Moviola e Superiores / Java e tretë me gjyqtarë “zemërmirë”, penallti të mohuara dhe tre kartonë të kuq të falur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2021 | 20:39

Moviola e Superiores / Java e tretë me gjyqtarë “zemërmirë”, penallti të mohuara dhe tre kartonë të kuq të falur

Penallti të mohuara dhe kartonë të kuq të falur, ky ishte bilanci i gabimeve të gjyqtarëve në fushë dhe të atyre në dhomat VAR në javën e tretë të Superiores. Egnatias dhe Tiranës iu mohua nga një penallti, ndërsa në takimin Partizani-Vllaznia kemi tre kartonë të kuq të falur. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme dhe për moviolë në javën e tretë të Superiores:

andi koci var

PARTIZANI-VLLAZNIA 1-1
GJYQTARË: A. Koçi (Durrës), R. Avdo (Tiranë), E. Burgu (Fushë-Krujë) / VAR: E. Hamiti (Lezhë), N. Bregasi (Tiranë)
Partizani-Vllaznia pati disa raste të kontestuara sa i takon gjykimit, ku u desh edhe ndërhyrja e VAR-it në një moment.
37′ Pasim i gabuar mbrapa i Malës, Da Silva niset drejt portës, por Hoxha tregohet vendimtar me një dalje duke i hequr topin. Nga pamjet filmike del se portieri ka shkaktuar faull te ndërhyrja dhe nëse do të merrej në konsideratë nga gjyqtari, Hoxha e meritonte kartonin e kuq.
43′ Latifi kryen një ndërhyrje të ashpër ndaj Gligorovit, por arbitri Andi Koçi e kalon si një faull. Gjyqtarët e VAR-it i kërkuan kryesorit ta shikonte sërish rastin. Pasi pa pamjet, Koçi ndëshkon me të verdhë Latifin, por ndërhyrja ishte në limitin e kartonit të kuq.
84′ Adilit i falet një karton i kuq. Pas një dueli me Filipoviçin, i cili po i afrohej zonës i vetëm, Adili në tentativë për ta shtyrë sulmuesin e godet me sup. Koçi e kalon si një duel trup më trup, por nga përsëritja duket goditja e Adilit ndaj sulmuesit të Partizanit. Mbrojtësi mund të ndëshkohej me të verdhë, që do të ishte i dyti.

Kastrioti-Tirana

KASTRIOTI – TIRANA 1-1
GJYQTARË: E.Bastari (Tiranë), M.Llukmani, Xh.Mani (Vlorë) / VAR: K.Meta, A.Zalla (Tiranë)
Kastrioti-Tirana ka qenë një ndeshje e tensionuar dhe gjykimi nuk ka qenë perfekt. Së pari, kryesori Bastari ka krijuar një klimë tensioni me kartonët e verdhë.
39′ Prodani tenton të fusë një kros në zonë, por topi ndalet në dorën e Hoxhallarit dhe ka penallti. Lojtari prek sferën me dorën e djathtë. Vendim i drejtë i gjyqtarit, edhe pse në raste të tilla ndonjëherë konsiderohet pozicioni i dorës.
89′ Ismajlgeci kroson brenda në zonë, Dida mban me çdo kusht Ngonë, ndërsa ky i fundit rrëzohet në zonë. Gjyqtari vazhdon lojën, ndërsa anglezi kërkon penallti. Pamjet tregojnë për ekstremet e një 11- metërshi, ndonëse faulli mund të ketë nisur te vija e zonës. Gjyqtari duhet të jepte goditje dënimi ose penallti, ndërsa nuk ka ndërhyrë as VAR-i për të dytën ndeshje rresht.

Teuta-Dinamo

TEUTA-DINAMO 0-0
GJYQTARË: E.Hamiti, R.Çokaj(Lezhë), T.Kasa(Vlorë)/ VAR: K.Cjapi (Fier), D.Myftari (Tiranë)
Teuta-Dinamo e zhvilluar në Rrogozhinë u gjykua nga ndërkombëtari Eldorjan Hamiti. Ndonëse nuk pati polemika, rastet për moviolë nuk munguan në këtë takim, ku dy ishin rastet më të diskutueshme.
18′ Koubemba në ajër devijon, lojtarët e Teutës pretendojnë penallti për prekje me dorë. Por pamjet tregojnë se Samake e prek topin në shpatull. I drejtë vendimi për të vijuar lojën.
24′ Topi gjatë nga mesfusha dinamovite në zonën durrsake për Çinedunë. Portieri Qirko lë portën dhe kërcen në ajër, por nuk arrin ta zotërojë topin pas përplasjes me sulmuesin e dinamos, i cili më pas arrin që “sferën” ta dërgojë në rrjetë. Goli anulohet për faull në sulm. Ndonëse duket se është portieri ai që e krijon kontaktin me sulmuesin, që po rrinte statik, në raste të tilla e drejta shkon nga “gardiani”. Rast i dyshimtë, por edhe VAR-i e la në fuqi vendimin e Hamitit.

Ardian Beqiri Egnatia-Skenderbeu

EGNATIA-SKËNDERBEU 1-1
GJYQTARË: A.Beqiri (Tiranë), A.Mahmuti (Elbasan), N.Rrapaj (Patos) / VAR: E.Jorgji (Elbasan), M.Shazivari (Tiranë)
Në këtë takim dy ishin rastet për moviolë, me protagonist Telushin.
74′ Goditje nga këndi për Egnatian, Telushi pretendon për penallti pas një kontakti në zonë me Elvi Berishën. Loja ndërpritet pasi gjyqtari do të konsultohet me sistemin VAR, por nuk ka 11-metërsh. Nga pamjet televizive duket se Berisha ka krijuar kontakt me Telushin, ndaj duhej akorduar penallti në këtë rast, gjë e cila i bie të jetë dyfish gabim.
82-84′ Përplasje mes Telushit dhe Berishës. Vlonjati përdor edhe duart ndaj sulmuesit. Gjyqtari i ndëshkon me karton të verdhë të dy lojtarët, por nga ajo që ndodhi në fushë i bie që arbitri Beqiri i fali kartonin e kuq Bruno Telushit.

Laci-Kukesi 3

LAÇI-KUKËSI 2-2
GJYQTARË: K.Meta, D.Rexha, A.Koçiaj (Tiranë) / VAR: F.Lata (Durrës), R.Avdo (Tiranë)
Ndeshja e luajtur në fushën asnjanëse të Kamzës mes Laçit si pritës dhe Kukësit u gjykua nga Kridens Meta. Dy janë rastet për moviolë, ku gjyqtari mori vendime të drejta.
79′ Pas një goditjeje të Mazrekajt, Laçi pretendon për prekje të topit me dorë në zonë nga De Lukasi duke kërkuar penallti. Meta vijon lojën duke marrë një vendim të drejtë, pasi pamjet filmike tregojnë që spanjolli i Kukësit e ka prekur topin me pjesën e kofshës, jo me dorë.
90+5′ Lulaj në duel me Zarubicën, e godet këtë të fundit. Me të drejtë, kryesori Meta e ndëshkon me të verdhë mbrojtësin e Kukësit, i cili plotësoi numrin e kartonëve dhe doli me të kuq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"