Moviola/ Penalltia e anuluar dhe “VAR” nga celulari, si Jorgji & CO zgjidhën kaosin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2020 | 19:19

Moviola/ Penalltia e anuluar dhe “VAR” nga celulari, si Jorgji & CO zgjidhën kaosin

Akordohet penallti për Bylisin, ka një pritje në fushë prej tri minutash dhe më pas Enea Jorgji vendos të anulojë 11-metërshin pasi konsultohet me arbitrin e katërt, Roxhers Muska, delegatin Alban Tafaj dhe vëzhguesin Idriz Gashi. Koha shtesë e pjesës së parë të ndeshjes së djeshme, Skënderbeu-Bylisi, riktheu një precedent të rrezikshëm në futbollin shqiptar, ku si për ironi të fatit, episodi bën sërish protagoniste skuadrën ballshiote. Në fund, pamjet filmike treguan se vendimi për anulimin e penalltisë në favor të Bylisit ishte i drejtë, por a është “fair” fakti që bëhet një “VAR” nga telefoni dhe më pas arbitri anulon 11-metërshin?!PROTESTAT (1)

“Panorama Sport” mëson se në momentin që sulmuesi i Bylisit, Emiliano Mozone, ishte me topin në dorë dhe priste të godiste penalltinë, i është dhënë sinjali në kufje gjyqtarit Jorgji që të mos nxitohej derisa të shikoheshin pamjet televizive. Në kabinën që ndodhet afër stolave të skuadrave, menjëherë delegati Alban Tafaj dhe vëzhguesi Idriz Gashi nxorën telefonat dhe vëzhguan rastin. “Jo, jo nuk është penallti, sinjalizo Enean ta anulojë”, ishte urdhri që iu dha gjyqtarit të katërt, Roxhers Muskaj, për t’ia thënë Jorgjit. Ky i fundit anuloi penalltinë dhe më pas u kontestua gjatë nga ballshiotët. Por si ishte rasti që solli kaosin…?DEMTIMI (1)

45+1’ Peposhi shërben në zonë për Mëllugjën pas një aksioni të bukur, teksa mesfushori tenton të godasë me të majtën, por rrëzohet pas duelit me Pëllumbin. Jorgji është afër aksionit dhe i sigurt në vetvete akordon menjëherë 11-metërsh për Bylisin. Mëllugja është i shtrirë në tokë dhe pas insistimit të Pëllumbit që nuk e ka prekur lojtarin, por ka hequr vetëm topin, e bën Jorgjin të dyzohet. Kalojnë afërsisht tri minuta dhe pasi arbitri konsultohet me ndihmësit e tij, merr vendimin.JORGJI MELLUGJA (1)

Sapo bëhet gati të goditet penalltia dhe Mozone merr përsipër ekzekutimin, Jorgji komunikon në kufje me zyrtarët e tjerë të ndeshjes, anulon 11- metërshin. Protesta të shumta të ballshiotëve, ndërsa zv.trajneri Liçi përplaset me Goxhajn dhe Muratajn e më pas ndëshkohet me të kuq. Pamjet filmike tregojnë se nuk kemi të bëjmë me penallti, pasi Pëllumbi largon topin me këmbën e majtë dhe Mëllugja del huq. Jorgji anulon vendimin për penalltinë dhe menjëherë ndëshkon me karton të verdhë për simulim mesfushorin e Bylisit.

RASTET E TJERA

31’ Jorgji ia fal kartonin e verdhë Peposhit pas mbajtjes nga fanella të Gripshit, në një faull taktik që ishte aksion premtues për Skënderbeun.SKENDERBEU BYLIS (1)

56’-57’ Arbitri kryesor fal Muratajn e Bylisit pas dy faulleve të njëpasnjëshme në mesfushë ndaj Taipit dhe Elezit. Nëse merrte karton të verdhë, do të ishte i dyti dhe dilte automatikisht me të kuq.

76’ Mëllugja rikuperon një top në anësore, duke ia rrëmbyer Pëllumbit, e më pas kalon Elezin dhe shërben në zonë, aty ku Malçi i sapofutur në fushë devijon në rrjetë dhe 1-1. Pamjet filmike tregojnë se përpara se Mëllugja të pasonte, ka shkaktuar faull tek Elezi, duke rrëmbyer topin me takën e ngritur. Duhej dhënë faull për korçarët dhe anuluar goli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"