MOVIOLA/ Asnjë i FIFA-s, arbitrave të rinj u duhet më shumë guxim! Problem njohja e rregullores te goli i Ezesë (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2021 | 19:33

MOVIOLA/ Asnjë i FIFA-s, arbitrave të rinj u duhet më shumë guxim! Problem njohja e rregullores te goli i Ezesë (VIDEO)

Java e 28-të ka prodhuar disa raste për moviolë, ku më pak e ku më shumë në të gjitha ndeshjet ka pasur momente të diskutueshme. Kjo ka qenë java e arbitrave të rinj dhe të perspektivës, pasi asnjë kryesor i FIFA-s nuk ka vendosur drejtësi. Të rinjtë kanë gabuar, ku ka pasur “kleçka” në zbatimin e rregulloreve apo edhe mosguxim në akordim kartonësh.

EZE

Gjithsesi, mbetet një javë inkurajuese për gjyqtarët e rinj, duke ditur se “të graduarit” e FIFA-s kanë bërë gabime shumë më të mëdha në të shkuarën. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha episodet e diskutueshme në javën e 28-të të Superiores:

Kukësi – Tirana 2 – 2

GJYQTARË: I. Myrtja (Shkodër), A. Mahmuti, E. Gançi (Elbasan)

Ka qenë një ndeshje e tensionuar sa i përket gjykimit, për shkak të disa momenteve të dyshimta. Treshja I. Myrta, A. Mahmuti dhe E. Gançi nuk ka bërë ndonjë paraqitje të mirë.

24′ Goli i parë i Kukësit është i parregullt. Arsyeja? Sipas rregullores, kur loja rinis nga portieri, të gjithë futbollistët kundërshtarë duhet të jenë jashtë zonës së rreptësisë.

 

Por, nga pamjet duket qartë se kur portieri Bekaj ia ka pasuar topin Çelhakës, Eze ka qenë ende brenda 16 metrave dhe ndonëse topin Çelhakës ia merr Gashi që vjen nga jashtë zonës, sërish është faull sepse në momentin e pasimit të Bekajt drejt Çelhakës, Eze që shënoi edhe golin, ishte brenda 16 metrave. Arbitri duhet të kishte anuluar golin dhe loja të riniste me rivënie fundore. Rast interpretimi i rregullores.

29′ Kale rrëzohet në zonë pas një dueli me Bytyçin dhe pretendon për penallti. Myrtja e ndëshkon me të verdhë për simulim dhe nga pamjet duket se kontakti mund të ketë ekstremitetet e 11-metërshit.

41′ Pozicion jashtë loje i Ezesë, i cili po shkonte i vetëm drejt portierit Bekaj. Nga pamjet televizive del se anësori Emigers Gançi ka gabuar, pasi Eze mbahet në lojë nga mbrojtësit. Aq më shumë gabimin e përligj protesta e trajnerit Josa i cili ka qenë në vijë te ky aksion dhe ka pasur pamjen e qartë. Ezesë i hiqet e drejta për të shkuar te porta.

70′ I dyshimtë është edhe goli i parë i Tiranës, teksa rrjeta e Seferit vjen pas një topi të diskutueshëm të kryesorit Myrtja. Pasi gjyqtari prek gabimisht topin, ndalon lojën dhe ia dhuron ekipit të Tiranës që vijon aksionin dhe në fund arrin të barazojë shifrat.

Apolonia – Vllaznia 0-6

GJYQTARË: M.Shabanaj, D.Rexha (Tiranë), E.Veseli (Fushë-Krujë)

Gjyqtari Mario Shabanaj toleroi një përplasje mes Adilit dhe Mihanës, duke mos ndëshkuar lojtarin e shkodranëve, që kapi prej fyti kundërshtarin. Gjithashtu, u anulua një gol nga anësori Veseli, por pamjet tregojnë se kemi të bëjmë me një pozicion milimetrik.

34′ Arbitri gabon dhe toleron goditjen e Adilit pa top ndaj Mihanës, pas një dueli në fundore mes dy lojtarëve, ku sulmuesi i Apolonisë ndërhyri në sparkatë për të marrë sferën që përfundoi jashtë. Mbrojtësi i Vllaznisë e kapi për fyti dhe e shtyu Mihanën, por për habinë e të gjithëve nuk mori as karton të verdhë, në një kohë që ishte një rast kur duhej karton i kuq. Gabim i arbitrit të ri, Shabanaj, që edhe në një ndeshje pa presion, tregon se nuk ka guxim.

72′ Hoxhaj kroson nga një goditje dënimi, Tim Bradriç gjuan me kokë, Harizaj grushton, por topi shkon në rrjetë. Anësori Veseli anuloi golin për pozicion jashtë loje, pasi gjermani qe disi më i avancuar se mbrojtësi i fundit në momentin e krosimit në zonë. Pozicion milimetrik, me gjasë anulimi vjen për shtyrje të Brdariçit.

Laçi-Bylisi 2-1

GJYQTARË: Klodian Shahini, Fatmir Lama (Durrës), Denis Agaraj (Tiranë)

Ndeshje ku pati ndërhyrje të rënda në kufijtë e të kuqit, por kryesori Shahini toleroi disa të verdhë për lojtarët e të dyja skuadrave, duke nisur “bamirësinë” me Ndrecën dhe përfunduar me Ignjatoviçin.

1′ Ndreca ndërhyn rrezikshëm ndaj Kërçikut duke e goditur në bark me shqelm. Mungon ndëshkimi për Ndrecën, të paktën i verdhë.

14′ Ndërhyrje e ashpër e Xhixhës ndaj Nebihut me takë në kavilje, kryesori e fal. Mungon një i verdhë.

21′ Portieri Qirko goditet në nofull me bërryl nga Musta në një duel në ajër. Mungon i verdhi për lojtarin e kurbinasve.

70′ Bytyçi ndërhyn ashpër në mesfushë, me kohë vonesë, në këmbën e kundërshtarit, por kryesori e kalon pa ndëshkim. Mungon një i verdhë.

90+3′ Ignjatoviç shkakton penallti me ndërhyrje të gabuar brenda zonës ndaj Spahiut, duke e penguar në aksion goli. Mungon të paktën kartoni i verdhë për kapitenin e Laçit.

Skënderbeu-Teuta 0-1

GJYQTARË: K. Cjapi, I. Tartari, O. Grabova (Fier)/ në linjë: D. Myftaraj, J. Xhaja (Tiranë)

Skënderbeu-Teuta ishte vlerësuar nga FSHF-ja si kryendeshja e javës, me 6 arbitra. Ky takim pati një rast për moviolë, që ka të bëjë me penalltinë e akorduar për Teutën në minutën e 41-të.

Sadriu ndërhyn gabimisht ndaj Grudës dhe sapo sulmuesi bie në fushë, gjyqtari Cjapi akordon penallti. Nga përsëritjet duket qartë se ka kontakt dhe ka qenë meritë e sulmuesit që ia ka “vjedhur” lëvizjen mbrojtësit, kështu që edhe vendimi i gjyqtarit ishte i saktë.

Partizani-Kastrioti 3-1

GJYQTARË: E. Bastari, A. Shkreta, Xh. Mani (Tiranë)

Në këtë ndeshje i vetmi rast i dyshimtë ka të bëjë me kartonin e verdhë të dhënë për Nezirin e Kastriotit. Çinari, që u ndëshkua me të verdhë, problemin dhe debatin e pati me kapitenin Çela, i cili nuk u ndëshkua.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"