Moviola e “Panorama Sport”/ Xhaja i mohon Tiranës dy penallti, arbitri gabon në disa raste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2020 | 23:54

Moviola e “Panorama Sport”/ Xhaja i mohon Tiranës dy penallti, arbitri gabon në disa raste

Derbi i 158-të në histori nuk iu shmang polemikave për gjykimin. Juxhin Xhaja, protagonist i ndeshjes së famshme të sezonit të kaluar, ku akordoi dy penallti për Tiranën në fitoren 5-1 ndaj Partizanit, dje nuk u tregua i saktë me dy vendime që mori gjatë lojës. Ishin sërish dy penallti të pretenduara nga bardheblutë, por këtë herë gjyqtari i FIFA-s kishte një tjetër mendim. Pamjet filmike tregojnë se Tiranës i janë mohuar penallti në minutat 49 dhe 89.
GJK_7080-1536x1024

“Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë nga derbi i djeshëm, që kishte gjashtë gjyqtarë, teksa krahas kryesorit Xhaja, anësorë ishin Denis Rexha dhe Rejdi Avdo, ndërsa pas portës Kreshnik Bajramaj dhe Emanuela Rusta, me këtë të fundit si risi. Arbitër i katërt ishte Nertil Bregasi.

49′ Hoxha e tepron me mbajtjen e topit dhe Danso i ndërhyn duke ia hequr nga këmbët, por më pas rrëzohet. Portieri i Partizanit ka goditur këmbën e ganezit dhe këtë e tregojnë pamjet filmike. Mirëpo, Xhaja vazhdon lojën edhe pas konsultimit me arbitren pas porte, Rusta. Vendim i gabuar, pasi duhej të akordonte penallti për Tiranën.

54′ Danso shfaqet i lirë në krahun e djathtë, shërben te Torasa, që gjuan dhe rrëzohet. Argjentinasi kërkon penallti, por Bitri nuk e ka prekur me dorë. Xhaja vazhdon lojën, duke marrë vendim të drejtë.

67’ Najdovski ndërhyn rëndë në mesfushë ndaj Kardozos. Xhaja i jep të verdhë, por faulli i maqedonasit ishte në limitin e të kuqit.

78′ Muçi rrëzohet në zonë pas duelit me Hakajn, arbitri vazhdon lojën. Vendim i drejtë, pasi kemi të bëjmë me një aksion normal.

79′ Ndërhyrje pa top e Brojës ndaj Tolit. Gjyqtari Xhaja e fal mesfushorin e Partizanit. Duhet ta ndëshkonte me të verdhë.

89′ Muçi driblon Asanin brenda zonës, me këtë të fundit që vendos gjurin e majtë te këmba e lojtarit të Tiranës. Muçi rrëzohet dhe kërkon penallti, por Xhaja edhe pse afër aksionit bën me shenjë që nuk ka 11-metërsh. Pamjet filmike tregojnë se kemi të bëjmë me një pengim dhe kësisoj arbitri duhej të kishte dhënë penallti për Tiranën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"