Moviola e Egnatia-Erzeni/ Penallti dhe dy gola të anuluar, polemika për 1 pikë. Ja çfarë thotë rregullorja (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 11:50

Moviola e Egnatia-Erzeni/ Penallti dhe dy gola të anuluar, polemika për 1 pikë. Ja çfarë thotë rregullorja (VIDEO)

Barazim, polemika, penallti, gol i anulu ar, por edhe vendime të drejta pati ndeshja mes Egnatias dhe Erzenit, e përfunduar në barazim 1-1, ku për vendësit shënoi Xhekson nga pika e bardhë dhe tre minuta më vonë Nehar Sadiki barazoi për shijakasit, rezultat ky që qëndroi i pandryshuar deri në përfundim të takimit. Në përfundim të ndeshjes pati një gjuhë disi të ashpër të dy trajnerëve respektivë që gishtin e drejtuan nga gjyqtari Kridens Meta, i cili në këtë takim pati disa episode që duke u mbështetur te rregullorja, i menaxhoi shumë mirë.

bandicam 2023-01-14 14-22-51-607

*54’ Musta avancon mirë në zonë nga e majta dhe ndiqet nga Ademi, i cili e pengon dhe kryesori akordon penallti. Vendim i drejtë.

* 61’ Pas një aksioni që nisi në mesfushë, Xhekson dërgon topin në rrjetë dhe kalon Egnatian në avantazh, por këtu ndërhyn VAR-i, i cili sheh një faull në mesfushë të shkaktuar nga Duamena drejt mesfushorit të Erzenit. Vendësit protestojnë, por Meta i qëndron vendimit të tij.

* 67’ Një nga rastet më të vështira, i cili kërkon edhe citimin e rregullores. Nonato i Erzenit shënon nga brenda zonës me topin që iu dha prej mbrojtësit të Egnatias. Asnjë protestë pas golit dhe shijakasit festojnë, por VAR-i hyn sërish në skenë.

Edhe pse topi është prekur nga lojtari i Egnatias dhe ka shkuar te Nonato i Erzenit, sërish është pozicion jashtë loje, sepse rregullorja për këtë rast thotë: nëse mbrojtësi nuk ka mundësi të luajë me topin dhe e devijon atë në mënyrë të pavullnetshme, mbetet pozicion jashtë lojë.

Goli i Nonatos do të ishte i rregullt nëse lojtari i Egnatias do të kishte mundësi të mbante topin dhe të luante me të dhe gabimisht t’ia dhuronte. Ndërsa në rastin në fjalë ai e devijon me një shtrirje në fushë. Pas pamjeve në VAR, Meta akordon anulimin e golit.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"