MOVIOLA| Ndalesa e fundit e Superiores/ Gol “fantazmë” dhe 3 kartonë të kuq, javë qejfi për arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2020 | 17:54

MOVIOLA| Ndalesa e fundit e Superiores/ Gol “fantazmë” dhe 3 kartonë të kuq, javë qejfi për arbitrat

Gjyqtarët i bëjnë një mbyllje pozitive kampionatit të 81- të. Në pesë ndeshjet e zhvilluara për javën e 36-të, si për ironi të fatit, rastet më të diskutueshme ishin në Tirana-Bylisi, aty ku u zhvillua edhe ceremonia zyrtare për kurorëzimin e kampiones së re të Shqipërisë. Janë ballshiotët ata që ndihen të vjedhur, por pamjet filmike të ndeshjes mbeten të kufizuara për të dhënë një konkluzion të saktë. Një rast flagrant ishte pas një goditjeje nga distanca, me topin që përplaset në traversë dhe më pas duket sikur kalon vijën fatale. Një gol “fantazmë”, por që për kryesorin Muska dhe ndihmësit e tij, topi nuk e ka kaluar plotësisht vijën, në mënyrë që të cilësohet 100% gol.
Bylis
TIRANA-BYLISI 1-1
Gjyqtarë: R.Muska (kryesor), M.Shazivari dhe A.Zalla (anësorë), O.Kuka dhe E.Bastari (pas portës), R.Avdo (i katërt);

45+2′ Qardaku i Bylisit futet në zonë dhe rrëzohet pas duelit me Gentian Muçën. Në dinamikën e ndërhyrjes duket sikur kemi të bëjmë me një penallti 100%, por nëse shikon pamjet filmike, mbrojtësi i Tiranës, sapo ka vendosur këmbën e majtë për të tentuar largimin e topit, Qardaku është rrëzuar në zonë pa pasur kontakt. Si kryesori, ashtu edhe arbitri pas porte ishin të bindur që kemi të bëjmë me simulim. Kësisoj, kryesori Muska ndëshkoi me të verdhë Qardakun, duke marrë një vendim të drejtë, që gjithsesi ishte shumë i vështirë.

75′ Sallaku lëshon një predhë nga rreth 30 metra, me topin që trondit traversën dhe më pas ka një dyshim nëse e kaloi apo jo vijën fatale. Mungojnë pamjet e qarta që të vërtetojnë nëse “sfera” e ka kaluar plotësisht vijën, pasi vetëm kështu mund të cilësohet gol i rregullt. Arbitrat vazhduan lojën, por kemi të bëjmë me një rast të vështirë.
Luftetari-kUKESI
LUFTËTARI-KUKËSI 2-5
Gjyqtarë: B.Ziri, E.Veseli, E.Burgu (Fushë-Krujë);

11′ Kundërsulm i Luftëtarit, Alinani jep një top të gjatë për Haxhiun, që fiton duelin e shpejtësisë me Lulajn dhe nis t’i drejtohet zonës i vetëm, por më pas rrëzohet pas kontaktit me mbrojtësin. Ziri vazhdon lojën, por gabon, pasi duhej akorduar faull për Luftëtarin dhe karton i verdhë për mbrojtësin e Kukësit.

53′ Alinani ndërhyn në mënyrë të parregullt në mesfushë ndaj Limajt. Ky i fundit rrëzohet e më pas çohet dhe i kërkon llogari kundërshtarit. Lojtarët shtyhen me njëritjetrin dhe nisin të përleshen. Arbitri Ziri ndalon lojën dhe u jep karton të kuq të dyve, duke marrë një vendim të drejtë.

65′ Mehmetllari merr një top nga Lika dhe niset drejt portës, por anësori Burgu ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Pamjet filmike tregojnë se ishte pozicion totalisht i rregullt, pasi sulmuesi i Luftëtarit mbahej në lojë nga mbrojtësi i Kukësit, Maliqi.
teuta laci
TEUTA-LAÇI 2-3
Gjyqtarë: K.Bajramaj, E.Doda (Tiranë), E.Pashaj (Fier);

3′ Nuabueze kapet keq me Hreljiç pas një ndërhyrjeje të rëndë të këtij të fundit. Shtyrje dhe duar të zgjatura mes lojtarëve, por gjithçka kalon me një këshillim nga gjyqtari Bajramaj. Vendim i gabuar, që ndikon më pas në ecurinë e lojës, pasi Nuabueze i kthen reston boshnjakut të Teutës. Bajramaj duhej t’i ndëshkonte me të verdhë.

58′ Ndërhyrje horror e Nuabuezes ndaj Hreljiçit në anësore. Arbitri e ndëshkon direkt me karton të kuq sulmuesin e Laçit, i cili pas daljes nga fusha, bën gjeste joetike ndaj disa personave në tribunën qendrore.

90′ Gruda futet në zonë dhe mundohet të kalojë Selmanin, por ky i fundit i ndërhyn në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari Bajramaj akordon penallti për Teutën. Vendim i drejtë.
Vllaznia-Flamurtari
VLLAZNIA-FLAMURTARI 1-1
Gjyqtarë: K.Shahini, F.Lama, H.Lisaku (Durrës);

Vllaznia-Flamurtari ishte një ndeshje “qejfi”. Skuadrat kanë luajtur pa presion e lirshëm dhe kjo duket nga mungesa e kartonëve të verdhë. E megjithatë, shkodranët pretenduan në dy raste penallti.

27′ Gurishta pretendon se është mbajtur nga një lojtar mik sapo është futur në zonë, por Shahini vazhdon lojën. Rast i dyshimtë.

37′ Gilman Lika rrëzohet pas duelit me Qarrin brenda zonës, por kryesori Shahini nuk jep penallti. Vendim i drejtë.
Dita Skenderbeu
SKËNDERBEUPARTIZANI 4-1
Gjyqtarë: K.Meta, R.Shaba, R.Zajmi (Tiranë);

Gjykim i mirë i treshes nga Tirana. Nuk pati ndonjë rast shumë të diskutueshëm apo pretendime nga lojtarët e të dyja skuadrave.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"