MOVIOLA E BYLIS-KUKËSI/ Gola, penallti dhe kartonë të kuq! Ja të gjitha rastet e diskutueshme (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 13:45

MOVIOLA E BYLIS-KUKËSI/ Gola, penallti dhe kartonë të kuq! Ja të gjitha rastet e diskutueshme (VIDEO)

Dy gola, 2 kartonë të kuq, 2 penallti dhe në fund barazim 1- 1 mes Bylisit dhe Kukësit. Një ndeshje e çmendur është luajtur dje në Ballsh, ku moviola ka zënë vendin kryesor me dy 11-metërsh të akorduar me VAR nga arbitri kryesor, Laver Alla. Në luftën për mbijetesë, në fund barazimi ka kënaqur më tepër Kukësin, që shënoi në minutën e 102-të nga pika e bardhë me kapitenin Gjelbrim Taipi.

c09ac437-0f92-4bd3-9ecb-0586655e68b6

Më parë Vangjel Zguro kishte realizuar për vendësit po nga penalltia, por për një festim të tepruar dhe kontestim të arbitrit, u ndëshkua me të kuq. Bylisi luajti më mirë kur ishte me 10 lojtarë, pas daljes me të kuq të Zho Santos. Gjithsesi, shpresat e mbijetesës janë ende gjallë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme.

  • 49’ Zho Santos futet në zonë dhe rrëzohet pas duelit me Ebert, duke kërkuar penallti. Alla e ndëshkon brazilianin e Bylisit me karton të verdhë për simulim. Në këtë moment, Santos godet me kokë lojtarin e Kukësit, Ebert, pas përplasjes verbale që patën fillimisht. Alla shkon në VAR dhe shikon rastin, teksa i nxjerr direkt të kuq Zho Santosit dhe Ebertit i jep karton të verdhë. Vendim i drejtë i kryesorit.
  • 75’ Qardaku tenton të driblojë në zonë Bytyçin dhe Dragoshin, por përplaset me këta të fundit dhe kërkon penallti. Alla, i ndodhur afër aksionit, vijon lojën. Pamjet filmike i japin të drejtë arbitrit, pasi shkodrani i Bylisit është rrëzuar sapo Dragoshi i rrëmbeu topin.
  • 87’ Ebert godet me bërryl Lajthinë në një duel ajror në zonë. Alla vijon lojën, ndërsa më pas sinjalizohet nga sistemi VAR. Pasi shikon rastin në monitor, arbitri akordon me të drejtë penallti për Bylisin. 90’ Zguro ndëshkohet me karton të kuq, pasi shënon nga penalltia. Fillimisht mbrojtësi e tepron me festimin e golit dhe merr të verdhë, ndërsa më pas tensionohet me arbitrin. Këtu Alla nuk toleron aspak, duke i dhënë edhe një tjetër të verdhë në kohë rekord lojtarit të Bylisit. Skuadra ballshiote mbeti me 9 lojtarë në shtesë.
  • 101’ Zhongo devijon një top me dorë pas gjuajtjes së Gjelbrim Taipit. Fillimisht Alla jep goditje dënimi për Kukësin, por pasi sinjalizohet nga VAR-i, kthen vendimin, duke akorduar penallti, pasi mbrojtësi i Bylisit ndodhet mbi vijën e 16-es. Një vendim shumë i vështirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"