Moto GP/ Botërori 2020 humbet një ndër garat më të bukura, anulohet edhe Çmimi i Madh i Italisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2020 | 21:54

Moto GP/ Botërori 2020 humbet një ndër garat më të bukura, anulohet edhe Çmimi i Madh i Italisë

Moto GP ka marrë një tjetër goditje, duke i reduktuar edhe më shumë garat e mbetura të Botërorit 2020. Tashmë zyrtarisht është anuluar edhe Çmimi i Madh i Italisë, kështu që Valentino Rosi me shokë nuk do të kenë mundësi për të garuar këtë sezon në Muxhelo. Lajmin e ka konfirmuar vetë Karmelo Ezpeleta, shefi ekzekutiv (CEO) i Dorna-s (kompania që menaxhon Moto GP-në).

MOTO GP

“Për fat të keq nuk ishim në gjendja t’u jepnim zgjidhje problemeve logjistike dhe operative që kanë ardhur si rrjedhojë e pandemisë. Është një humbje e madhe, pasi dihet që Muxhelo është një prej cirkuiteve më të bukura në botë”, deklaroi Ezpeleta.

Megjithatë, Italia mund të ngushëllohet me garën e Mizanos, ndërsa kalendari zyrtar pritet të publikohet në ditët në  vijim. Eventi i Muxhelos fillimisht ishte shtyrë, për t’u anuluar më pas. Një goditje e fortë kjo sidomos për skuderinë Ducati, që për tri sezone radhazi triumfonte në këtë pistë.

Çmimi i Madh i Italisë bëhet gara e shtatë që anulohet pas eventeve të Katarit, Gjermanisë, Holandës, Finlandës, Britanisë, Australisë dhe Japonisë, ndërkohë gara e Francës dhe ajo e Katalonjës janë shtyrë. Aktualisht Botërori është tkurrur në vetëm 11 gara.

“Wada” kërkon 4 vite pezullim për Ianonen Ndërlikohet edhe më shumë rikthimi në pistë për Andrea Ianonen. Agjencia Botërore e Anti-dopingut (Wada) ka prezantuar apelin në TAS, ku kërkon rritje të dënimit për pilotin italian, nga 18 muaj në 4 vjet.

Tas gjithashtu ka regjistruar edhe apelin e Andrea Ianones, i cili kërkon anulimin e skualifikimit. Kujtojmë se Ianone u pezullua më 17 dhjetor të vitit të kaluar, pasi rezultoi pozitiv me steroidin Drostanalon, ndërsa tre muaj më pas Komisioni Ndërkombëtar i Disiplinës dha dënimin për një vit e gjysmë, ku në të njëjtën sentencë thuhej se piloti kishte dalë pozitiv për shkak të një kontaminimi në ushqim, duke i rritur shpresat për pilotin tek apeli në TAS. Megjithatë “Wada” kërkon një ndëshkim maksimal për pilotin e Aprilias.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"