MOVIOLA/ Dënohet Tirana, goli i parë i Teutës duhej anuluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2018 | 11:58

MOVIOLA/ Dënohet Tirana, goli i parë i Teutës duhej anuluar

Një javë që nisi me polemika për gjyqtarët dhe në fund sheh një skuadër dukshëm të dënuar prej vendimeve të arbitrave. Ankesat për gjykimin janë bërë pas ndeshjeve nga trajnerët e Tiranës, Kamzës dhe Kukësit. Mirëpo, pamjet filmike për raste flagrante që ndikojnë në rezultat i japin të drejtë vetëm skuadrës bardheblu.

Goli i barazimit të përkohshëm të Teutës në ndeshjen e luajtur në fushën asnjanëse të Shijakut rezulton i parregullt. Ndërsa, në dy ndeshjet e tjera kemi gafa të kryesorëve Andi Koçi dhe Olsi Sokoli sa i përket mosndëshkimit të ndërhyrjeve të rënda dhe mosdhënies së faulleve premtues për gol.

Goli i teutes

Teuta-Tirana 2-1

Gjyqtarë: K.Kola (kryesor), R.Avdo dhe E.Pashaj (anësorë), E.Sino dhe K.Meta (pas portave), I.Tartari (i katërt);

Gafa më e madhe e javës është pikërisht në ndeshjen me gjashtë arbitra, ku kryesor ishte Klajdi Kola. Fillimisht, në minutën e 28-të, kur Tirana kalon në avantazh pas autogolit të Shkallës, kemi një hezitim të kryesorit Kola për të akorduar gol. Një moment qesharak, edhe pse arbitri i linjës, Meta, e sinjalizoi kryesorin që topi kishte kaluar vijën fatale, pasi ishte përplasur në trupin e Shkallës. Gjithsesi, me shumë vonesë, por akordohet gol. Më pas, rasti që pamjet filmike tregojnë për gafë të gjyqtarëve është ai i minutës së 71-të, kur pas një rrëmuje në zonë, Bicaj shënon. Mirëpo, përpara se topi të shkonte te mbrojtësi, është sulmuesi i Teutës, Latif, i cili bën një faull ndaj Atingës së Tiranës, teksa ky i fundit kishte mundësi të largonte topin nga zona, duke shmangur golin. Mirëpo, çuditërisht ky moment nuk është parë as nga kryesori dhe as nga arbitri i linjës.

Kukësi-Flamurtari 1-2

Gjyqtarë: O.Sokoli (Tiranë), E.Burgu, E.Veseli (Fushë-Krujë); Pas polemikave për caktimin e arbitrit Blerim Ziri për ndeshjen Kukësi-Flamurtari dhe më pas zëvendësimin e tij me Olsi Sokolin, sytë ishin dukshëm te performanca që do të bënin gjyqtarët. Sokoli mund dhe duhej të kishte menaxhuar më mirë disa faulle të diskutueshme gjatë lojës, ndërsa një rast për moviolë ishte ai i minutës së 92-të. Mbrojtësi i Flamurtarit, Albi Alla, rrëzoi Rexhinaldon gjatë një dueli ajror në zonë. Sulmuesi dhe lojtarët e tjerë të Kukësit pretenduan penallti, por gjyqtari vazhdoi lojën. Pamjet filmike i japin të drejtë Sokolit. Por, përpara këtij rasti kemi një gafë të gjyqtarit pas një ndërhyrjeje horror të Pollozhanit ndaj Shafik afër mesfushës. Arbitri humbet toruan, pasi nuk ndëshkon Pollozhanin me të verdhë për ndërhyrjen, por kartonin ia jep pak sekonda më pas Useinit dhe Shafikut për shkak se u kapën me njëri-tjetrin.

Partizani-Kamza 1-0

Gjyqtarë: A.Koçi (Durrës), E.Ganxhi, A.Mahmutaj (Elbasan)

Gjykimi i Andi Koçit u kontestua shumë nga Kamza në përfundim të ndeshjes, por gabimet e gjyqtarit kishin të bënin për të dyja ekipet. Gjithsesi, arbitri e kurseu Partizanin në dhënien e disa kartonëve, që mund të ndryshonin rrjedhën e lojës. Në minutën e katërt nuk ndëshkohet ndërhyrja e rëndë e Trashit.

Ndërsa, në minutën e 34-t mund të akordonte edhe penallti për Partizanin te rasti i gjuajtjes së Malës, pasi ndërhyrja e Idrizajt ishte te këmbët e mesfushorit. Në të 35-ën anulon golin e Bardhit, pasi Çinari ishte në pozicion jashtë loje, duke dhënë një vendim të drejtë.

Në minutën e 61-të arbitri i kurseu Ibrahimit kartonin e verdhë, që mund të ishte i dyti dhe të dilte nga fusha. Rast i çuditshëm ishte ai i minutës së 84-t, kur Belica tërheq Roloviçin që do shkonte drejt portës, por arbitri nuk jep as goditje dënimi për Kamzën. Të njëjtën gjë bën edhe kur rrëzohet disa metra larg zonës Peçi. Një gjykim që penalizoi jo pak Kamzën.

Skënderbeu-Kastrioti 1-0

Gjyqtarë: K.Barjamaj, G.Qirici, R.Shaba (Tiranë);

Skënderbeu-Kastrioti iu besua arbitrit të ri, Kreshnik Bajramaj. Rasti i vetëm për moviolë ishte ai i minutës së 16-të, kur Leonit Abazi pretendoi një 11-metërsh pas ndërhyrjes së Patrik Bardhit në zonë, por për gjyqtarin gjithçka e rregullt. Vendim i drejtë i kryesorit.

Luftëtari-Laçi 0-1

Gjyqtarë: K.Shahini (Durrës), N.Rrapaj (Patos), M.Sadikaj (Vlorë);

Rasti më flagrant për moviolë është ai i minutës së 45- të, kur Gjoni shtyn topin në rrjetë pas një krosimi në zonë. Arbitri anulon golin për faull të mbrojtësit kurbinas ndaj Rapës.

Pamjet filmike i japin të drejtë kryesorit, pasi Gjoni mban me duar Rapën. Shahini fali disa herë kapitenin Sefgjinaj, duke mos e nxjerrë me të kuq. Pasi e ndëshkoi me të verdhë në minutën e 26-të, lojtari bëri më pas edhe tri faulle të rëndë, por gjithçka kaloi me këshillim nga arbitri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"