MOVIOLA, JAVA 5/ “Masakër” në Korçë, ja si arbitrat njollosën garën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 18:22

MOVIOLA, JAVA 5/ “Masakër” në Korçë, ja si arbitrat njollosën garën

Gjyqtarët e bëjnë “bal të” në javën e pestë. Skënderbeu-Tirana 1-1, edhe pse një ndeshje pa tifozë dhe jo me ndonjë presion për shkak të rezultatit që mund të prodhonte, ishte më e rënda për arbitrat. Kryesori Orlando Kuka dhe asistenti Denis Agaraj vendosën me gabimet e tyre fatin e ndeshjes. I pari ishte bërë protagonist edhe në Laçi-Luftëtari 2-1 (java e dytë), por me sa duket në sektorin e gjykimit as që duan t’ia dinë dhe i japin të drejtojë një kryendeshje.

kuka radas

SKËNDERBEU-TIRANA 1-1

Gjyqtarë: O.Kuka, D.Agaraj, A.Koçiaj (Tiranë);

Gafat nisën në minutën e 2- të, kur asistenti Agaraj jep një pozicion jashtë loje të paqenë të Dejvi Bregut. Çudi, pasi pamja dhe pozicionimi ka qenë korrekt për anësorin, por që është treguar i papërgjegjshëm. Gabimi i dytë i rëndë ka ardhur nga kryesori Kuka, i cili nuk nxjerr me të kuqe Bruno Lulajn, që me dashje ndal Blazhevskin, i cili i drejtohej portës i vetëm.

Pas këtij rasti ku jep vetëm të verdhë, Lulaj në minutën e 15-të bën një ndërhyrje të rëndë, por mungon kartoni i dytë i verdhë, që do ishte më pas automatikisht i kuq. Arbitri nuk do t’ia dijë, por trajneri Shehi tregohet më i zgjuar, duke e zëvendësuar lojtarin. Rasti i tjetër i përket minutës së 27-të, me Radasin që sheh t’i ikë topi nga kontrolli dhe duke parë Blazhevskin që është pas, i ndryshon drejtimin e sferës në mënyrë të qëllimshme me dorë. Tirana kërkon të kuq direkt, ndërsa gjyqtari jep vetëm të verdhë.

Kuka duhej të jepte direkt të kuq, pasi Radas i hoqi mundësinë e shënimit të golit lojtarit të Tiranës. Gabimi i katërt i gjyqtarit është në minutën e 58-të, sepse ndëshkon me të verdhë Imamin për simulim, por mbrojtësi i Tiranës duket qartë që pengohet jashtë zone nga Fili dhe duhej akorduar goditje dënimi. Gafën e fundit e bën ai që e nisi në këtë ndeshje horror, Denis Agaraj. Asistenti ndal Blazhevskin që po shkonte drejt portës për pozicion të parregullt. Pamjet tregojnë se pozicioni i maqedonasit ishte i rregullt.

PARTIZANI-FLAMURTARI 2-0

Gjyqtarë: K.Cjapi (kryesor), R.Çokaj dhe D.Myftari (anësorë), O.Ferataj dhe E.Sino (pas portave), O.Grabova (i katërt);

FSHF kishte vendosur gjashtë arbitra për Partizani-Flamurtari, duke e konsideruar si kryendeshjen e javës së pestë. Kryesor ishte fieraku Kreshnik Cjapi, i cili në përgjithësi mori vendime të drejta, edhe pse pati jo pak ankesa nga stafi i Flamurtarit për vonesat e shpeshta. I vetmi rast ishte ai i minutës së 42-të, kur Hila ndërhyri ashpër ndaj Torasës, por arbitri e fali, duke mos e ndëshkuar me të verdhë. Në goditjen e dënimit që solli golin e dytë, faulli ndaj Bardhit qëndron, pasi Musta e goditi ne këmbën e majtë. Të kota pretendimet e Dajës.

KUKËSI-KAMZA 1-0

Gjyqtarë: B.Ziri, E.Veseli, E.Burgu (Fushë-Krujë);

Blerim Ziri, i rikthyer të gjykojë në elitë, pas rasteve të njëpasnjëshme në sezonet e kaluara, ku është bërë protagonist negativ, menaxhoi mirë ndeshjen Kukësi-Kamza, edhe pse kurseu kartonët. Në minutën e 10-të kemi një shtyrje të Arrabal ndaj Rexhinaldos në nerva e sipër, por Ziri i kursen të verdhin brazilianit. Gjashtë minuta më pas, Rexhinaldo godet me taka në fytyrë Teqjen. Mbrojtësi gjakoset, por s’ka të verdhë për sulmuesin. Në minutën e 24-t, pas një krosimi të Martinenës për Fukuin, topi devijohet nga Maliqi. Japonezi kërkon penallti për prekje të topit me dorë, por pamjet tregojnë se e ka ulur me gjoks Maliqi.

KASTRIOTI-LAÇI 1-1

Gjyqtarë: J.Xhaja, G.Qirici (Tiranë), R.Preça (Elbasan);

Ndeshja ka pasur dy kartonë të kuq dhe kryesori Xhaja nuk ka hezituar në asnjë prej rasteve. Për vendësit ka pasur edhe një moment pretendimi për penallti, si dhe për gol të parregullt të Fangajt. Në fundin e pjesës së parë. Marku rrëzohet brenda zonës dhe pretendon shtyrje të Gjonit, por kryesori vijon lojën. Kërkohet penallti, por arbitri vijon lojën. Më pas është Çela që ndërhyn ashpër me të dyja këmbët ndaj Fangajt, asistenti i dytë sinjalizon Xhajën për karton të kuq. Vendim më se i drejtë.

Ndërsa në të 65-ën, Najdenov bën një ndërhyrje të ashpër në mesfushë dhe për goditje me bërryl merr të dytin karton të verdhë dhe del nga loja me të kuq. Vendim i drejtë i Xhajës. Ndërsa në të 89-ën, ka një moment shumë të dyshimtë sa i përket pozicionit nga ku Fangaj ka marrë pasimin përpara se të shënonte. Në bazë të pamjeve shihet se është disi më i avantazhuar se mbrojtësit dhe krutanët pretendojnë për pozicion jashtë loje. Rast shumë i dyshimtë, me anësorin Qirici që vijoi lojën.

LUFTËTARI-TEUTA 3-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), M.Qose, E.Malo (Lushnjë);

Një gjykim korrekt nga Enea Jorgji dhe ndihmësit e tij. Kryesori veproi drejt me dy të verdhët ndaj Sidibesë dhe me penalltinë e akorduar në favor të Teutës në të 77-ën. Edhe pse nuk ishte një ndërhyrje e pastër, Sekou Kamara u shty me dorë nga Liçaj në zonë dhe me të drejtë gjyqtari i FIFA-s akordoi penallti për Teutën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"