Moviola e javës / Fillon kampionati, arbitrat nuk i shpëtojnë gabimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 15:42

Moviola e javës / Fillon kampionati, arbitrat nuk i shpëtojnë gabimeve

Kategoria Superiore ka luajtur të shtunën dhe të dielën javën e parë të saj, duke ngritur siparin e kampionatit të 79-të kombëtar në vendin tonë. Përgjatë kësaj jave nuk kanë shpëtuar edhe gabimet arbitrare në një prej takimeve.

SKËNDERBEU – FLAMURTARI 2-0
Gjyqtarë: A.Beqiri, E.Doda, R.Avdo/ pas porte: R.Sadiku, O.Sokoli

skenderbeu flamurtari shehi bushic ardian beqiri

Kryendeshja e javës së parë të kampionatit, mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, i është besuar një pesëshe gjyqtarësh me kryesor, Ardian Beqirin, ndërkohë që ka pasur edhe arbitra pas portave. I vetmi rast i diskutueshëm gjatë takimit ka qenë ai i minutës së parë, kur korçarët fituan një 11-metërsh.

Portieri mik Nurkoviç ka rrëzuar Souen në zonë, pasi ky i fundit kishte zotëruar topin. Në pamjet filmike duket qartë se ka pasur kontakt mes portierit dhe sulmuesit dhe vendimi i Beqirit, i sinjalizuar edhe nga asistenti pas porte, ka qenë i saktë.

KUKËSI – KAMZA 1-0
Gjyqtarë: K.Meta, D.Rexha, N.Bregasi

kukesi kamza plaku hallaci kridens meta

Takimi i luajtur mes kampionëve në fuqi të Kukësit dhe Kamzës të rikthyer në Superiore i ishte besuar nga sektori i gjykimit kryesorit Kridens Meta, i cili ka marr vendime të drejta. Dy kanë qenë episodet e diskutueshme gjatë kësaj ndeshjeje. I pari ishte në minutën e 63-të, kur Alijev futet bukur në zonën kundërshtare dhe i vjedh kohën Nezirit, i cili e pengon.

Kryesori Meta akordon penallti në favor të Kukësit dhe nga pamjet filmike konfirmohet se vendimi i kryesorit ka qenë i saktë. Ndërsa momenti i dytë ishte ndërhyrja e ashpër e Shametit ndaj një prej lojtarëve kundërshtarë. Gjyqtari e ka falur mbrojtësin, ndërkohë që duhet ta kishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë.

TEUTA – LUFTËTARI 2-1
Gjyqtarë: E.Hamiti, R.Çokaj, P.Simoni

I rikthyer pas pezullimit të fund të sezonit të shkuar, kryesori nga Lezha, Hamiti ka drejtuar takimin mes Teutës dhe Luftëtarit. Por në dy raste të diskutueshme kryesori ka gabuar. Në minutën e 34-t të ndeshjes, Nunjez i Luftëtarit në duel me mbrojtësi Hrkaç, rrëzohet nga ky i fundit dhe pretendon faull. Teksa pritje goditje dënimi në favor të Luftëtarit, Hamiti i habit të gjithë, duke ndëshkuar Nunjez për simulim dhe kësisoji e nxjerr me të kuq, pas të verdhit të dytë.

Në pamjet filmike duket qartë se arbitri ka gabuar. Ndërkohë, pas një penalltie të drejtë për Teutën në minutën e 47-të, Hamiti heziton të akordojë një tjetër në të 60-ën, kur sulmuesi Osemene u rrëzua brenda zonës pas ndërhyrjes së Zeqajt. Pamjet filmike tregojnë edhe në këtë rast duhej akorduar 11-metërsh për Teutën.

PARTIZANI – LAÇI 0-2
Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, O.Grabova

partizani laci laver alla

I vetmi rast i diskutueshëm ka qenë një rrëzim i Trashit në zonën kurbinase në minutën e 60-të. Por, kryesori Alla ka lejuar vazhdimin e lojës dhe në bazë të pamjeve filmike vendimi i tij ka qenë i saktë.

LUSHNJA – VLLAZNIA 0-2
Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Ganxhi, A.Mahmutaj

lushnja vllaznia jorgji

Ndeshja e drejtuar nga arbitri që mban stemën e FIFA-s ishte e qetë sa u takon rasteve të diskutueshme. Edhe pse klubi lushnjar kishte rezerva për një rast 11-metërshi, pas një rrëzimi të Shkulakut në minutën e 56-të në zonën kuqeblu, në pamjet filmike duket qartë se vendimi i arbitrit për të vazhduar lojën është i saktë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"