Moviola e javës së 26-të/ Penallti bujare në Rrogozhinë, VAR “çorienton” Hamitin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2023 | 21:39

Moviola e javës së 26-të/ Penallti bujare në Rrogozhinë, VAR “çorienton” Hamitin

Java e 26-të e Superiores ishte përgjithësisht pozitive për arbitrat dhe vendimet e tyre nuk ndikuan në rezultatet e ndeshjeve.

Hamiti Erzeni

Megjithatë, polemikat nuk mund të shmangen, edhe pse tashmë funksionon sistemi VAR. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme, nga ku në Durrës dhe Rrogozhinë pati më tepër kontestime për vendimet.

BYLISI-TIRANA 1-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë); VAR: K.Barjamaj (Tiranë) – AVAR: E.Rusta (Elbasan);

Ndeshja në Ballsh ka pasur tri raste për moviolë. Gjyqtari kryesor ka qenë Enea Jorgji, i cili është kontestuar jo pak nga vendësit, të cilët pretendojnë se ka kursyer kartonë për lojtarët e Tiranës.

8’ Sulm nga e djathta i Bylisit me brazilianin Santos, që tenton të krosojë drejt zonës, por Lulaj largon topin. Pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i Tiranës.

Jo vetëm anësori Rexha, që është në linjë, por as Jorgji dhe as VAR-i nuk reagojnë. Bylisi kërkon penallti, por arbitri Jorgji vijon lojën, duke interpretuar rastin si prekje të pavullnetshme të lojtarit, pasi më parë “sfera” i ka kapur këmbën, e më pas dorën.

48’ Hasani jep një top perfekt për Lushkjën, i cili hyn në zonë dhe gjuan duke gjetur rrjetën. Por, pas vëzhgimit të pamjeve me VAR, goli anulohet për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë i anësorit Rexha, i cili pas përfundimit të aksionit, ngriti flamurin.

87’ Faull ndaj Maçollit në afërsi të zonës, që shtyhet nga një prej lojtarëve të Tiranës. Ballshiotët protestojnë, por Jorgji vijon lojën dhe nuk akordon faull, edhe pse lojtari i Bylisit dëmtohet rëndë.

PARTIZANI-KASTRIOTI 4-1

Gjyqtarë: A.Koçi (Durrës), O.Grabova (Fier), R.Muzhaqi (Elbasan); VAR: F.Lata (Durrës) – AVAR: R.Avdo (Tiranë);

Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Partizani” pati vetëm dy raste për moviolë, por arbitrat i zgjidhën mirë, teksa kryesori Andi Koçi dhe Florian Lata e Rejdi Avdo në VAR, morën vendime të drejta.

68’ Cara rrëzohet në duel me Zogajn, e më pas përplaset me Salin. Të kuqtë kërkojnë penallti, por gjyqtari akordon faull ndaj portierit. Pamjet tregojnë për një duel normal, që në këtë rast favorizon Salin.

79’ Mba fiton duelin me Ramin dhe niset në sprint, duke shënuar golin e katërt. Kastrioti kërkon anulimin e golit dhe pretendon për faull të sulmuesit ndaj mbrojtësit, por vendimi i kryesorit Koçi është i drejtë.

Rami ka kërkuar të ndalojë Mbanë, por sulmuesi nuk e ka lejuar duke mbrojtur topin dhe s’kemi të bëjmë me faull.

LAÇI-VLLAZNIA 2-0

Gjyqtarë: A.Beqiraj, A.Shkreta (Tiranë), E.Veseli (Fushë-Krujë); VAR: O.Yzeiraj (Patos) – AVAR: D.Myftari (Tiranë);

Ndeshja në Laç i ishte besuar arbitrit të kolegjiumit të Tiranës, Ardian Beqiraj, ndërsa në VAR ishin Olsion Yzeiraj dhe Dojando Myftari. Takimi pati vetmi një rast për moviolë, që u menaxhua mirë nga arbitrat, teksa solli edhe golin e dytë të kurbinasve.

42’ Shkodranët pretendojnë për një prekje të topit me dorë në nisjen e aksionit të golit të Laçit. Pas verifikimit edhe nga VAR-i, konfirmohet se goli ishte i rregullt dhe Babatunde nuk e ka devijuar me dorë topin që u krosua nga Gurishta në krahun e djathtë drejt zonës. Vendim i drejtë i kryesorit Beqiri, që vijoji lojën.

EGNATIA-TEUTA 1-1

Gjyqtarë: O.Ferataj, I.Tartari (Fier), N.Rrapaj (Patos); VAR: K.Meta – AVAR: N.Bregasi (Tiranë);

Në Rrogozhinë arbitri Olsid Ferataj akordoi një penallti shumë bujare në favor të Teutës në fundin e lojës, që nuk u kthye në gol, teksa portieri i Egnatias, Puja, priti goditjen e Kallakut.

92’ Gruda nga e djathta futet në zonë dhe Lila i ndërhyn për të hequr topin, por në momentin që sulmuesi i Teutës devijon “sferën” për ta dribluar, rrëzohet. Pamjet filmike tregojnë se lojtari rrogozhinas nuk e prek sulmuesin e Teutës, por qëndron statik në momentin kur ai largon topin.

Gjithsesi, gjyqtari nuk konsultohet me VAR-in, por vendos për penallti, duke qenë edhe afër aksionit. Një vendim shumë i diskutueshëm, që lë vend për interpretim. Një rast që më së shumti nuk jepet 11-metërsh, por Ferataj ishte i bindur.

ERZENI-KUKËSI 1-1

Gjyqtarë: E.Hamiti, E.Gjoka (Lezhë), G.Cenolli (Tiranë); VAR: K.Cjapi – AVAR: I.Tartaraj (Fier);

Sistemi VAR shpëtoi Eldorian Hamitin në Durrës, teksa akordoi një penallti për Kukësin, por në një tjetër të pretenduar nga verilindorët, vendosi të vijonte lojën. Erzeni kontestoi jo pak kryesorin me stemën e FIFA-s, për shkak edhe të ndeshjeve të kaluara.

67’ Pas një kundërsulmi të Kukësit, topi shkon në krahun e djathtë në zemër të zonës dhe aty në përpjekje për të goditur, Basha rrëzohet dhe shpërdoron një rast të artë. Hamiti vijon lojën, por sinjalizohet nga VAR-i për të shqyrtuar rastin.

Këtë herë kamerat ia bëjnë të vështirë kryesorit dhe VAR-it për të marrë vendim, pasi nuk ka një pamje të qartë të kontaktit mes Peposhit dhe Bashës. Por, prej dinamikës së aksionit, kroati pengohet nga kapiteni i Erzenit dhe pas 6 minutash konsultim dhe shikim të pamjeve, Hamiti vendos për penallti. Si për ironi të situatës, 11-metërshi shpërdorohet nga Gjelbrim Taipi.

75’ Kukësi pretendon sërish për penallti. Nga krosimi në të majtë i Xhonson Ovusu për në zonë dhe topi devijohet nga këmba e Rashitit, ndërsa më pas prej dorën e Peposhit, që ndodhej vetëm 1 metër larg kundërshtarit. Hamiti vijon lojën, teksa vendimi i jep të drejtë kryesorit, pasi kemi të bëjmë me një dorë në pozicion natyral.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"