MOVIOLA/ Gjykim me dy standarde në Shkodër, Partizanit i mungon një penallti (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2020 | 15:07

MOVIOLA/ Gjykim me dy standarde në Shkodër, Partizanit i mungon një penallti (VIDEO)

Drejtësinë në ndeshjen Vllaznia-Partizani federata ia kishte besuar një tresheje nga qyteti i Fierit, me kryesor Kreshnik Cjapin. Ndeshja u fitua nga shkodranët në shifrat 1-0, gol i cili u shënua nga pika e bardhë e penalltisë nga kapiteni Gilman Lika. Moviola ishte pjesë e këtij takimi, madje duke i analizuar me hollësi, i bie që edhe mund të ketë ndikuar në rezultatin final.fundi i pjeses se pare

Rastet më të kontestuara janë dy penallti, ku në minutën e 34- t akordohet për shkodranët, ndërsa në të 84-tën u mohohet miqve. Por në pjesën e dytë arbitri Cjapi, në kuadrin e pak minutave, u tregua dy herë i butë me Bruno Telushin, duke ia falur kartonin e kuq. Në rastin e parë mesfushori i të kuqve i hakërrehet arbitrit që nuk e ndëshkon, ndërsa në rastin e dytë përpos veprimit antisportiv duke hedhur një top mbi kundërshtarin ndëshkohet vetëm me karton të verdhë.

Rastet e dy penalltive: Minuta 34: Gilman Lika gjuan në drejtim të portës, por topi ndalet nga këmba e Telushit. Më pas topi i përplasur nga Telushi shkon në të majtë të zonës ku ndodhej Hakaj. Topi fillimisht prek trupin e mbrojtësit dhe më pas ka një kontakt edhe me dorën. Gjyqtari vijon lojën, por pas disa sekondash sinjalizohet nga anësori Grabova dhe Cjapi akordon penallti. Referuar të shkuarës, dinamikës së aksionit, ku fillimisht topi prek trupin, pastaj dorën, nuk jepet penallti.

Rast i dyshimtë. Por nëse lexon rregulloren e re të ndryshuar nga UEFA, vendimi i arbitrit shikohet drejt. Sipas rregullores, Hakajn në këtë rast e penalizon distanca e largët e gjuajtjes së topit dhe kontrollimi i “sferës” në zonë, pas kontaktit në dorë. Ndërkohë, ish-gjyqtari ndërkombëtar, Lorenc Jemini, në moviolën që ka bërë në “Procesin Sportiv” është treguar kategorik në analizën e tij duke mos e konsideruar penallti dhe duke fajësuar Cjapin.

Ja shpjegimi i Jeminit: “Nuk e shpjegoj. Kjo bie në trup e pastaj në gjoks, nuk është penallti edhe po të shkonte te dora. Nuk e shikon fare asistenti. Edhe dorë e hapur po të ishte, nuk jepet penallti. Me këtë u vendos ndeshja”.

Minuta 84: Topin e harkuar në zonë e synojnë ta kapin Broja dhe Gligorov në një dyluftim ajror. Ndërsa Adili i painteresuar për topin shkon dhe me duar shtyn lojtarin e Partizanit që synonte të kapte topin dhe e shtrin në fushë. Gjyqtari Cjapi shumë pranë aksionit bën me dorë që të vazhdojë loja. Vendim i gabuar, pasi Adili nuk interesohet për topin. Penallti e mohuar për Partizanin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"