Moviola e javës së 26-të/ Rezultatet në dorë të tyre, arbitrat bëjnë ç’të duan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2018 | 18:04

Moviola e javës së 26-të/ Rezultatet në dorë të tyre, arbitrat bëjnë ç’të duan

Java e 26-të e Kategorisë Superiore ka pasur me bollëk gabime të arbitrave, të cilat në disa raste kanë qenë edhe vendimtare në rezultatet finale të ndeshjeve.

LAÇI – KAMZA 2-0

Gjyqtarë: A.Beqiri, G.Qirici, R.Zajmi

Laci-Kamza

-Në minutën e 17-të, Uzuni në duel me Çukoviç, pasi e driblon, rrëzohet dhe fiton faull. Ka protesta të miqve, pasi faulli ishte inekzistent, por Frashëri e Çukoviç ndëshkohen me të verdhë. Më tej, protestat bëjnë që Frashëri të ndëshkohet me të kuq. -Në minutën e 20-të, Lulaj në pozicion të dukshëm jashtë loje, por anësori vijon lojën. Protestojnë futbollistët e Kamzës, të cilët ndërpresin edhe lojën.

-Në minutën e 42-të, Kuqi ndërhyn ashpër ndaj Rexhinaldos, kalon vetëm me këshillim, ndërsa duhej karton.

-Në minutën e 52-të, Shtubina futet në zonën e Kamzës nga e djathta mes Plakut e Fukuit dhe rrëzohet, por për kryesorin Beqiri nuk ka penallti, edhe pse faulli brenda zonës është flagrant.

-Në minutën e 67-të, aksion i miqve me Malajn që futet bukur në hyrje të zonës, asiston në zonë për Plakun, i cili pëson një ndërhyrje nga pas. Ndërhyrja e Lulajt në këmbët e kapitenit të Kamzës dhe pa e prekur fare topin nuk mjaftojnë që kryesori Beqiri të akordojë 11-metërsh.

SKËNDERBEU – LUFTËTARI 2-1

Gjyqtarë: E.Sino, I.Tartari, O.Grabova

emirjon sino

-Në minutën e 11-të, Aliti duhej të ishte ndëshkuar me karton të verdhë për një tërheqje që ka pasur ndaj Abazajt. Nëse kartoni do të ishte akorduar në minutën e 58-të, Aliti do të ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.

-Në minutën e 24-t, Osmani bën një ndërhyrje të ashpër ndaj Rrocës, por kryesori e fal dhe nuk e ndëshkon me karton të verdhë.

-Në minutën e 44-t Soue rrëzohet në zonë pasi portieri i Luftëtarit i del përpara. Kryesori jep 11-metërsh në favor të Skënderbeut, por në pamjet filmike duket qartë se nuk ka pasur kontakt mes portierit dhe sulmuesit dhe vendimi i kryesorit ka qenë i gabuar.

-Në minutën e 48-të, një krosim i gjatë për Rrocën në zonën korçare ndalet fillimisht nga Mici me dorë dhe kryesori nuk akordon 11- metërsh në favor të Luftëtarit në momentin e parë. Më pas, mbrojtësi i Skënderbeut tenton të gjuajë topin, por godet këmbën e lojtarit kundërshtar duke shkaktuar për herë të dytë penallti, por edhe në këtë rast gjyqtari nuk vazhdon lojën duke gabuar.

KUKËSI – VLLAZNIA 2-0

Gjyqtarë: E. Hamiti, N. Bregasi, P. Simoni

Eldorian Hamiti

– Në minutën e 7-të, Sidrit Guri i jep një goditje me bërryl mbrojtësit të Vllaznisë, Pjeshka. Gjyqtari vazhdon lojën, por nga pamjet shihet se sulmuesi e ka hapur dorën më shumë sesa duhet dhe minimalisht duhet të ishte faull. Mund të shoqërohej edhe me karton të verdhë.

– I drejtë vendimi për të ndëshkuar me karton të verdhë mbrojtësin Mersini, i cili bën një ndërhyrje nga pas, drejt e në këmbët e kundërshtarit.

– Hamiti ndëshkon me karton të verdhë Ribajn dhe Sukajn për protesta, edhe pse nuk kuptohet qartë motivi.

– Tregohet i saktë anësori këtë herë për të ndalur lojën në minutën e 51-të, pasi Pjeshka është më i avancuar në krosimin e Gilman Likës.

– Në minutën e 54-t, loja duhet të ishte ndalur për një faull në dëm të Mersinit, pasi Ymeraj e ngre këmbën deri në kraharorin e kundërshtarit. Në fakt loja vazhdon…

– Pesë minuta më vonë, ekzakësisht në të 60-ën, ka një rast të dyshimtë në zonë. Rrumbullaku dhe Sukaj e prekin topin të dy me dorë brenda zonës, por në fakt duket se sfera ndalet fillimisht në dorën e mbrojtësit të Kukësit dhe më vonë devijohet nga sulmuesi i Vllaznisë.

– Rasti më flagrant në minutën e 64-t. Pas një topi të gjatë nga ana e Tafilit, Xhevahir Sukaj i vjedh kohën Allës dhe pozicionohet mjaft mirë, duke shkuar drejt topit. Nga pamjet shihet që kontakti mes palëve ka ndodhur jashtë zonës, por gjithçka intensifikohet nga mbrojtësi kur Sukaj shkon t’i afrohet topit. Ai i vendos dorën në qafë dhe këtu kemi të bëjmë me 11- metërsh. Ndoshta edhe karton të kuq për mbrojtësin, i cili nuk interesohet fare për topin dhe i heq një mundësi shënimi sulmuesit. Por, Hamiti nuk fërshëllen asgjë. Madje as faull jashtë zone.

– Hamiti ndëshkon me karton të verdhë (i cili ishte i dyti) për të. Vendimi këtë herë është i drejtë, pasi sulmuesi bën gabim që i ndërhyn Frashërit me kokë në momentin që ai e ka topin në dorë.

PARTIZANI – FLAMURTARI 1-0

Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj, H. Lisaku (Durrës)/ pas porte: L. Alla (Lushnjë), F. Xhemalaj

Andi Koci

-Në minutën e tretë, Partizani pretendon për një penallti, ku Asani rrëzohet në zonë pas një kontakti me Mustën. Rast i lehtë për t’u dhënë penallti, ndaj loja vijoi.

-Në minutën e 26-të, Flamurtari ndërmerr një kundërsulm me Hoxhajn, i cili sapo hyn në zonë, bie duke pretenduar për penallti pas kontaktit me Kotobellin. Arbitri Koçi i jep karton të verdhë për simulim sulmuesit vlonjat. Në këtë rast, kontakti nisi jashtë zonës dhe Hoxhaj sapo hyri në zonë u hodh, gjë e cila e penalizoi.

-Në minutën e 63-të, Mala shërben për Çanin, i cili arrin që të finalizojë me sukses, duke shënuar gol. Por goli anulohet, pasi gjyqtari anë- sor, Lisaku, ngre flamurin për pozicion jashtë loje. Goli ishte i rregullt, pasi në momentin e pasimit Çanin e mbante në lojë Pollozhani.

LUSHNJA – TEUTA 2-3

Gjyqtarë: K.Kola, D.Agaraj, A.Shkreta

-Në minutën e 45-të, Papa i del përpara Hilës dhe kërkon të godasë topin me kokë. Hila rrëzohet në pritje për të marrë topin. Gjyqtari Kola jep një penallti shumë të dyshimtë.

-Në minutën e 68-të, Canka ka kërkuar të godasë jashtë zonës. Në kërkim të hapësirës ka tentuar të kalojë Shkallën, por qendërmbrojtësi durrsak e ka kapur topin me dorë. Gjyqtari nuk e ka ndalur lojën.

-Në minutën e dytë të shtesës, Peqini kërkon të zotërojë topin në hyrje të zonës, por duket se e ka të pamundur. Korreshi është disi larg tij, por duket një kontakt i lehtë në këmbën e djathtë të Peqinit. Edhe gjyqtari është larg aksionit, por jep goditje dënimi për Teutën, nga ku vjen dhe goli i tretë. Ka protesta të Korreshit që ishte dhe mbrojtësi i fundit, por për gjyqtarin është faull dhe karton i verdhë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"