MOVIOLA E JAVES / Ndizet Superiorja, gjyqtarët gabojnë në tri ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 21:28


MOVIOLA E JAVES / Ndizet Superiorja, gjyqtarët gabojnë në tri ndeshje

Kategoria Superiore u është kthyer kontestimeve për gjykimin, ndonëse është aplikuar sistemi VAR, ku mosfunksionimi i teknologjisë në Korçë ndikoi në mbarëvajtjen e takimit-Skënderbeu-Dinamo. Te Kukësi-Vllaznia dhe Kastrioti-Laçi nuk ka pasur probleme. Derbi dhe dy sfidat e tjera kanë prodhuar polemika, madje edhe shpallje arbitrash “non grata”. Gabimet e gjyqtarëve kanë qenë evidente. Në derbi pesha e fajit ndaj Hamitit bie te mosadministrimi i ndëshkimeve maksimale. Në Korçë goli i Dinamos duhej anuluar, por bluve u mungon një penallti. Egnatia është frenuar nga flamuri i anësorit Llukmani. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e pestë:

zhunior filipovic mutrataj

TIRANA–PARTIZANI 1-0
Gjyqtarë: E. Hamiti, R.Çokaj (Lezhë), D.Myftari (Tiranë) / VAR: K.Meta M. Shazivari (Tiranë)
Eldorian Hamiti u mundua të menaxhonte mirë derbin, por në disa momente situata i doli nga kontrolli, duke mos mbajtur të njëjtin standard për kartonët. Penalltia e dhënë për Tiranën ishte e saktë pas ndërhyrjes së VAR-it.
14’ Zhunior driblon Najdovskin dhe pengohet në afërsi të zonës, por Hamiti nuk e jep faull. Braziliani proteston dhe pamjet filmike i japin të drejtë. Duhet të ishte dhënë goditje dënimi për Partizanin.
33’ Musta del huq në zonën e Tiranës, ndërsa Najdovski largon topin. Akordohet faull për bardheblutë nga Hamiti, pa pasur asnjë kontakt mes lojtarëve. E habitshme!
45’ Sembene dhe Najdovski kapen pa top. Fillimisht senegalezi i Partizanit zgjat dorën, ndërsa më pas maqedonasi reagon ashpër, duke e goditur në pjesën e fytyrës. VAR sinjalizon arbitrin Hamiti, por edhe pse ky i fundit qëndron tri minuta për të parë rastin, rinis lojën pa ndëshkuar asnjë nga lojtarët protagonistë me kartonin e kuq. Najdovski e meritonte për gjest antisportiv. Në këtë moment, Zhunior proteston dhe e pëson, duke marrë të verdhë.
45+6’ Ardit Toli rrëzohet në hyrje të zonës pas duelit me Belicën, por Hamiti vazhdon lojën. Më pas VAR sinjalizon kryesorin dhe ky i fundit, pasi shikon pamjet filmike, akordon penallti. Vendim i drejtë, pasi kontakti ekziston, edhe pse topin nuk e ka prekur asnjë lojtar. Penalltia e goditur nga Limaj mund të ishte përsëritur, pasi portieri Alban Hoxha ka dalë rreth dy metra nga porta.
63’ Sembene i ndërhyn me të dyja këmbët Tolit në fundore. Arbitri Hamiti dhe anësori Çokaj kalojnë rastin. Mbrojtësi i Partizanit duhet të ndëshkohej minimalisht me karton të verdhë.
76’ Bërryl i Gligorovit në duel ajror me Seferin, mungon një karton i verdhë për mbrojtësin e Partizanit.
90+1’ Zhunior ndërhyn rëndë ndaj Hotit në mesfushë, Hamiti i fal kartonin e dytë të verdhë.
90+3’ Toli i bën dy ndërhyrje të njëpasnjëshme Carës, por Hamiti e fal mesfushorin e Tiranës, duke mos i dhënë karton.
90+6’ Najdovski bën një faull taktik ndaj Rrapajt në mesfushë dhe merr të verdhin e dytë, duke dalë automatikisht me të kuq. Vendim i drejtë.

SKËNDERBEU-DINAMO 0- 1
Gjyqtarë: A.Koçi (Durrës), A. Mahmuti (Elbasan), H.Lisaku (Durrës) / VAR: K.Barjamaj, N.Bregasi (Tiranë) (VAR nuk funksionoi për këtë duel)
66’ Skuka rrëzohet në zonë pas driblimit të Sadriut. Arbitri Koçi vijon lojën, ndërsa pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një rast shumë të dyshimtë ku qëndronin të dyja opsionet, pretendimi për 11- metërsh, por edhe ndëshkimi i Skukës për simulim.
69’ Në aksionin e golit pati kombinime fantastike të Skukës me Haxhiun dhe ky i fundit shërbeu brenda zone për Çinedunë, që goditi tokazi dhe shënoi. Ka dyshime te nisja e këtij aksioni që solli golin sepse Skuka në duel me Zguron ka prekur topin me dorë, por arbitri dhe anësori kanë vijuar aksionin.
82’ Moment i dyshimtë në zonën e Skënderbeut, Ibraimi sheh një harkim të tijin nga e djathta të devijohet me dorë nga Dumfur. Gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë me këndore, ashtu si edhe asistenti, pavarësisht protestave të sulmuesit të Dinamos. Gabim i gjyqtarëve.

EGNATIA-TEUTA 0-1
Gjyqtarë: E.Bastari, A.Koçiaj (Tiranë), M.Llukmani (Vlorë)/ VAR: K.Cjapi (Fier), D.Rexha (Tiranë)
Egnatia-Teuta iu besua një tresheje gjyqtarësh me pak eksperiencë në Superiore, ku kryesor ishte Erjon Bastari nga kryeqyteti dhe ndihmës të tij ishin Koçiaj dhe Llukmani. Rastet për moviolë nuk munguan në këtë takim, ku vendimet e marra në rastet e penalltive ishin të sakta. Anësori Llukmani gaboi me dhënien e dy pozicioneve jashtë loje duke ndalur aksione premtues për Egnatian.
39’ Plaku pengohet në zonë nga një mbrojtës rrogozhinas. Te Teuta pretendojnë për penallti, por gjyqtari Bastari e quan ndërhyrje të rregullt. Edhe VAR-i konfirmoi vendimin e gjyqtarit.
68’ Iseni pason tek Imeri, që nga një aksion premtues shënimi ndalet nga anësori Llukmani për pozicion jashtë loje. Pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me pozicion të rregullt të Imerit. Gabon anësori.
78’ Gruda merr një top nga mesfusha dhe brenda zonës pengohet nga Krivanjeva. Gjyqtari akordon penallti. Rasti kontrollohet edhe nga gjyqtarët e VAR-it duke e lënë në fuqi 11-metërshin. Vendim i drejtë nga gjyqtarët e ndeshjes.
86’ Anësori Maringlen Llukmani ka nxituar sërish në ngritjen e flamurit, pasi nga pamjet filmike duket që Xhekson Kaina i Egnatias ka qenë në pozicion të rregullt. Gabimi i dytë i anësorit në këtë takim ndaj rrogozhinasve duke ndalur aksione premtuese.

KUKËSI-VLLAZNIA 2-0
Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier) / VAR: E.Jorgji, A.Koçiaj (Tiranë)
Ndeshje korrekte dhe pa raste për moviolë.

KASTRIOTI – LAÇI 0-1
GJYQTARË: J.Xhaja, A.Shkreta, Xh.Mani (Tiranë) / VAR: F. Lata (Durrës), R.Çokaj (Lezhë)
Ndeshje korrekte dhe pa raste për moviolë.

PANORAMASPORT.AL