MOVIOLA/ Gabon kryesori Cjapi, goli i Mensah i parregullt dhe penallti e mohuar “demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 16:44

MOVIOLA/ Gabon kryesori Cjapi, goli i Mensah i parregullt dhe penallti e mohuar “demave”

Partizani-Luftëtari u gjykua nga Kreshnik Cjapi me ndihmës Orgest Grabova dhe Mario Shazivari. Gjyqtari bëri disa gabime në këtë takim, pasi goli i parë i Partizanit duhej anuluar, më pas u mohoi një penallti “demave”, si dhe i fali kartonin e kuq mbrojtësit Liçaj. Arbitri edhe në disa raste të tjera u tregua i kursyer duke mos ndëshkuar lojtarët me karton të verdhë.

kreshnik cjapi

MINUTA 21– Asani nga këndi e lëshon topin në zonën mike. Portieri Ruçi nuk e largon si duhet topin, mbase edhe nga dyluftimi me Bardhin dhe Mensah pranë portës e dërgon “sferën” në rrjetë. Gjirokastritët me të drejtë protestojnë tek arbitri, pasi mes Bardhit dhe portierit pati një shtytje, kështu që goli duhej anuluar për faull ndaj Ruçit.

MINUTA 50– Arbitri u mohon një penallti të kuqve. Topi i gjuajtur nga Bardhi në të djathtë ndalet brenda zonës nga dora e hapur mbrojtësit Rustem Hoxha, por gjyqtarët vijojnë lojën. Anësori Grabova duhet ta kishte ndihmuar kryesorin në këtë rast.

MINUTA 54- Mala nga e majta hyn në zonë, por Liçaj ndërhyn gabimisht dhe gjyqtari akordon penallti për Partizanin. Vendimi për penalltinë ishte i drejtë, por nuk ndëshkoi mbrojtësin e Luftëtarit me karton të verdhë, i cili do të ishte i dyti, që do bënte që gjirokastritët të luanin me 10 veta në 35 minutat e fundit.

MINUTA 55- Telushi shënon nga pika e bardhë e penalltisë. Por, gjuajtja duhej përsëritur, pasi para se Telushi të godiste topin, disa lojtarë hynë brenda zonës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"