Moviola e javës/ Arbitrat prekin fundin, “çmenduri” ndaj Flamurtarit. Alla u mohon 2 penallti Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2018 | 20:56

Moviola e javës/ Arbitrat prekin fundin, “çmenduri” ndaj Flamurtarit. Alla u mohon 2 penallti Kukësit

Me kalimin e javëve dhe afrimit të fundit të sezonit, gabimet arbitrare dhe ankesat e klubeve për këtë temë po kthehen në diçka të zakonshme. Në javën e 24-t të Superiores, Flamurtari dhe Kukësi kanë qenë dy ekipet më të penalizuara nga gjykimi.

flamurtari laci

LAÇI – FLAMURTARI 4-2

Gjyqtarë: K. Meta, E. Doda, D. Myftari

9′ Alvesh kroson në zonë, Sefgjinaj i shkul bluzën Kamarasë, por arbitri nuk e sheh. Një rast shumë i dyshimtë që nëse do të akordohej penallti, do të ishte vendim i rregullt i kryesorit.

13′ Eskerda devijon topin që shkon te Rexhinaldo, i cili kujtohet në pozicion jashtë loje. Arbitri vijon lojën dhe sulmuesi shënon. Goli duhej anuluar, pasi Rexhinaldo ishte të paktën dy metra më i avancuar se lojtari i fundit i Flamurtarit, Sidibe.

27′ Qaqi mban nga bluza Alvesh në mënyrë demonstrative, por Meta nuk i jep as karton të verdhë.

23′ Rexhinaldo rrëzohet në zonë pas duelit me Pollozhanin. Një simulim i pastër, me pamjet filmike që flasin qartë. Mirëpo, gjyqtari Meta i habit të gjithë, duke akorduar penallti në favor të Laçit. Gabim i kryesorit.

39′ Fangaj ndërhyn rëndë në afërsi të zonës ndaj Alvesh, në një aksion premtues, por Meta e fal, duke mos e ndëshkuar me karton.

70′ Kamara futet në zonë dhe në përpjekje për të goditur, është Fangaj që e kap nga fanella. Meta heziton të akordojë 11-metërsh, duke gabuar. Kemi të bëjmë me penallti të munguar për Flamurtarin.

kale kukesi teuta

KUKËSI – TEUTA 3-2

Gjyqtarë: L. Alla, D. Korreshi, M. Qose

– Rasti i parë i diskutueshëm në këtë ndeshje ka qenë ai i minutës së 36-të të takimit. Në një krosim nga një goditje dënimi në zonën e Teutës, Guri mundohet të gjuajë me kokë, por e ka të vështirë me Gjeorgjevskin, që e mban me të dyja duart në mes, duke e tërhequr dhe ulur drejt tokës. Në pamjet filmike duket qartë se kemi të bëjmë me një 11-metërsh në favor të skuadrës së Kukësit, që i është mohuar nga arbitri kryesor.

– Momenti i dytë i takon minutës së 49-të, kur fillimisht ka një goditje dënimi në favor të skuadrës së Kukësit jashtë zonës durrsake, por kryesori i takimit lejon vazhdimin e lojës. Guri arrin të kontrollojë topin dhe brenda zonës, në momentin e fundit që tenton të gjuajë, pengohet nga Shkalla. Në pamjet filmike duket qartë se kemi të bëjmë me një 11-metërsh, pasi mbrojtësi i Teutës në tentativë për të larguar topin, nuk e prek fare atë dhe gjen këmbën e sulmuesit të verilindorëve. Por, në këtë rast kryesori bën me shenjë për një goditje dënimi në favor të Kukësit, duke u kthyer aty ku kishte lënë aksionin që të vazhdonte pak çaste më parë.

– Në minutën e 50′ të takimit ka pasur një përplasje në fushë ku është përfshirë Idrizi i Kukësit dhe Alhasani i Teutës. Futbollistët kanë përdorur duar, duke u shtyrë me njëritjetrin dhe me të drejtë kryesori i takimit i ka ndëshkuar të dy lojtarët me kartonë të kuq, për sjelljen antisportive.

– Rasti i tretë është ai i minutës së 78-të, kur Teuta pretendon për një 11-metërsh. Një gjuajtje e një prej lojtarëve durrsakë ndalet me dorë nga Zderiç. Futbollistët durrsakë kërkojnë 11-metërsh, por në pamjet filmike duket qartë se lojtari i Kukësit është jashtë zone. Megjithatë, kryesori ka gabuar, pasi duhej të kishte akorduar minimalisht goditje dënimi në favor të Teutës dhe karton të verdhë për lojtarin e Kukësit.

partizan

PARTIZANI – LUFTËTARI 3-0

Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj, H. Lisaku

– Në minutën e 13-të, Lorenc Trashi arrin të shënojë një gol që u anulua nga arbitri. Kjo pasi një prej tifozëve kishte hyrë në fushë dhe gjyqtari kishte vërshëllyer për ndalimin e lojës para shënimit të golit. Vendim i drejtë.

– Në minutën e 81-të të ndeshjes, Edgar Çani fiton një 11-metërsh pas një kontakti në zonë me Jakovljeviç. Vendimi për penallti i kryesorit është i drejtë pasi kishte kontakt mes sulmuesit dhe mbrojtësit të gjirokastritëve.

KAMZA – VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: E. Jorgji, R. Preca, A. Mahmuti

– Rasti më i diskutuar i ndeshjes së djeshme ishte goli i anuluar për Vllazninë për pozicion jashtë loje. Shumë i vështirë për t’u parë, por anë- sori ka vepruar në mënyrë të drejtë për të sinjalizuar pozicionin më të avancuar të futbollistit të Vllaznisë. Ai priti deri në fund ku do të mbërrinte topi dhe pikërisht shkoi te lojtari që ishte një hap më shumë sesa të tjerët.

– Në minutën e 81-të, Enea Jorgji ka falur mesfushorin Orelesi, i cili ndërhyri nga mbrapa Plakut dhe i shkaktoi faull. Këtë herë, futbollisti i shkodranëve meritonte karton të verdhë dhe do të ishte i dyti për të, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë për 10 minuta.

SKËNDERBEU – LUSHNJA 3-1

Gjyqtarë: O. Sokoli, A. Koçiaj, E. Pashaj

Në këtë ndeshje nuk ka pasur raste për moviolë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"