Moviola e javës së 27-të në Kategorinë Superiore/ Dinamos dhe Vllaznisë i’u mohuan penallti, VAR-i anulon 3 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2022 | 14:57

Moviola e javës së 27-të në Kategorinë Superiore/ Dinamos dhe Vllaznisë i’u mohuan penallti, VAR-i anulon 3 gola

Kategoria Superiore ka mbyllur fazën e tretë dhe në javën e 27-të nuk munguan rastet për moviolë, ku dy gabime të gjyqtarëve dolën në pah.

vr

Në këtë javë kemi nga një penallti të padhënë për Vllazninë dhe Dinamon, që nëse do të akordoheshin dhe finalizoheshin, mund të kishim ndryshim të kahut të rezultateve. VAR-i me të drejtë anuloi tre gola në këtë javë, ndërsa penalltia e dhënë për Partizanin ishte korrekte.

“Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 27-të në Kategorinë Superiore:

VLLAZNIA – KASTRIOTI 1-2

Gjyqtarë: E. Jorgji, E. Ganxhi, A. Mahmutaj (Elbasan)/ VAR: J. Xhaja (Tiranë), R. Çokaj (Lezhë)

Pas polemikave për gjykimin në ndeshjen e Kupës ndaj Partizanit, FSHF kishte dërguar në Shkodër arbitrin e FIFA-s, Enea Jorgji, për Vllaznia-Kastrioti. Në VAR ishte ndërkombëtari tjetër, Juxhin Xhaja, e po ashtu Ridiger Çokaj. Mirëpo, sërish nuk munguan problemet.

Në minutën e 52- të, kur rezultati ishte 1-0 për Vllazninë, Latifi pengohet në zonë nga Neziri, por Jorgji vazhdoi lojën. Këtu kemi të bëjmë me një penallti të padhënë. Çuditërisht, as VAR-i nuk ndërhyri.

DINAMO – EGNATIA 0-2

Gjyqtarë: K. Meta, E. Doda (Tiranë), E. Burgu (Fushë Krujë)/ VAR: E. Jorgji (Elbasan), M. Qose (Lushnjë)

Dinamos i mungon një penallti në ndeshjen ndaj Egnatias, pikërisht atëherë kur rezultati ishte 0-1 për rrogozhinasit.

12’ Dinamovitët pretendojnë për penallti pas tërheqjes nga fanella të Patrik Bardhit në zonë, por gjyqtari Meta nuk e sheh në kufijtë e një faulli për të dhënë 11-metërsh. Vendim i drejtë. 22’ Xhekson i Egnatias futet në zonë, por rrëzohet pas një kontakti me mbrojtësin Mija. Rrogozhinasit kërkojnë penallti, por gjyqtari Meta lejon lojën të vazhdojë. Vendim i drejtë i kryesorit.

27’ Egnatia shënon me Pedron, teksa për arbitrat gjithçka është OK. Mirëpo, në nisjen e aksionit, rezulton se sulmuesi brazilian ka shkaktuar faull ndaj mbrojtësit të Dinamos, Mija. Gjyqtari Meta, pasi sheh pamjet me VAR, konstaton ndërhyrjen jo të rregullt ndaj Mijës. Kësisoj, me të drejtë anulohet goli i Dinamos.

84’ Rexhinaldo dhe Mihana gjuajnë njëri pas tjetrit drejt portës së Egnatias, por sfera ndalet nga mbrojtësit. Ka pretendime për prekje të sferës me dorë, por gjyqtari dhe VAR nuk ndërhyjnë. Kemi të bëjmë me penallti të mohuar për Dinamon, pasi fillimisht topi preket me dorë nga Krasniqi e më pas sërish ka një dorë të hapur të Ymeralilajt.

PARTIZANI – LAÇI 2-1

Gjyqtarë: K. Cjapi (Fier), D. Rexha (Tiranë), I. Tartaraj (Fier)/ VAR: F. Lata (Durrës), E. Gjoka (Lezhë)

26’ Ignjatoviç shkel Carën në hyrje të zonës. Arbitri nuk e sheh dhe kapiteni i kurbinasve shpëton pa u ndëshkuar. Cara mbetet i dëmtuar. Në të 45-ën mbrojtësi ndal me faull një aksion të shpejtë të Partizanit dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Nëse do të ndëshkohej në rastin e parë, ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe.

45+3’ Roganoviç rrëzohet në zonë në një duel me Belicën, i cili shtrihet në sparkatë. Lojtarët e Laçit kërkojnë penallti, por pasi e kontrollon në VAR, arbitri sinjalizon mbylljen e pjesës së parë. Roganoviç kishte pasuar para pengimit. Vendim i drejtë i Cjapit.

58’ Penallti për Partizanin, Skuka pengohet pastër nga Velkoski. Cjapi nuk ka nevojë për asistencën e VAR-it për të drejtuar dorën nga pika e bardhë. Vendim i drejtë i tij.

66’ Dy lojtarë të Laçit rrëzohen në zonë në zhvillimet e një goditjeje dënimi. VAR-i merr kohë për të shqyrtuar rastin dhe në fund vendos për të vazhduar lojën. Moment i paqartë dhe i interpretueshëm.

75’ Ziko gjuan fort nga jashtë zonës, Hoxha e devijon dhe topi përplaset në shtyllë. Në kthim topin e godet Adeleke, që sërish gjuan në shtyllë dhe më pas është Guindo, që shënon. Në fund anësori me të drejtë e anulon për pozicion jashtë loje të Guindosë.

TEUTA-SKËNDERBEU 0-0

Gjyqtarë: J. Xhaja, Xh. Mani (Tiranë), E. Malo (Lushnjë) / VAR: A. Beqiraj (Tiranë), E. Veseli (Fushë-Krujë)

Teuta-Skënderbeu pati dy raste për moviolë, ku durrsakëve iu anulua goli pas kontrollit gati pesëminutësh nga VAR-i.

38’ Korçarët pretendojnë për penallti. Pamjet nuk ishin të qarta në këtë rast, ndaj mbetet që t’i besohet vendimit të gjyqtarit që ishte pranë aksionit, që vijoi lojën duke zhvlerësuar pretendimet.

90+2’ Jazxhi merr një pasim të bukur nga Daja me kokë dhe me qetësi arrin të mposhtë Rexhepin dhe shënon. Por goli pasi kalon për rreth pesë minuta në filtrin e sistemit VAR, anulohet për pozicion jashtë loje të mbrojtësit të Teutës. Nga përsëritja e pamjeve del se Jazxhi, i cili vinte nga një tërheqje nga zona korçare, ka qenë më i avancuar se mbrojtësit e Skënderbeut. Vendim i drejtë për anulimin e golit, por pesë minuta kohë për të dalë në përfundim nga VAR-i janë shumë.

KUKËSI – TIRANA 0-0

Gjyqtarë: E. Hamiti, R. Çokaj (Lezhë), H. Lisaku (Durrës)

Në përgjithësi ishte një ndeshje e qetë dhe pa probleme.

I vetmi rast për moviolë ishte në minutën e 57-të, gjatë një goditjeje këndi, Tirana pretendon për penallti, teksa Devid de Silva godet me kokë dhe topi përfundon në dorë nga një prej lojtarëve të Kukësit, por loja vijon dhe arbitri kryesor Eldorjan Hamiti nuk ka akorduar 11-metërsh.

Pamjet tregojnë se nuk është penallti.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"