MOVIOLA, JAVA 8/ Shkodër-Korçë, gjyqtarët bëjnë gafa. Penallti të padhëna e gola të anuluar, arbitrat jashtë forme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 20:40

MOVIOLA, JAVA 8/ Shkodër-Korçë, gjyqtarët bëjnë gafa. Penallti të padhëna e gola të anuluar, arbitrat jashtë forme

Java e tetë e Kategorisë Superiore prodhoi shumë raste për moviolë, me arbitrat që kanë qenë më tepër jashtë forme në Shkodër dhe Korçë.

skenderbeu kukesi

Në kryendeshjen VllazniaPartizani 1-3, kryesori Andi Koçi nuk dha dy penallti, nga një për secilën skuadër. Ndërsa në Korçë e prishi ndeshjen asistenti i dytë, duke e dënuar Skënderbeun në disa raste.

KUKËSI-SKËNDERBEU 0-0

Gjyqtarë: K.Meta, E.Barushi, R.Zaimi (Tiranë);

2′ Bregu merr një top nga Krasniqi dhe pason për Meksin, i cili gjuan dhe shënon. Anësori Rejdi Zajimi ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Pamjet dëshmojnë se lojtarët janë në vijë të drejtë dhe goli është i rregullt. Megjithatë, vendimi ka qenë i vështirë prej asistentit të dytë, pasi ndoshta gënjehet prej një krahu të hapur të mbrojtësit të korçarëve. E njëjta gjë ndodh edhe pak minuta më pas, kur Ndeki del i vetëm pas shërbimit të Krasniqit. Sërish kemi të bëjmë me një pozicion të rregullt.

4′ Depërtim i Krasniqit brenda zonës dhe ndërhyn Teqja. Sulmuesi i Skënderbeut pretendon për 11-metërsh. Një rast shumë i dyshimtë dhe në limitin e penalltisë, pasi Teqja vërtet ka larguar topin, por në rënie e sipër më parë ka prekur këmbën e Krasniqit.

59′ Tjetër pretendim për 11- metërsh nga ana e Krasniqit, pas një dueli me Obanorin, por ishte jashtë zone dhe maksimumi mund të jepej faull.

VLLAZNIA-PARTIZANI 1-3

Gjyqtarë: A.Koçi (kryesor), N.Bregasi dhe F.Lama (anësorë), K.Cjapi dhe O.Kuka (pas portave), F.Lama (i katërt);

andi koci vllaznia partizani

Vllaznia-Partizani ishte vlerësuar si kryendeshja e javës dhe për këtë arsye takimi u gjykua me 6 gjyqtarë në fushë, me kryesor Andi Koçin e Kolegjiumit të Durrësit. Kontestime ka pasur nga të dyja skuadrat, veçanërisht për një karton të dytë të verdhë për Brojën e Partizanit, por pamjet filmike treguan se Hygor kishte simuluar.

16′ Pati pretendime nga vendësit për një prekje të topit në zonë nga Trashi, pas gjuajtjes së Shtubinës. Rasti ishte i dyshimtë, por arbitri e vlerësoi lojë të rregullt. Vendim i drejtë.

64′ Gurishta, nga një rivënie anësore, me duar e hedh topin në zonën e Partizanit te Lika, që ishte mes Boldorit dhe Telushit. Të tre u ngritën në ajër për ta kapur topin, por ishte Lika ai që e preku dhe sfera nuk shkon nga porta, por nga shpina e Telushit, duke u ndalur në krahun e hapur të vlonjatit. Arbitri vijon lojën, por ka gabuar me vendimin e tij, duke i mohuar një penallti Vllaznisë, pasi prekja e topit me dorë është e dukshme.

85′ Bardhi shërben në zonë te Mala, por në dyluftim me Krymin rrëzohet në fushë. Gjyqtari vijon lojën, duke mos e vlerësuar si 11-metërsh. Pamjet filmike tregojnë se Partizanit i është mohuar një penallti.

TEUTA-FLAMURTARI 1-0

Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, E.Malo (Lushnjë);

6′ Kallaku futet në zonë dhe driblon Nebihin, por më pas rrëzohet, megjithatë pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me simulim. Alla vepron drejt, duke vazhduar lojën dhe duke mos akorduar penallti.

34′ Rrapaj shpërthen në qendër të mesfushës dhe nxjerr të lirë Sukajn, që i vetëm me portierin, e driblon atë, por ndërkohë anësori Malo jep pozicion jashtë loje. Pamjet filmike tregojnë se në momentin e pasimit, Sukaj është në një vijë me mbrojtësin e fundit të Teutës. Gjithsesi, bëhet fjalë për një episod shumë të diskutueshëm.

85′ Ribaj rrëzohet në zonë pa i ndërhyrë ende portieri Frashëri. Simulim qesharak. Alla vazhdon lojën, por duhet ta ndëshkonte Ribajn.

LUFTËTARI-BYLISI 1-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), R.Çokaj (Lezhë), A.Koçiaj (Tiranë);

9′ Mbrojtësi i Luftëtarit, Prikas, bën një ndërhyrje të rëndë në mesfushë ndaj Goxhajt. Jorgji e ndëshkon me të verdhë, në një rast ku mund të jepej direkt kartoni i kuq, pasi greku ndërhyri me këmbën e ngritur në kaviljen e Goxhajt.

34′ Dushkaj shënon, por anësori Koçiaj e cilëson golin të parregullt. Pamjet filmike i dhanë të drejtë, pasi Dushkaj ishte më i avancuar se mbrojtësit e Bylisit në momentin e pasimit të Açkës.

75′ Goxhaj rrëzohet në zonë pas duelit ajror me Açkën. Arbitri Jorgji akordon penallti për Bylisin. Mënyra e rrëzimit të lojtarit mik dhe dora e zgjatur e Açkës e kanë bindur Jorgjin për 11-metërsh. Një faull shumë i diskutueshëm, por arbitri ka pasur pamje të qartë.

TIRANA-LAÇI 2-1

Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Rexha, A.Mahmuti (Tiranë);

Rasti i vetëm i ndeshjes shënohet në minutën e 67-të. Dhe në këtë rast, laçianët kërkojnë një penallti. Është Fangaj që hyn në zonë, por ndalet nga Erjon Hoxhallari, i cili e heq topin nga këmbët e mbrojtësit të Laçit. Gjyqtari vazhdon lojën dhe pamjet filmike i japin të drejtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"