MOVIOLA| Skënderbeu-Vllaznia/ Dyshime për kartonin e kuq, mungon një penallti në favor të korçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 19:18

MOVIOLA| Skënderbeu-Vllaznia/ Dyshime për kartonin e kuq, mungon një penallti në favor të korçarëve

Skënderbeu-Vllaznia ofroi futboll të bukur, por edhe raste për moviolë. Nën gjykimin e gjyqtarit Kreshnik Cjapi dhe asistencën e Ilir Tartarit dhe Ani Koçiajt, ishin disa momente që duhen diskutuar. 

Skenderbeu-Vllaznia

E megjithatë, më flagrantet janë dy. Në të 42-ën për korçarët duhet të akordohej 11-metërsh për tërheqje fanelle, për shkodranët Godfrej duhet ta linte më herët fushën me të kuq. Ka dyshime për të verdhin e minutës së 82-të, por jo për atë që nuk iu dha në të 60- ën. Ishte faull i pastër.

20’ Bregu me topin në kontroll rrëzohet në kufijtë e zonës. Kërkon penallti për një ndërhyrje të Gurishtës, jo vetëm që ishte jashtë zonë, por edhe simuloi. Kontakt nuk pati dhe mori të verdhë.

42’ Goditje këndi për korçarët. Ndeki e çon topin në zonë, Gripshi devijon me kokë, Bregu zgjat këmbën para porte, por Sherri u mohon golin korçarëve. E megjithatë, para se vlonjati të gjuante, Gurishta e ka tërhequr prej fanelle dhe rrjedhimisht duhej penallti. Por, gjyqtari dhe anësori gabuan.

60’ Godfrej ndërhyn në mesfushë me një kohë vonesë ndaj Meksit, por kryesori i kursen të verdhin e dytë.

82’ Godfrej kërkon t’i marrë topin Elezit pranë anësores dhe në rrëshqitje e sipër i ndërhyn. Konsultohet gjatë Kreshnik Cjapi me anësorin e dytë, Ani Koçiajn, dhe jep të verdhin e dytë. Nga dinamika e aksionit, për këtë rast mund të kursehej.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"