MOVIOLA/ Gjyqtarët kalojnë klasën, nuk ndikojnë në rezultet e javës. Pretendime për penallti, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2020 | 19:08

MOVIOLA/ Gjyqtarët kalojnë klasën, nuk ndikojnë në rezultet e javës. Pretendime për penallti, por…

Java e tretë e Kategor isë Superiore ka qenë disi më e qetë sa u përket gabimeve të arbitrave. Rastet për moviolë kanë qenë të pranishme në pesë ndeshjet, por në përfundim nuk kemi ndikim në rezultat nga vendimet e arbitrave. Në disa raste gjyqtarëve u vijnë në ndihmë edhe pamjet televizive, që nuk janë të qarta. I papranueshëm është menaxhimi i disa rasteve, ku arbitrat tolerojnë lojtarët që protestojnë apo edhe që vënë dorë ndaj tyre. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha episodet e diskutueshme në javën që lamë pas.

Vllaznia-Tirana

VLLAZNIA-TIRANA 3-2

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Myftari (Tiranë), A. Mahmutaj (Elbasan);

27’ Imeri pason për Da Silvën, por sa po hyn në zonë, është Najdovski që ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj brazilianit që rrëzohet në fushë. Arbitri Jorgji akordon penallti për Vllazninë dhe karton i verdhë për mbrojtësin e Tiranës. Vendime të drejta të gjyqtarit Jorgji.

31’ Gurishta nuk lejon Muçin të kontrollojë topin në zonë që më pas shkon në drejtim të Halilit, por sulmuesi bardheblu, pas përplasjes me Krujën, bie në fushë dhe për gjyqtarin nuk ka faull. Tirana kërkon penallti, por pamjet tregojnë se Jorgji ka vepruar drejt.

Teuta-Kukesi5

TEUTA-KUKËSI 0-0

Gjyqtarë: O.Ferhataj (Patos), I.Tartari (Fier), E.Pashaj (Patos);

18’ Avdyli driblon dhe kroson në hyrje të zonës dhe portieri Tafa kërcen për të kapur topin, por durrsakët pretendojnë për penallti për shtyrje të sulmuesit Hebaj që rrëzohet pas kontaktit. Arbitri vijon lojën. Vendim i drejtë, pasi duket që portieri ka grushtuar topin.

60’ Leria rrëzohet në zonë, por gjyqtari Ferhataj nuk e vlerëson penalltinë, pasi rënia e tij u konsiderua thjesht rrëshqitje në tentativë për të goditur topin.

86’ Goditje dënimi për Teutën, Bregu gjuan direkt në portë me të djathtën, Tafa grushton dhe topi shkon te Gruda që nuk arrin të godasë si duhet dhe është Hoxha që e përcjell më pas në rrjetë. Goli anulohet për pozicion jashtë loje të Hoxhës, të cilin pasimi i Grudës e gjen më të avancuar dhe për këtë arsye anësori Tartari ka ngritur flamurin për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë.

PARTIZAN LACI

PARTIZANI-LAÇI 0-0

Gjyqtarë: E.Hamiti, R.Çokaj (Lezhë), U.Korra (Elbasan);

Në tërësi, mund të konsiderohet si një ndeshje që u menaxhua mirë nga treshja e gjykimit. Rastet për moviolë nuk munguan, ku të kuqtë pretenduan për dy penallti.

19’ Mala shërbehet në zonë, mbrojtësi Selmani ndërhyn dhe mesfushori i kuq bie në fushë. Nga pamjet duket se Selmani ka larguar topin, edhe pse më pas ndoshta prek këmbën e Malës. I drejtë vendimi i gjyqtarit Hamiti për të vijuar lojën.

43’ Sërish Mala protagonist te një tjetër ndërhyrje në zonë, ku kemi një shtyrje të tij nga Emiljano Musta. Kontakti dhe hapja e dorës së mbrojtësit të Laçit është i dukshëm, por gjyqtari Hamiti nuk e ka vlerësuar për penallti. Rast i dyshimtë, por jo për gjyqtarin.

arbitrat

BYLIS-SKËNDERBEU 0-2

Gjyqtarë: A.Beqiri, A. Shkreta, M.Bega (Tiranë)

Në këtë takim ballshiotët pretenduan për 3 penallti, por që u akordua vetëm ajo e minutës 57, që u shpërdorua nga Ujka i Bylisit.

9’ Rast i dyshimtë, pasi pretendohet për një takë të ngritur të Bicajt ndaj Antonit, por gjyqtari Beqiri vijon lojën. Nga përsëritja e pamjeve del se gjyqtari ka vepruar drejt.

37’ Qaqi shkakton faull ndaj Hadrojit, që ishte pak centimetra larg vijës së zonës mike. Vendësit pretendojnë se ndërhyrja ka qenë në zonë, por pamjet treguan se gjyqtari veproi drejt.

57’ Mehmetllari pengohet në zonë nga Bicaj dhe Dovuna. Rasti është shumë i dyshimtë, pasi pretendohet edhe për një hedhje të sulmuesit të Bylisit. Nga përsëritjet shikohet se ka kontakt.

Kastrioti-Apolonia

KASTRIOTI-APOLONIA 1-1

Gjyqtarë: R.Muska, N.Bregasi, M.Shazivari (Tiranë)

Kjo ndeshje u gjykua nga treshja e arbitrave me kryesor Roxhers Muskën dhe asistentë Nertil Bregasin e Mario Shazivarin. Në përgjithësi gjyqtari lejoi lojë “të fortë”, ndërsa krutanët patën tri momente ku pretenduan për penallti.

27’ Topi i shërbyer në zonën e Apolonisë prek dorën e Repajt, por arbitri Muska vazhdon lojën. Gjyqtari nuk ka dhënë penallti, pasi dora e mbrojtësit ka qenë e mbledhur, ndonëse u prek nga topi.

58’ Topin e harkuar nga e majta Plaku e stopon me gjoks, por Repaj e shtyn sulmuesin që bie në fushë. Gjyqtari vijon lojën, por nga pamjet duket si një penallti e padhënë për krutanët.

71’ De Silva mundohet të driblojë në zonë Smaçin, por ky i fundit e devijon topin me dorë. Rast i dyshimtë, por arbitri nuk jep penallti. Vlerësohet pozicioni natyral i dorës.

82’Bardhi kroson nga këndi, Prodani e godet me kokë topin që më pas përplaset te Benjamini i Apolonisë. Gjyqtari e konsideron prekjen e mbrojtësit me dorë dhe jep penallti, ndërsa fierakët me gjoks. Rast i dyshimtë, pasi në mungesë të pamjeve të qarta, pesha e vlerësimit i mbetet arbitrit që ka pasur pamjen e duhur në këtë rast.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"