skënderbeu – Flamurtari 1-0

Gjyqtarë: A.Koçi, E.Barushi, E.Doda / mbrapa portave: K.Shahini, O.Ferataj

5′ Nurkoviç largon një top me dorë mbi vijën e zonës, por me trupin që del bashkë me “sferën”. Gjyqtari vazhdon lojën, duke e cilësuar të rregullt si rast, teksa pamjet filmike i japin të drejtë.

10′ Ali Soue rrëzohet në zonë pas kontaktit me Pollozhanin, duke pretenduar penallti, por Koçi vijon lojën. Vendim i drejtë i arbitrit, pasi kemi të bëjmë me një dyluftim normal për topin.

51′ Radas kroson në zonë nga një goditje dënimi, Jashanica, në tentativë për të goditur topin me kokë, rrëzohet pas duelit me Useinin. Për arbitrin Koçi, nuk kemi të bëjmë me penallti, por rasti është në limitet e 11-metërshit dhe duhej akorduar.

77′ Zuka jep një top të gjatë në zonën korçare, aty ku Alvesh i lirë gjuan me kokë, por Shehi pret në pozicion. Anësori Doda ngre flamurin në pozicion jashtë loje, por pamjet filmike e tradhtojnë, pasi nuk kemi të bëjmë me diç- ka të tillë.

83′ Lilaj rrëzohet pas një dueli me Siljanovskin në krahun e majtë të sulmit, afër zonës së Flamurtarit. Nga ky faull vjen goli i Skënderbeut, por nuk kemi të bëjmë me goditje dënimi, pasi ndërhyrja e maqedonasit të vlonjatëve ndaj Lilajt ka qenë e pastër. Rrëzimi i mesfushorit korçar ka ngatërruar arbitrin Koçi, që gaboi në këtë rast.

89′ Vangjeli shkakton faull ndaj Bushiç, duke e shkelur në këmbën e djathtë, por arbitri Koçi nuk e sheh. Një rast shumë i diskutueshëm, me mbrojtësin që mund të ndëshkohej me të verdhë dhe, më pas, dilte automatikisht me të kuq, për shkak se ishte ndëshkuar më parë.

partizani laci

Partizani – Laçi 0-0

Gjyqtarë: A.Beqiri, A.Shkreta, R.Zaimi

29′ Telushi gjuan nga distanca, grushton Selmani, topi shkon te Progni që shënon, por ka pozicion jashtë loje. Në bazë të pamjeve filmike, duket qartë që, në momentin e gjuajtjes së Telushit, lojtari i Partizanit ka qenë jo i rregullt dhe me të drejtë goli është anuluar.

38′ Lukas pason për Asanin, që del përballë portierit, por anësori akordon pozicion jashtë loje. Në këtë rast, anësori ka gabuar, pasi pozicioni i futbollistit të Partizanit ka qenë i rregullt. Gjyqtari ka vërshëllyer para gjuajtjes së Asanit drejt portës kundërshtare, goditje që ka përfunduar jashtë.

Kukësi – Kamza 0-1

Gjyqtarë: E.Jorgji, D.Rexha, E.Ganxhi Takimi mes Kukësit dhe Kamzës ka pasur një moment të diskutueshëm. Gjatë një aksioni në zonën e Kamzës, lojtarët vendës në fushën e lojës kanë pretenduar për mosakordimin e një faulli dhe, për pasojë, një penallti të paakorduar sipas tyre.

Në minutën e 17-të, pas një krosimi në qendër të zonës së Kamzës, Guri, në tentativë për të arritur topin, pëson një tërheqje nga pas nga ana e Lelis dhe rrëzohet në zonë. Kryesori Jorgji ka lejuar vazhdimin e lojës, duke gabuar, pasi kemi të bëjmë me një 11-metërsh të mohuar për skuadrën e Kukësit.

Teuta – Luftëtari 2-3

Gjyqtarë: K.Meta, R.Avdo, N.Bregasi

-Në minutën e 16-të, Latifi, lojtari i Teutës, rrëzohet nga Liçaj, i cili i bën një ndërhyrje nga mbrapa. Në pamjet filmike duket qartë se kemi të bëjmë me një kontakt dhe kryesori, i cili kishte pamje të qartë të aksionit, ka vepruar drejt duke akorduar 11-metërsh në favor të Teutës.

-Në minutën e 64-t të ndeshjes, arbitri anësor ka ndërprerë një aksion të rrezikshëm të Luftëtarit me Bregun, duke akorduar pozicion jashtë loje. Vendimi i anësorit nuk ka qenë i drejtë, pasi lojtari i Luftëtarit ishte në pozicion të rregullt, konstatuar në pamjet filmike të ndeshjes.

-Futbollisti i Luftëtarit, Liçaj, ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 78-të, pas një ndërhyrjeje të rëndë që ka në dëm të një prej lojtarëve kundërshtarë. Edhe në këtë rast, kryesori Meta ka vepruar drejt, pasi ndërhyrja ishte e gabuar dhe me dy këmbë dhe duhej ndëshkuar.

Lushnja – Vllaznia 0-2

Gjyqtarë: J.Xhaja, G.Qirici, A.Koçiaj

Në këtë ndeshje nuk ka pasur raste për moviolë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"