Moviola e Erzeni-Teuta/ Gabim trashanik i arbitrit anësor, shijakasve u mohohet gol i rregullt (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2022 | 11:18

Moviola e Erzeni-Teuta/ Gabim trashanik i arbitrit anësor, shijakasve u mohohet gol i rregullt (VIDEO)

Erzenit i është mohuar një gol i rregullt në derbin ndaj Teutës, por gjyqtarët në fushë kanë gabuar aq shumë, saqë edhe sistemi VAR në bazë të protokollit që ka për raste të tilla, ka dalë totalisht jashtë loje.

VR

FSHF-ja kishte dërguar në Durrës një treshe mikse, me kryesor Ardian Beqirin (Tiranë), si dhe anësorë Devis Koreshin (Lushnjë) e Taulant Kasën (Vlorë).

Në sistemin VAR ishin ndërkombëtari Eldorian Hamiti dhe Elvis Gjoka, të dy nga Lezha.

Teksa luhej minuta e 71-të e takimit, kapiteni Gëzim Krasniqi largon me forcë një top nga mesfusha, teksa kap të papërgatitur mbrojtjen e Teutës.

Sulmuesi brazilian Patrik Karvalho Nonato fiton duelin e shpejtësisë me Qaqin dhe Kuron, e më pas në dy tentativa drejt portës, e dërgon topin në rrjetë.

Pa përfunduar ende aksioni, çuditërisht anësori Devis Korreshi ngre flamurin për pozicion jashtë loje.

Me rregulloren e re, anësori duhet ta ndjekë aksionin deri në përfundimin e tij, e më pas të sinjalizojë me ngritjen e flamurit bindjen që ka për pozicion jashtë loje.

Në këtë mënyrë futet në lojë sistemi VAR dhe arbitri është në pritje të shqyrtimit të pamjeve filmike.

Mirëpo, në rastin konkret, ka ndodhur një gabim trashanik i dyfishtë nga arbitrat.

Së pari, nuk është lejuar vazhdimi i lojës sipas protokollit dhe së dyti, aksioni që përfundoi me gol, është totalisht i rregullt në bazë të pamjeve filmike, pasi sulmuesit i Erzenit mbahet në lojë nga mbrojtësit e Teutës.

Këtu kemi edhe një gabim të kryesorit Beqiri, i cili vërshëlleu për ndërprerjen e aksionit përpara se ai të përfundonte.

Kësisoj, një precedent i tillë me shkelje të rregullores nga arbitrat në fushë, në bazë të protokollit të VAR-it, sistemi nuk ndërhyn nëse bie bilbili.

Një gafë që ndikoi direkt në dëm të Erzenit dhe nxori jashtë loje VAR-in.

R.FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"