MOVIOLA/ Arbitrat e nisin mbarë vitin, vetëm një rast i dyshimtë (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 20:30

MOVIOLA/ Arbitrat e nisin mbarë vitin, vetëm një rast i dyshimtë (VIDEO)

Pjesa e dytë e kampionatit në Kategorinë Superiore ka nisur mbarë sa i përket arbitrave. Java e 16-të nuk ka regjistruar raste moviole ku gjyqtarët të kenë gabuar apo ndikuar në rezultat.

Moviola Jorgji

Ka pasur gola të anuluar, por që kanë qenë të drejtë, gola që kanë qenë në fije të perit, por që e kanë kaluar klasën e gjyqtarëve në fushë dhe në dhomën VAR.

Rasti i vetëm që kërkon interpretim ka të bëjë me ndërhyrjen e Behiratçes së Tiranës ndaj Aralicës së Vllaznisë, ku pretendohet për një karton të kuq, por pamjet nuk janë të qarta për të dalë në një konkluzion të saktë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 16- të në Superiore:

TIRANA-VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), R.Çokaj (Lezhë), N.Bregasi (Tiranë) / VAR: K.Meta, D.Rexha (Tiranë)

Ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë u gjykua nga një treshe e FIFA-s, ku kryesor ishte Enea Jorgji. Në VAR ishin Kridens Meta dhe Denis Rexha. Në fushë pati vetëm një rast për t’u diskutuar që faktikisht u zgjat shumë. Më shumë se tre minuta, shumë për të pesë gjyqtarët që ishin drejtuesit e ndeshjes. Ja rastet për moviolë në këtë takim:

16’ Gjuan Jonuzi nga jashtë zone, topi prek Hoxhallarin në gjoks dhe shkon në fundore. Kërkohet penallti nga Vllaznia, por asgjë. Pamjet janë të qarta. Nuk është penallti.

32’ Gjuajtje e Limajt, kërkohet penallti për prekje me dorë të Mustedanagiçit, por Jorgji vazhdon lojën. Vendim i drejtë i kryesorit. Topi prek trupin e lojtarit shkodran.

37’ Aralica bie në tokë pas një kontakti me Behiratçen në lojën pa top në mesfushë. Nga shkodranët kërkohet karton i kuq. Jorgji vendos të konsultohet me VAR-in. Pas 3 minutash, kryesori i FIFAs vazhdon lojën duke mos marrë asnjë masë ndëshkuese. Rasti mbetet i dyshimtë, edhe pse u analizua në VAR.

Pamjet e ofruara dhe distanca e largët e tyre, bëjnë që të mos ketë siguri nëse mbrojtësi i Tiranës e ka goditur me krah në fytyrë sulmuesin e Vllaznisë. Pa dyshim pamjet jo cilësore të servirura nga VAR-i kanë bërë që Jorgji të mos jetë i sigurt dhe pas 3 minutash ka vendosur të vijojë lojën duke mos marrë vendim ekstrem.

EGNATIA- PARTIZANI 0-3

Gjyqtarë: K.Barjamaj, A.Koçiaj (Tiranë, E.Gjoka (Shkodër) / VAR: A.Koçi (Durrës), N.Bregasi (Tiranë)

Ndeshja ndaj Partizanit dhe Egnatias, e përfunduar me shifrat 0-3 në favor të ekipit të kuq, për fat të mirë nuk u kushtëzua nga shumë momente të dyshimta.

VAR-i konfirmoi saktë dy prej golave të Partizanit, teksa dyshimi i vetëm është në minutën e 34-t kur Skuka rrëzohet në zonë në duel me Krasniqin. Gjyqtari Kreshnik Barjamaj me të drejtë vazhdon lojën, pa pasur nevojën e konsultimit me VAR-in.

SKËNDERBEU-LAÇI 0-0

Gjyqtarë: F.Lata (Durrës) D.Agaraj (Tiranë), H.Lisaku (Durrës) / VAR: J.Xhaja (Tiranë), E.Ganxhi (Elbasan)

Ndeshja në Korçë nuk prodhoi gola dhe raste. I vetmi moment për moviolë ishte goli i sulmuesit Mensah që shënoi në minutën e 10- të, por u anulua pasi kryesori i takimit u konsultua me sistemin VAR për rreth dy minuta.

Nga pamjet duket qartë që Mensah është disi më i avancuar se mbrojtësi i Laçit dhe vendimi ishte i drejtë duke e quajtur golin të parregullt.

KASTRIOTI-TEUTA 2-0

Gjyqtarë: K.Cjapi, I.Tartari (Fier), N.Rrapaj (Patos)/ VAR: E.Jorgji (Elbasan), A.Zalla (Tiranë)

Në përgjithësi takimi mes Kastriotit dhe Teutës kaloi pa probleme dhe rasti i vetëm që kërkon interpretim është në fund, ku gjyqtari Cjapi toleron Albano Aleksin, duke mos e ndëshkuar.

Pikërisht bëhet fjalë për minutën e gjashtë shtesë, ku arbitri bëhet gati të ndëshkojë me karton të verdhë Aleksin. Por pas protestës së ashpër te lojtarët të Teutës, gjyqtari Cjapi tërhiqet dhe nuk e ndëshkon. Ky është nga ato rastet kur gjyqtarët tanë tregojnë mungesë personaliteti dhe “hanë” shantazhin e lojtarëve.

KUKËSI – DINAMO 0-1

Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Myftari, M.Shazivari (Tiranë); VAR: F.Lata; AVAR: E.Gjoka;

Gjyqtari kryesor, Juxhin Xhaja, pati pak punë në ndeshjen e djeshme. Skuadrat ia bënë edhe më të thjeshtë arbitrave, të cilët e menaxhuan mirë takimin. I vetmi rast i dyshimtë i takon minutës së 70-të, kur Ibraimi për blutë futet në zonë dhe rrëzohet duke kërkuar penallti. Pamjet tregojnë se Gjelbrim Taipi nuk e ka prekur fantazistin.

Xhaja nuk akordon 11- metërsh, jep faull në favor të Kukësit, pasi sinjalizohet nga anësori Myftari. Ky aksion kishte nisur pas një faulli të Demirit ndaj Bytyçit dhe pamjet i dhanë të drejtë arbitrit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"