Moviola e javës së 8-të/ Flamurtarit i mohohet një penallti, edhe Luftëtari “viktimë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2017 | 21:18

Moviola e javës së 8-të/ Flamurtarit i mohohet një penallti, edhe Luftëtari “viktimë”

SKËNDERBEU-LUFTËTARI 2-0

Gjyqtarë: O.Ferataj, E.Pashaji, N.Rapaj

Që në minutën e tretë të takimit, Skënderbeu fiton një 11-metërsh. Xhejms përfiton nga një kthim i topit të Rapës te portieri Ruçi dhe rrëzohet nga ky i fundit. Gjyqtari në këtë rast me të drejtë ka dhënë 11-metërsh në favor të korçarëve. Në pamjet filmike duket qartë se kemi të bëjmë me një kontakt të portierit me sulmuesin, edhe pse ky i fundit më shumë e ka “vjedhur” këtë 11-metërsh.

skenderbeuluftetari

Rasti i dytë është ai i minutës së 42-të, kur Bregu merr një pasim nga mesfusha, por gjyqtari anësor akordon pozicion jashtë loje. Në këtë rast asistenti ka gabuar, pasi shihet që Bregu ka qenë në pozicion jashtë loje dhe Luftëtarit i është mohuar një mundësi e pastër shënimi. Në pjesën e dytë të ndeshjes, Skënderbeut i mohohet një 11-metërsh pas një rrëzimi të Soues brenda zonës. Në rastin e fundit të kësaj ndeshjeje, gjyqtari anësor ka vepruar drejt, kur ka anuluar golin e Nespor në minutën e 91 të takimit, pasi sulmuesi ka qenë në pozicion jashtë loje.

PARTIZANI – FLAMURTARI 0-1

Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha, R.Avdo / pas porte: A.Beqiri, O.Kuka

Momenti i parë i diskutueshëm në këtë ndeshje është ai i minutës së 42-të, kur Ibrahimi gjuan fort brenda zone dhe topi ndalet nga Kamara. Të kuqtë pretendojnë për 11-metërsh, por duart e lojtarit të Flamurtarit janë të mirëvendosura dhe me të drejtë kryesori ka vazhduar lojën.

rasti penallti flamurtari

Ndërsa në minutën 95, Bushiç përballë portierit Hoxha arrin të kalojë topin dhe më pas rrë- zohet nga ky i fundit. Në pamjet filmike duket qartë që portieri i Partizanit ka shkaktuar faull dhe duhej akorduar 11-metërsh në favor të Flamurtarit. Por, kryesori ka gabuar duke lejuar vazhdimin e lojës.

KUKËSI – VLLAZNIA 2-2

Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, M.Qose

Në minutën 63 të takimit, sulmuesi i Vllaznisë, Atsina, arrin të futet në zonën e Kukësit dhe, në dyluftim me Rustem Hoxhën, pretendon për një prekje të topit me dorë nga ky i fundit. Por, arbitri ka vazhduar lojën dhe në pamjet filmike duket qartë se dora e lojtarit të Kukësit ka qenë në pozicion natyral, ndërsa topi më parë ka prekur këmbën e tij. Kështu që vendimi i kryesorit për të mos dhënë penallti në favor të Vllaznisë ka qenë i rregullt. Momenti i dytë është ai i minutës së 73-të, ku kemi të bëjmë më një pretendim të Kukësit për 11- metërsh. Guri, në dyluftim me Gocajn në zonën mike, pretendon për një prekje të topit me dorë nga ky i fundit, por edhe në këtë rast arbitri ka marrë vendim të saktë duke vazhduar lojën, pasi nuk kemi të bëjmë me penallti.

LUSHNJA-TEUTA 2-1

Gjyqtarë: B.Ziri, E.veseli, E.Burgu

Një rast i diskutueshëm ka qenë në këtë ndeshje dhe i ka takuar minutës 69, kur Osemene gjuan në drejtim të portës së Lushnjës dhe topi është ndalur nga Mone. Durrsakët pretendojnë për prekje me dorë, por gjyqtari me të drejtë ka vazhduar lojën, pasi duket qartë se nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh.

LAÇI – KAMZA 0-1

Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Ganxhi, R.Preça Në minutën e 62-të të ndeshjes, Neziri në duel me Fangajn e godet këtë të fundit me taka në pjesën e gjoksit. Jorgji e ndëshkon me të verdhë, ndërsa më parë mbrojtësi i Kamzës kishte marrë një tjetër karton në minutën e 55-të dhe automatikisht doli me të kuq. Vendim i drejtë i kryesorit.

Ndërkohë, gjatë këtij momenti, kapiteni i Laçit, Sefgjini, godet me grusht në pjesën e barkut sulmuesin e Kamzës, Raçiç. Gjyqtari nuk e toleron dhe jep direkt të kuqin ndaj Sefgjinit, duke zbatuar rregulloren. Në këtë moment Jorgji është ngatërruar, pasi i ka dhënë kartonin Jonuzit dhe është dashur ndërhyrja e arbitrit të katërt që gabimi të rregullohej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"