Moviola e Teuta-Kukësi/ Kartoni i kuq “OK”, u pretenduan edhe dy penallti (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2022 | 11:33

Moviola e Teuta-Kukësi/ Kartoni i kuq “OK”, u pretenduan edhe dy penallti (VIDEO)

FSHF-ja kishte rikthyer arbitrin nga Patosi, Olsid Ferataj, të gjykonte një ndeshje të Kategorisë Superiore pas plot gjashtë muajsh. Arbitri ishte bërë protagonist në gjysmëfinalen e Kupës, Partizani-Vllaznia, 0-0, luajtur më 31 mars në Elbasan. Pak ditë pas atij takimi, Ferataj u dhunua në qytetin e tij, ndërsa të premten arbitroi Teuta-Kukësi.

VR

“Panorama Sport” ju sjell rastet për moviolë të takimit në Durrës.

43′ Mbrojtësi i Kukësit, Tiago Ferreira, mban nga fanella sulmuesin e Teutës, Rubin Hebaj, i cili po dilte i vetëm me portierin. Arbitri Ferataj akordon faull për durrsakët dhe ndëshkon me karton të verdhë Ferreirën. Mirëpo, pas sinjalizimit nga VAR-i, arbitri shikon rastin dhe ndërron vendimin, duke anuluar të verdhin dhe dhënë direkt kartonin e kuq për portugezin, duke qenë se i hoqi mundësinë e golit Hebajt.

57′ Lorenco Vila del i vetëm me portierin, por nuk arrin të gjuajë pasi në momentin e fundit i ndërhyn Altin Bytyçi dhe rrëzohet në zonë. Vila kërkon penallti, por arbitri vijon lojën, duke marrë vendim të drejtë, pasi mbrojtësi i Kukësit kishte larguar topin.

79′ Kuro gjuan nga brenda zonës, Bytyçi devijon sferën me dorë në korne. Ferataj heziton fillimisht, më pas jep vetëm goditje këndi, jo 11-metërsh. Vendim i drejtë, pasi mbrojtësi i Kukësit ka qenë në një pozicion normal, me duar të mbledhura. Edhe VAR-i nuk ndërhyn.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"