MOVIOLA, JAVA 14/ Mungojnë 3 penallti, gafë me një korne te goli i Laçit. Gabime në dëm të Kukësit, Teutës e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2019 | 18:35

MOVIOLA, JAVA 14/ Mungojnë 3 penallti, gafë me një korne te goli i Laçit. Gabime në dëm të Kukësit, Teutës e Partizanit

Java e 14-të evitoi po lemikat për arbitrat, por moviola tregon se ata kanë gabuar, madje jo pak. Rezulton se në ndeshjet e luajtura në Tiranë, Durrës dhe Ballsh mungojnë penallti për Kukësin, Teutën dhe Partizanin. 

tirana kukesi

Gjithashtu ka dyshime të forta për një 11- metërsh të padhënë për Luftëtarin, ndërsa goli i parë i Laçit në fitoren me Flamurtarin vjen nga një goditje këndi e paqenë e dhënë nga anësori.

TIRANA-KUKËSI 1-3 

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha, D.Myftari;

45’ Halili nuk kontrollon dot topin në zonën bardheblu dhe Maliqi në përpjekje për ta zotëruar, pengohet nga sulmuesi i Tiranës. Kukësi pretendon penallti, por gjyqtari nuk është i këtij mendimi dhe vendos të vazhdojë lojën. Si kryesori Jorgji dhe anësori Myftari kanë gabuar, pasi duhej akorduar 11-metërsh për Kukësin.

64’ Torasa pengon Gavazajn brenda zonës. Penallti neto dhe për Jorgjin nuk ka dyshim. Vendim i drejtë i ndërkombëtarit.

BYLISI-PARTIZANI 2-1 

Gjyqtarë: E.Hamiti (kryesor), R.Çokaj dhe D.Agaraj (anësorë, K.Kola dhe B.Ziri (pas portave), E.Burgu (i katërt);

bylis partizani

Bylisi-Partizani ishte vlerësuar si kryendeshja e javës, pasi u gjykua me 6 arbitra, me kryesor Eldorjan Hamitin.

12’ Bicaj në tentativë mbulimi ndaj Bardhit i vendos krahun në fytyrë dhe sulmuesi i kuq bie në fushë në momentin që kërkon të zotërojë topin. Gjyqtari vijon lojën duke mos e marrë parasysh kontestimin. Ndërhyrja ishte e dukshme, Hamiti i mohon penallti Partizanit.

44’ Sinjalizim për pozicion jashtë loje të Asanit, që mund të shënonte pas pasimit të dhënë nga Çinari. Rasti shumë i dyshimtë.

45’ Arbitri i fal kartonin e dytë të verdhë Brojës, që ndërhyn në mënyrë të gabuar në mesfushë ndaj Mëllugjës.

54’ Partizani konteston golin e dytë të Guindos për pozicion jashtë loje, por pamjet nuk janë të qarta nëse sulmuesi i Bylisit është më i avancuar se lojtari i fundit i të kuqve. Rast i dyshimtë.

90’ Kartoni i kuq i Telushit në minutën e 90-të ishte i saktë, por këtë mund ta kishte bërë më herët, në minutën e 81-të kur u përplas me Muratajn, duke i venë dorën në fyt.

TEUTA-SKËNDERBEU 1-0 

Gjyqtarë: K.Bajramaj (Tiranë), A.Mahmutaj (Elbasan), R.Malaj (Vlorë);

teuta skenderbey

39’ Një goditje dënimi e Teutës nxjerr të gjithë lojtarët vendës në pozicion jashtë loje. Anësori Malaj nuk e ngre flamurin, duke pritur se ku do të shkonte topi. Mirëpo, sërish gabon.

64’ Nikaç ka kontrollin e topit dhe kur futet në zonë, pengohet prej Pollozhanit. Faulli është i pastër, pasi mbrojtësi i Skënderbeut prek këmbën e sulmuesit të Teutës. Loja vijon, por duhej të akordohej penallti për vendësit. Vendim i gabuar i kryesorit Bajramaj.

LUFTËTARI-VLLAZNIA 0-2 

Gjyqtarë: E.Sino, O.Grabova (Fier), D.Koreshi (Lushnjë);

2’ Hyseni futet në zonë dhe pasi fiton duelin e shpejtësisë me Ramadanin, shtyhet nga ky i fundit. Arbitri Sino duket i pasigurt, por vendos që të mos akordojë penallti pas konsultimit me anësorin Koreshi. Një moment shumë i dyshimtë, teksa pamjet filmike tregojnë se Ramadani nuk është fare i interesuar për topin.

23’ Gligorov godet shtyllën pas topit të kthyer nga Shtubina, por ky i fundit konsiderohet në pozicion jashtë loje nga anësori Grabova. Pamjet filmike tregojnë se Shtubina mbahet në lojë nga Prikas.

70’ Fili shfaqet në një pozicion të mirë shënimi, por anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Gafë e asistentit Grabova, pasi pamjet filmike tregojnë se lojtari mbahet në lojë nga Ualusimbi.

LAÇI-FLAMURTARI 3-0 

Gjyqtarë: O.Kuka, A.Shkreta, A.Zalla (Tiranë);

8’ Anësori Zalla gabon në akordimin e pozicionit jashtë loje për Nuabuezen. Pamjet tregojnë se ishte në pozicion të rregullt.

20’ Kryesori fal Nebihun, i cili ndërhyn duke shkelur me takë në kaviljen e Lushkjes. Mungon kartoni i verdhë.

47’ Anësori i parë, Shkreta, sinjalizon për goditje nga këndi, por Flamurtari e konteston gjatë. Topi në fund preket nga Xhixha i Laçit dhe jo Muçollari i Flamurtarit. Nuk duhej akorduar goditje nga këndi, por vetëm fundore. Prej aty u shënua edhe goli i parë i Laçit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"