MOVIOLA, JAVA 12/ Gafë “e çmendur” në Vlorë, Jorgji nuk jep penallti neto. Penalizohen Kukësi e Bylisi

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 20:03

Kategoria Superiore LAJMI KRYESOR Të fundit

MOVIOLA, JAVA 12/ Gafë “e çmendur” në Vlorë, Jorgji nuk jep penallti neto. Penalizohen Kukësi e Bylisi

Javë e zezë për arbitrat në Kategorinë Superiore, pasi në tri nga pesë ndeshjet e luajtura ka pasur gabime trashanike. 

enea jorgji

Enea Jorgji, arbitri që po merr vazhdimisht ndeshje ndërkombëtare, raportin me gjykimin e drejtë në kampionatin shqiptar këtë sezon e ka si mos më keq. Ai që duhet të ishte shembulli për të tjerët, vazhdon të bëjë gabime trashanike.

Më flagranti ishte në ndeshjen e së dielës në Vlorë, kur në minutat shtesë i mohoi një penallti neto Partizanit, që nuk kishte nevojë për komente nëse e shikoje në TV. Por, bashkëfajtor me Jorgjin është pa dyshim edhe anësori Rudin Preça. Ndërkohë, në një ditë jo të mirë ishte edhe Eldorian Hamiti në Laçi-Kukësi, duke dhënë një penallti jo të drejtë. E njëjta gjë edhe me debutuesin Erjon Bastari në Ballsh, i cili i mohoi një 11- metërsh neto Bylisit.

PARTIZANI-FLAMURTARI 1-1 

Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Ganxhi, R.Preça (Elbasan);

flamurtari partizani

Në minutën e 94-t, Telushi kërkon të driblojë brenda zonës Pjeshkën, por ky i fundit me dorë të hapur i ndryshon drejtimin topit. Për habinë e të gjithëve, nuk akordohet penallti. Arbitri kryesor, Jorgji, ishte i vendosur keq, pasi Kreshnik Nebihu i ndodhur para tij i kishte zënë pamjen. Në këtë rast Jorgjin mund ta ndihmonte anësori Preça, por kjo nuk ndodhi, teksa i mohoi një penallti të pastër Partizanit, duke ndikuar direkt në rezultatin e ndeshjes ndaj Flamurtarit.

BYLISI-SKËNDERBEU 2-3 

Gjyqtarë: E.Bastari, R.Avdo, G.Qirici (Tiranë);

Bylis-Skenderbeu

Për Erjon Bastarin gjithçka po shkonte mirë në debutimin e tij në Kategorinë Superiore, por një “volejboll” në zonë i Gripshit ia zbehu paraqitjen në Ballsh. Nëse me akordimin e tre 11-metërshave veproi drejt, gaboi në minutën e 72- të, kur i mohoi një të pastër Bylisit.

21’ Ndeki ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Peposhit dhe për gjyqtarin ka penallti. Veprim i drejtë, pasi ishte faull.

45’ Bregu driblon Peposhin dhe ky i fundit i ndërhyn në sparkatë. Sulmuesi menjëherë rrëzohet dhe “vjedh” një penallti. Kryesori tregon pikën e bardhë dhe me të drejtë, pasi kontakti ishte.

73’ Peposhi harkon nga goditja e këndit, Murataj dhe Goxhaj kërcejnë njëkohësisht, por topi prek dorën e Gripshit e më pas shkon te Qardaku, që gjuan dhe në vijën fatale largon Pëllumbi. Arbitri vazhdon lojën, por gabon, pasi duhet të akordonte penallti për Bylisin.

85’ Bregu nga e djathta e sulmit futet në zonë dhe Ndreca e tërheq prej fanelle. Akordohet penallti dhe vendim i drejtë i Bastarit.

LAÇI-KUKËSI 1-0 

laci kukesi

Gjyqtarë: E.Hamiti (kryesor), R.Çokaj, E.Burgu (anësorë), J.Xhaja, K.Kola (pas portave);

Në Laç ishin gjashtë gjyqtarë, por pati më tepër probleme.

12’ Teko nis një top për Nuabuezen. Amerikani pas një dueli me Obanorin, futet në zonë dhe rrëzohet. Pretendohet se ka faull dhe kërkohet penallti, por është një rast shumë i diskutueshëm.

42’ Teko futet nga e djathta drejt zonës dhe provon të krosojë, por topi përplaset në dorën e hapur nga Kotobelli dhe më pas largohet prej Kitanovskit. Kërkohet penallti, por loja vijon. Vendim i gabuar i arbitrit, duhet të jepte 11- metërsh.

62’ Teko hedh një top nga e djathta në qendër dhe Teqja në rrëshqitje e sipër e ndal atë. Pamjet dëshmojnë se e kap me shpatull, por gjyqtari i linjës (Klajdi Kola) sheh dorë. Gafë e Kolës dhe e kryesorit Hamiti që i besoi.

TIRANA-VLLAZNIA 0-0 

Gjyqtarë: K.Meta, D.Myftari (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë);

tirana vllaznia

Ka qenë një ndeshje e menaxhuar mirë nga kryesori Meta. Vetëm në minutën e 93-të ka një rast për penallti. Dunga mbahet nga Gurishta, por ai nuk rrëzohet. I shtrirë, godet topin, por sfera largohet në vijën fatale nga Malota. Bardheblutë kërkojnë penallti, por gjyqtari ka vepruar drejt, sepse nuk ekzistojnë limitet e një 11-metërshi.

LUFTËTARI-TEUTA 0-0 

Gjyqtarë: E.Sino, O.Grabova (Fier), M.Shazivari (Tiranë);

Luftëtari-Teuta u gjykua nga Emirjon Sino si kryesor. I vetmi moment flagrant ishte ai i minutës së 93-të, kur Nikaç shënoi në portën e Luftëtarit. Pas krosimit të Avdylit, Khalid ul me kokë për sulmuesin malazez dhe ky i fundit gjen rrjetën.

Goli anulohet nga anësori Grabova dhe pamjet filmike i japin të drejtë, pasi në momentin e pasimit të Khalidit, autori i golit ishte më i avancuar se mbrojtësit Isufi e Lala. Një rast ku gaboi anësori Grabova ishte në minutën e 77- të, kur Nikaç doli i vetëm në zonë, por aksioni nuk vijoi, pasi u ngrit flamuri për pozicion jashtë loje. Pamjet treguan se malazezi mbahej në lojë nga Isufi dhe iu dogj shansi i një aksioni premtues.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com