MOVIOLA E SUPERIORES / Teknologjia shpëton gjyqtarët në Shkodër, një ndeshje është për t’u vënë në kornizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 23:31

MOVIOLA E SUPERIORES / Teknologjia shpëton gjyqtarët në Shkodër, një ndeshje është për t’u vënë në kornizë

Java e pestë e Kategorisë Superiore në përgjithësi ka qenë e qetë sa i përket gjykimeve, kështu që rastet për moviolë janë të lehta dhe pa ndikim në rezultat. Ndërhyrja e VAR-it ka ndryshuar vendimin e gjyqtarëve vetëm në takimin Vllaznia-Dinamo, ku akordoi një penallti. Partizani-Kukësi u luajt pa teknologji për një defekt të sistemit VAR. Në këtë javë ra në sy vetëm falja e arbitrave ndaj disa lojtarëve duke u kursyer kartonin e verdhë, por pa ndikim në mbarëvajtjen e ndeshjeve. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e pestë:

sdfdfdfdf

VLLAZNIA–DINAMO 6-3
GJYQTARË: K.Meta (Tiranë), R.Çokaj, E.Gjoka (Lezhë) / VAR: E.Hamiti – AVAR: N.Bregasi;
Vllaznia-Dinamo u gjykua nga gjyqtari me shumë eksperiencë i kolegjiumit të Tiranës, Kridens Meta. Në sistemin VAR, arbitrat ndërkombëtarë, Eldorian Hamiti dhe Nertil Bregasi. Gjatë ndeshjes pati tri momente ku u desh ndërhyrja e teknologjisë, teksa më flagrante ishte minuta e 65-të, kur u akordua penallti në favor të Dinamos. Kryesori Meta u kontestua disa herë për vendimet, por gjithsesi në fund pamjet filmike i dhanë të drejtë kryesorit.
5’ Goli i parë i Dinamos u dyshua pozicion jashtë loje i Ibraimit. Mirëpo, pamjet filmike konfirmuan se në momentin e pasimit të Samakes, kapiteni i bluve mbahej në lojë nga mbrojtësit Kruja dhe Hakaj.
65’ Dianje rrëzon në zonë Skukën, teksa vendos dorën te sulmuesi në një duel ajror. Fillimisht akordohet goditje këndi për Dinamon, pasi senegalezi i Vllaznisë e largoi topin me kokë në korne. Më pas, ndërhyn VAR-i duke i kërkuar gjyqtarit Meta të shikojë rastin. Kryesori bindet nga pamjet filmike dhe akordon 11-metërsh për Dinamon duke e konsideruar faull të Dianjesë kundër Skukës.
72’ Skuka shënon, por ka dyshime se aksioni nisi pas një faulli të sulmuesit ndaj Heriçit në mesfushë. Meta nuk e akordoi dhe vijoi lojën, por edhe pas vëzhgimit të pamjeve filmike nuk ndryshoi mendim.

KASTRIOTI-SKËNDERBEU 2-0
Gjyqtarë: K.Barjamaj, D.Agaraj, R.Zajmi (Tiranë)/ VAR: K.Cjapi (Fier), M.Shazivari (Tiranë)
Kastrioti-Skënderbeu janë shoqëruar me tensione në përballjet e fundit, por kësaj radhe në përgjithësi gjërat shkuan mirë, ndonëse nuk munguan “xixat” në fushë mes lojtarëve. Gjyqtari Barjamaj u tregua i butë në ndonjë rast, pasi goditja me kokë e Mensahut ndaj Nezirit duhej ndëshkuar, të paktën karton të verdhë për sulmuesin e Skënderbeut.
4’Krutanët protestojnë te gjyqtari për një karton të munguar ndaj Meksit që ndërhyn ashpër ndaj Prodanit.
32’ Momente tensioni. Në mesin e fushës Mensah duket se godet me kokë Nezirin. Gjithashtu, tensioni vazhdon mes Zguros dhe Ajazit, por gjyqtari pret sinjalizimin nga VAR-i dhe vazhdon lojën ku nuk ndëshkon asnjë lojtar qoftë edhe me karton të verdhë. Ky rast duhej vlerësuar më shumë nga trupa gjykuese e takimit.

PARTIZANI-KUKËSI 1-1
Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), D.Rexha (Tiranë), R.Mersinasi (Durrës) / VAR: K. Barjamaj, D.Myftari (Tiranë)
Ndeshja mes Partizanit dhe Kukësit nuk pati raste të kontestuara sa i takon arbitrimit. VAR-i kishte probleme për rreth 10 minuta dhe më pas erdhi edhe fugoni i dytë, por sërish nuk pati zgjidhje dhe e gjithë ndeshja vazhdoi pa pasur fare sistemin VAR. Rastet për moviolë ishin kryesisht në fillim të ndeshjes kur anësori Mersinasi jep dy vendime të gabuara për pozicione jashtë loje. Anësori i dytë, Mersinasi, jep pozicion jashtë lojë për Kukësin në një aksion premtues, por gabon. Pamjet filmike tregojnë se Feijao mbahej në lojë nga Musta dhe Kukësi ishte në ndërtim të një sulmi të rrezikshëm. Pjesa tjetër pati kontestime për faulle dhe rivënie anësore, por pa raste flagrante.

TEUTA-TIRANA 2-3
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), N.Bregasi (Tiranë), E.Ganxhi (Elbasan) / VAR: K.Meta, A.Zalla (Tiranë)
Ky takim u gjykua nga arbitra me stemën e FIFA-s. Edhe pse ishte një përballje mes pretendentësh, ku u shënuan 5 gola, rastet për moviolë ishin minimale në këtë sfidë. I vetmi gabim në këtë takim mund të konsiderohet falja e Ngosë, i cili kryen një gjest anti-sportiv duke shtyrë një mbrojtës të Teutës, por gjyqtari Jorgji vazhdon lojën. Në këtë rast Ngo meritonte kartonin e verdhë. Mbase arbitri e ka ditur se nëse sulmuesi anglez do të ndëshkohej me të verdhë në këtë takim do të humbiste derbin, pasi do të plotësonte numrin katër të kartonëve.

LAÇI-EGNATIA 0-1
Gjyqtarë: O.Ferataj, N.Rrapaj (Patos), M.Qose (Lushnje) / VAR: J.Xhaja, A.Koçiaj (Tiranë)
Laçi-Egnatia ka qenë një ndeshje korrekte duke mos i vënë në vështirësi gjyqtarët e ndeshjes, vendimet e të cilëve janë pranuar unanimisht nga të dy palët. Përpos ndonjë pakënaqësie momentale nga palët, ndeshja u mbyll pa polemika dhe raste të kontestuara.

PANORAMASPORT>AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"