MOVIOLA| Dinamo-Laçi/ VAR dhe kontestime, Ferataj u mohon një 11-metërsh bluve (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2021 | 14:02

MOVIOLA| Dinamo-Laçi/ VAR dhe kontestime, Ferataj u mohon një 11-metërsh bluve (VIDEO)

Sistemi VAR prodhon kontestimet dhe polemikat e para në Superiore. Rastet për moviolë të ndeshjes Dinamo-Laçi, që u gjykua dje nga Olsid Ferataj janë shumë të diskutueshme.

Dinamo-Laci ndeshja

Në VAR ishin dy arbitra me stemën e FIFA-s si Eldorian Hamiti dhe Denis Rexha, por pamjet filmike treguan se mund të jepej një 11-metërsh për Dinamon në pjesën e dytë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e ndeshjes së djeshme.

VAR Dinamo-Laci

RASTET

17’ Renato Malota bën një faull taktik ndaj Agim Ibraimit, që po i drejtohej zonës, por arbitri e fal duke mos i dhënë të verdhë.

32’ Juljan Shehu ndërhyn rëndë në mesfushë ndaj sulmuesit Çinedu, por Ferataj e fal mesfushorin e Laçit duke mos i dhënë të verdhë.

34’ Sidibe godet me dorë në ecje e sipër Ignjatoviçin. Mesfushori i Dinamos kishte marrë një të verdhë më parë, por arbitri e fali këtë herë në një kohë që dilte automatikisht me karton të kuq.

40’ Çinedu fiton duelin e shpejtësisë me Malotën, por rrëzohet pas ndërhyrjes së këtij të fundit. Sërish Ferataj e fal mbrojtësin.

43’ Sofranaku shënon me kokë pas krosimit të Isaevskit nga e majta. Anësori Shkreta ngre flamurin dhe anulon golin. Më pas, arbitri Olsid Ferataj pret VAR-in. Vendoset për pozicion të parregullt pas sinjalizimit në kufje nga Denis Rexha. Pamjet nuk janë të qarta nëse Sofranaku është më i avancuar se Roganoviçi në momentin e krosimit të Isaevskit. Kësisoj, i është besuar vendimit të parë të Shkretës.

60’ Haxhiu rrëzohet brenda zonës pas ndërhyrjes së Velijas dhe kërkon penallti. Arbitri vazhdon lojën, por VAR-i ndërhyn pas dy minutash. Pamjet tregojnë se Velija fut këmbën dhe është i painteresuar për topin, pasi Haxhiu e driblon. Gjykohet që nuk është penallti, por kemi të bëjmë me një rast që edhe në kampionatet europiane akordohet 11-metërsh pas ndërhyrjes së VARit. Dinamos iu mohua një penallti.

75’ Roganoviçi harkon në zonë, aty Ademi rrëzohet pas duelit me Imamin, por nuk ka penallti. Arbitri vazhdon lojën dhe pamjet i japin të drejtë, teksa në këtë moment nuk ndërhyn as VAR-i.

80’ Imami prek topin me dorë pas driblimit nga Lushkja. Kryesori nuk jep goditje dënimi për Laçin afër zonës duke gabuar me vendimin. Më pas ndëshkon me të verdhë për protesta Mazrekajn.

Ferataj VAR logo

90’ Roganoviçi shënon pas goditjes nga jashtë zone, por ka dyshime nëse Prenga i zë rrezen portierit Hairzaj, i ndodhur afër tij. Pas verifikimit në VAR, Ferataj e cilëson gol të rregullt dhe merr një vendim të drejtë me një vonesë prej 3 minutash. Prenga nuk ishte në rrezen e portierit duke mos ndikuar aspak në këtë moment.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"