Moviola e javës së 18-të, arbitrat përsëri “ngelin në klasë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2016 | 10:27

Moviola e javës së 18-të, arbitrat përsëri “ngelin në klasë”

Kategoria Superiore ka mbyllën fazën e dytë të saj me ndeshjet e luajtura të enjten. Por, edhe pse gjatë javëve të fundit është folur shumë në lidhje me gabimet e arbitrave, këta të fundit kanë qenë protagonistë edhe në këto takime të fundit për këtë vit kalendarik.

Klajdi Kola Luftetari-Kukesi

Në ndeshjen mes Luftëtarit dhe Kukësit, kryesori Klajdi Kola, i cili prej tri vitesh gjykon në Superiore, ka gabuar duke dhënë një penallti në favor të Kukësit në një moment që ndeshja ishte 1-0 për Luftëtarin. Imami i Kukësit është rrëzuar nga Abazaj dhe, në pamjet filmike, duket qartë se ndërhyrja e këtij të fundit ka qenë e saktë dhe lojtari i verilindorëve është rrëzuar pasi ka kaluar vijën fatale. Megjithatë, Kola ka rihapur takimin duke dhënë një penallti për skuadrën e Gjokës. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2.

Ndërkohë, në ndeshjen e luajtur mes Laçit dhe Teutës, kryesori i FIFA-s, Enea Jorgji, ka dhënë dy 11-metërsha që nuk kanë ekzistuar. I pari është në minutën e 22-të, kur Tarik i durrsakëve ka qenë brenda zonës së Laçit dhe ndaj tij ka pasur një ndërhyrje të gabuar. Por, në pamjet filmike duket qartë që ndërhyrja ndaj Tarik është bërë pasi ka gjuajtur topin dhe maksimumi mund të ishte dhënë një goditje dënimi për Teutën. Kurse, gjashtë minuta më vonë, Akuinjo rrëzohet në zonën e durrsakëve dhe kryesori jep një tjetër penallti, këtë herë për kurbinasit. Por, në pamjet filmike tregohet se kontakti që lojtari i Laçit ka pasur me kundërshtarin ka qenë shumë i lehtë dhe nuk duhej të ishte dhënë penallti. Jorgji ka marrë vendim të gabuar.

Të tjerat

Ndërkohë që në ndeshjen tjetër mes Tiranës dhe Vllaznisë ka pasur dy pretendime për 11-metërsha për secilin ekip, por asnjë prej tyre nuk ka qenë penallti dhe vendimet e kryesorit të takimit dhe ndihmësve të tij ishin të sakta. Në dy sfidat e tjera, atë mes Skënderbeut dhe Partizanit, si dhe në përballjen Korabi-Flamurtari, rastet e diskutueshme kanë qenë të pakta dhe vendimet e arbitrave të saktë.

Meta-Barushi-Cokaj

Moviola e javës së 18-të

SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-2
Gjyqtarë: K.Meta, E.Barushi, R.Çokaj / Pas porte: E.Hamiti, J.Xhaja
Supersfida e javës së fundit të fazës së dytë është drejtuar në mënyrën më të mirë të mundshme nga kryesori Kridens Meta dhe ndihmësit e tij. Ndeshje e qetë dhe pa shumë raste të diskutueshme dhe aty ku janë dashur vendimet e arbitrave, ato kanë qenë të drejta.

LUFTËTARI – KUKËSI 2-2
Gjyqtarë: K.Kola, I.Tartari, A.Shkreta
Në minutën e 34-t të takimit është regjistruar edhe rasti i vetëm i diskutueshëm i takimit, pasi është fituar një 11-metërsh në favor të skuadrës së Kukësit. Abazaj, në duel me Imamin e Kukësit, i ndërhyn dhe ky i fundit, pasi kalon vijën e zonës, rrëzohet dhe kryesori akordon 11-metërsh. Në pamjet filmike duket qartë se ndë- rhyrja e lojtarit të Luftëtarit ka qenë e saktë dhe arbitri ka gabuar në vendimin e tij, duke ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes, pasi në ato momente vendësit ishin në avantazh në shifrat 1-0.

Luftetari-Kukesi gjyqtaret-kapitenet

VLLAZNIA-TIRANA 0-0
Gjyqtarë: A.Beqiri, E.Doda, D.Myftari
Ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës ka prodhuar edhe raste për moviolë. Në harkun e 9 minutave, të dyja skuadrat kanë pretenduar nga një penallti. Në të 26-ën, Teqja fiton dyluftimin me Krymin, por para se të ndërhyjë Lika për të kontrolluar topin, mesfushori i Vllaznisë shtyn mbrojtësin mik. Kryesori jep faull për Tiranën, edhe pse vendësit prisnin 11-metërsh. Në pamjet filmike shihet se vendimi i kryesorit ka qenë i drejtë. Në të 35-ën, Afrim Taku përpiqet të futet në zonë mes disa mbrojtësve kuqeblu, por pengohet nga Pjeshka. Kërkohet penallti, mirëpo nuk është i këtij mendimi gjyqtari Beqiri, i cili bën shenjë që loja duhet të vazhdojë. Por, edhe në këtë rast vendimi i arbitrit kryesor dhe ndihmësve të tij ishte i saktë, pasi nuk kemi pasur të bëjmë me penallti. Ndërkohë që, është gabuar në minutën e 80-të, kur gjyqtari anësor ka akorduar një pozicion jashtë loje që nuk ekzistonte të Merveil, duke i hequr një mundësi të pastër për shënim.

Beqiri-Doda-Myftari

LAÇI-TEUTA 0-2
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Gançi, A.Mahmuti
Në ndeshjen e luajtur në Laç ka pasur dy momente mjaft të diskutueshme, në të cilat arbitri kryesori Enea Jorgji, i cili ka edhe stemën e FIFA-s, ka gabuar. I pari është në minutën e 22-të, kur Tarik i durrsakëve ka qenë brenda zonës së Laçit dhe ndaj tij ka pasur një ndërhyrje të gabuar. Por, në pamjet filmike duket qartë që ndërhyrja ndaj Tarik është bërë pasi ka gjuajtur topin dhe kryesori Jorgji duhej të kishte akorduar goditje dënimi brenda zonës dhe jo 11-metërsh. Pas këtij momenti, edhe pse nga lojtarët e Laçit ka protesta të ashpra, ai çuditërisht nuk akordon asnjë karton të verdhë. Ndërsa momenti i dytë është një 11-metërsh, këtë herë në favor të skuadrës së Laçit. Akuinjo rrëzohet në zonën durrsake pas një kontakti të lehtë me një nga kundërshtarët. Në pamjet filmike duket qartë se nuk kemi të bëjmë me penallti dhe Jorgji ka gabuar.

KORABI-FLAMURTARI 1-0
Gjyqtarë: O.Sokoli, D.Rexha, D.Korreshi
Në stadiumin e Peqinit është luajtur një ndeshje e qetë dhe raste të diskutueshme ka pasur shumë pak, çka ka bërë që kryesori Olsi Sokoli dhe ndihmësit e tij të mos jenë të detyruar që të marrin vendime të dyshimta. Korabi ka arritur të shënojë një gol, që i ka dhënë edhe trepikëshin pas një gabimi që ka bërë portieri i vlonjatëve, Stivi Frashëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"