Moviola e javës së 22-të/ Arbitrat kalojnë “klasën”, por goli i Tiranës duhej anuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 21:39

Moviola e javës së 22-të/ Arbitrat kalojnë “klasën”, por goli i Tiranës duhej anuluar

Arbitrat evitojnë gafat trashanike dhe Kategoria Superiore rikthehet në normalitet, duke lënë pas polemikat për gjykimin. Java e 22-të riktheu si kryesorë Enea Jorgjin dhe Juxhin Xhajën, që mbajnë stemën e FIFA-s, ndërsa kryendeshjen mes Tiranës dhe Skënderbeut e gjykoi Kridens Meta. skenderbeu-tirana

Në Durrës dhe Gjirokastër FSHF i kishte besuar Olsid Feratajt dhe Blerim Zirit, me të parin që në javën e 20-të kishte gabuar në LaçiSkënderbeu, duke mos akorduar një penallti për korçarët. Në përgjithësi gjykimi ka qenë korrekt, edhe pse në kryeqytet, goli i Tiranës ndaj Skënderbeut duhej anuluar. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë.

TIRANA-SKËNDERBEU 1-1

Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë);

4’ Ngo kërkon penallti për një shtyrje të Meksit dhe Pollozhanit në zonë, gjyqtari vazhdon lojën. Pamjet tregojnë se ekziston një shtyrje, por nuk është në ekstremet e një 11-metërshi që jepet. 38’ Goli i Kalesë anulohet nga Meta për prekje të topit me dorë të Ngosë. Ishte Kale që mori një top nga e majta, pasoi tek anglezi, ky ia ktheu brazilianit, që menjëherë futet në zonë, godet dhe shënon, por gjyqtari e kishte ndalur lojën. Në fakt, pamjet filmike tregojnë se ka qenë Pëllumbi që preku fillimisht topin me dorë, ndërsa anglezi e goditi me kofshë. Goli duhet të ishte i rregullt, por arbitri vërshëlleu pa shkuar ende topi në rrjetë. Rast i dyshimtë.

80’ Kale rrëzohet rreth 20 metra larg portës pas duelit me Meksin. Gjyqtari Meta vërshëllen për faull. Kale nis topin menjëherë, duke pasuar te Ngoja, ky i fundit ia kthen brazilianit, që godet dhe barazon rezultatin. Protesta të forta prej korçarëve që nuk pranojnë vendimin e gjyqtarit, sepse sipas tyre topi ishte në lëvizje. Pamjet filmike tregojnë se topi është marrë nga Kale, i cili e ka spostuar afro dy metra më pas nga vendi i faullit, e më pas e ka goditur në lëvizje, pavarësisht gjestit me duar duke ulur “sferën”. Në këto kushte, gjyqtari Meta duhej të kishte anuluar golin dhe goditja e dënimit të ekzekutohej në vendin ku u bë faulli.

85’ Bregu futet në zonën e Tiranës, por nuk ia del të godasë pas ndërhyrjes së gabuar të Vangjelit dhe sparkatës së Dokës. Arbitri Meta ndal lojën dhe jep faull në favor të Tiranës për prekje të topit me dorë nga Bregu. Një rast shumë i dyshimtë për 11- metërsh.

LAÇI-PARTIZANI 1-3

Gjyqtarë: J.Xhaja, E.Doda (Tiranë), F.Lamaj (Durrës);

Laçi-Partizani u gjykua nga Juxhin Xhaja, i cili nuk arbitronte prej shtatë javësh, që prej ndeshjes KukësiTeuta 4-0. Në përgjithësi gjykimi ishte korrekt, por nuk munguan edhe rastet për moviolë.

13’ Partizanit i anulohet me të drejtë një gol. Telushi nga mesfusha vertikalizon një top të gjatë në të majtë të sulmit për Çinarin, i cili pasi e kontrollon, shërben për Bardhin. Sulmuesi në dyluftim me Gjonin te shtylla e dytë rrëzohet në fushë dhe topi i bie në dorë dhe më pas shkon te Melo që shënon gol. Gjyqtari e anulon golin e brazilianit për prekjen e topit me dorë nga Bardhi.partizani

45+1’ Anësori Lamaj akordon pozicion jashtë loje kundër Solomon, por përsëritja televizive tregoi se sulmuesi i kuq ka qenë në pozicion të rregullt.

76’ Sërish anësori Lamaj sinjalizon për pozicion jashtë loje të Rapos. Rast i dyshimtë, pasi pamja televizive nuk ishte shumë e qartë.

BYLIS-KUKËSI 1-1

Gjyqtarë: E.Jorgji (kryesor), D.Myftari dhe E.Ganxhi (anësorë), K.Bajramaj dhe K.Kola (pas portave), D.Agaraj (i katërt);

69’ Hadroj në të majtë pason për Guindonë, i cili brenda në zonë pasi kalon sferën ndaj Xhikës, hidhet dhe simulon dukshëm sapo i afrohet portieri i Kukësit. Rast për ndëshkim, por kryesori Jorgji nuk i jep karton sulmuesit të Bylisit.

76’ Guindo shtyhet nga Obanor, por nuk akordohet faull në afërsi të zonës. Duke pasur karton, mbrojtësi rrezikon të ndëshkohet me të kuq.

TEUTA-VLLAZNIA 3-1

Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), R.Avdo, M.Shazivari (Tiranë);

Teuta-Vllaznia nuk pati një menaxhim të mirë nga Olsid Ferataj, i cili kurseu disa të verdhë për lojë të ashpër.

10’ Adili në dyluftim, godet me bërryl L.Vilën. Mungon kartoni i verdhë.

24’ Ka pretendime për pozicion jashtë loje te goli i Hoxhës, por anësori Avdo vepron drejt, duke vijuar lojën. Malota shkon dhe kërkon që të shihen pamjet me celular njësoj si në Ballsh dhe aty debaton me delegatin. Për këtë motiv i tregohet me të drejtë i verdhi.bandicam 2020-02-16 17-17-48-872

30’ Hygor, i rrethuar nga 3 lojtarë pak metra jashtë zone, rrëzohet pasi i shkaktohet faull. Kryesori vijon lojën, por gabon.

45+1’ Hoxha godet me bërryl Zhuniorin, ndërsa më parë Todorovski kishte ndërhyrë ashpër ndaj Hristovit. Në këtë rast, veç goditjes së dënimit, mund të jepej edhe karton i kuq për mbrojtësin durrsak.

68’ Adili përdor sërish bërrylin, këtë herë për F.Beqjen. Nuk falet në këtë rast dhe merr të verdhin.

71’ F.Beqja shkel Ramadanin, por Ferataj nuk sheh asgjë.

LUFTËTARI-FLAMURTARI 0-1

Gjyqtarë: B.Ziri, E.Veseli, E.Burgu (Fushë-Krujë);

Ndeshja në Gjirokastër u gjykua nga një treshe nga Fushë-Kruja me kryesor Blerim Zirin. Penalltia e akorduar për vlonjatët ishte e saktë, ndërsa gafa bëri në pjesën e dytë anësori Erind Veseli, në dy pozicione që nuk ishin jashtë loje, por ai ngriti flamurin.

7’ Pas një topi të gjatë në zonë, Ribaj kontrollon “sferën” dhe e dërgon në rrjetë. Goli anulohet për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë i anësorit Veseli, pasi sulmuesi ishte më i avancuar se mbrojtësit në momentin që “sfera” u krosua nga Ardit Hoxhaj.

35’ Karlos Ramos futet në zonë në krahun e djathtë, por teksa driblon Joan Çelën, ky i fundit i ndërhyn në mënyrë të parregullt. Ziri akordon 11- metërsh për Flamurtarin, duke marrë një vendim të drejtë.rIBAJ

54’ Açka nxjerr të lirë Mehmetllarin, në një pozicion të mirë shënimi në afërsi të zonës, por anësori Veseli ngre flamurin. Këtu gabon, pasi Mehmetllari mbahej në lojë nga mbrojtësit Nebihu dhe Qarri.

67’ Dushkaj jep një asist për Joan Çelën, që del i lirë në hyrje të zonës në një pozicion të mirë shënimi, por anësori Veseli ngre flamurin. Sërish gabon, pasi pamjet filmike tregojnë se Çela mbahej në lojë nga mbrojtësit vlonjatë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"