Moviola e Dinamo-Tirana/ Falen kartonë të kuq, goli i Xhixhës nisi me një shtyrje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 13:42


Moviola e Dinamo-Tirana/ Falen kartonë të kuq, goli i Xhixhës nisi me një shtyrje

Derbi u gjykua nga një treshe mikse gjyqtarësh, me kryesor ndërkombëtarin Eldorjan Hamiti. Në VAR ishin po dy arbitra të FIFA-s, Enea Jorxhi dhe Ridiger Çokaj. Përpos vlerësimit nga federata, rastet për moviolë dhe gabimet nga gjyqtarët ishin të dukshme në këtë takim dhe me mosveprimin e tyre ndikuan në rezultat.

xhixha-sofranak3

Minimumi në këtë derbi u falën dy kartonë flagrantë të kuq dhe goli i shënuar nga Tirana nisi pas një faulli të shkaktuar në mesfushë nga vetë autori i golit, Xhixha.

Ja rastet për moviolë në derbin Dinamo-Tirana:

4’ Sofranak shkakton faull taktik në anësore duke ndalur me duar Seferin që të mos përparonte. Gjyqtarët nuk reagojnë dhe Sofranakut i falet kartoni i verdhë.

39’ Seferi bën një ndërhyrje të parregullt ndaj Denisonit, por edhe në këtë rast gjyqtari e kursen kartonin e verdhë.

45+1’ Xhixha ndërmerr një top të gjatë dhe portieri Simoni braktis zonën dhe ndërhyn gabimisht ndaj sulmuesit. Loja vazhdon pasi topi shkoi dhe Seferi, i cili duke parë që porta ishte pa portier, gjuan, por në vijën fatale Samake bën një spastrim vendimtar duke evituar golin.

Gjyqtari pas përfundimit të aksionit ndëshkon me karton të verdhë portierin e Dinamos, ndërkohë që duhet të ndëshkohej me karton të kuq, pasi i hoqi mundësinë e shënimit lojtarit të Tiranës. Vendim i gabuar i kryesorit në fushë dhe gjyqtarëve në VAR.

52’ Maliqi rrezikon me ndërhyrjen e tij ndaj Xhixhës, pasi mund të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë, por Hamiti e fali.

65’ Hoxhallari dukshëm bëri një ndërhyrje të gabuar, pasi me këmbën e ngritur goditi në kokë Denisonin. Hamiti vetëm e këshillon kapitenin e Tiranës, i cili e pranon se ka gabuar, kështu që falet kartoni i dytë i verdhë për Hoxhallarin. Tjetër karton i kuq i falur dhe tjetër gabim i trupës gjykuese, në fushë dhe VAR.

69’ Gjatë një dyluftimi në mesfushë, Xhixha bën një ndërhyrje të gabuar ndaj Sofranakut.

Ndonëse mbrojtësi i Dinamos përfundon i rrëzuar në fushë, aksioni vazhdon dhe në fund Seferi shërben për autorin që shkaktoi faull, Xhixhën, i cili zhbllokon rezultatin. Goli duhej anuluar pasi nisi nga një faull.

Gjyqtari i linjës, Tartari, nuk sinjalizoi gjë, por e çuditshme është se as VAR-i nuk e konstatoi faullin. Gabim i gjyqtarëve që ndikoi në rezultatin e ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL