Moshat U17 / Super-Tirana shkatërron Vllazninë, Akademia zbret Olimpikun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2017 | 12:01

Moshat U17 / Super-Tirana shkatërron Vllazninë, Akademia zbret Olimpikun

Super-Tirana shkatërron Vllazninë

E diela e 14 majit nuk do të harrohet lehtë nga paratërinjtë shkodranë, pasi do të kujtohet gjatë nga bardheblutë. Besojeni ose jo, por është fakt që Tirana e Sulejman Memës ka arritur të fitojë në Shkodër me shifrat 1-8. Një triumf i çmendur për lojtarët e talentuar tiranas, që u kanë dhënë një leksion të vërtetë futbolli të besuarve të Alban Hasanit.

tirana u17

Vllaznia është shokuar totalisht në 10 minutat e para, kur miqtë shënuan tre gola dhe mbyllën gjithçka. Fillimisht ishte Bakaj në minutën e 3-të që hapi serinë e golave. Mirëpo, Tirana nuk do të ndalej këtu, pasi në minutat 8 dhe 9 janë Çakri e Selimi që shënojnë nga një herë, duke e çuar rezultatin në 0-3. Kuqeblutë e vegjël shthuren totalisht dhe lënë shumë hapësira prapa.

vllaznia tirana

Tirana është e frikshme në sulm dhe e pangopur. Brahja i çon shifrat në 0-4, ndërsa kulmi arrin kur në minutën e 32-të, kur Tabaku shënon edhe golin e pestë dhe më pas Çakri i çon shifrat 0-6. Të pranishmit nuk u besonin syve se lojtarët kryeqytetas po udhëhiqnin brenda në Shkodër me të tilla shifra. Vendësit ishin totalisht të dorëzuar në fushë dhe pushimi mes pjesëve shërbeu për të marrë veten.

Lojtarët shkodranë, për të evituar turpin, gjetën forca të reagonin dhe arritën të shënonin golin e parë me anë të Boriçit pas fillimit të pjesës së dytë. Kur dukej se rezultati do të shkurtohej edhe më shumë me kalimin e minutave, bardheblutë tregohen të pamëshirshëm. Skuadra e Memës arrin që të shënojë edhe dy gola të tjerë me autor Bakajn dhe Qekun.

Pas minutës së 60-të nuk pati më histori, me kuqeblutë shumë të dëshpëruar dhe Tiranën që arriti të administronte lojën, duke mos kërkuar më gola të tjerë. Kjo ishte humbje më e thellë që Vllaznia U-17 ka pësuar në shtëpi në dekadën e fundit. Ndërkohë, pas kësaj fitoreje, një javë para mbylljes së kampionatit, Tirana siguron vendin e parë në grupin A.

ADMIR URUÇI

Partizani nuk fal

Partizanit i kanë mjaftuar vetëm 13 minuta për të fiksuar fitoren ndaj Kukësit. Kanë qenë dy gola të shpejtë të Licit dhe të Petit, ato që kanë vendosur fatin e kësaj ndeshjeje. Edhe pse skuadra kuksiane është munduar të ekuilibrojë lojën, duke krijuar edhe raste për shënim, sërish nuk ia ka dalë të paktën të realizojë golin e nderit.

partizani kukesi

Abdulla Dushku

Goleadë e Shkëndijës

Shkëndija e Luan Pinarit ka marrë një fitore me goleadë ndaj Portos, duke treguar se meritonte një vend në zonën “play-off”. Leci ka bërë diferencën me një katërgolësh, duke qenë lojtari më i mirë në fushë. Ndërsa Thaçi, Dajçi dhe Zenelaj kanë plotësuar fitoren e thellë të Shkëndijës, që pozicionohet në vendin e tretë me 53 pikë.

shkendija porto

Abdulla Dushku

Spektakël i Teutës

Teuta nuk fal në shtëpi dhe mban gjithçka të hapur sa i përket një vendi në zonën “playoff”. Në ndeshjen e djeshme durrsakët e vegjël kanë shënuar gjashtë gola në portën e Lushnjës. Salillari ka shkëlqyer me një dopietë, ndërsa Shtama, Zyiu, Çollaku dhe Beqja kanë realizuar nga një herë secili. Javën e ardhshme Teuta luan në Vlorë.

teuta lushnja

Jeton Rexhmati

Rama dhe Balla “show”

AF Dinamo ka mposhtur Flamurtarin me shifrat 3-1, në një ndeshje ku kanë shkëlqyer Rama dhe Balla. Ky i fundit shënoi golin e tretë dhe fitoi një penallti. Ndërsa Rama ktheu në gol dy 11-metërsha. Vlonjatët arritën të barazonin përkohësisht me Matajn, por blutë e Lubanit ishin në formë dhe merituan fitoren ndaj skuadrës që kryeson renditjen.

dinamo flamurtari

Abdulla Dushku

Akademia zbret Olimpikun

Akademia fiton 4-0 dhe kap një vend në zonën “play-off” pas dy viteve histori si skuadër. Olimpiku ka zbritur në Kategorinë e Parë pas kësaj humbjeje, duke shuar shpresat një javë nga fundi i kampionatit. Xheka zhbllokoi shifrat për Akademinë, pasi ktheu në gol një penallti, ndërsa Koleci, Hajdëraj dhe Lila plotësuan triumfin e vendësve.

adademia olimpiku

Abdulla Dushku

Internacionali super

Internacionali ka arritur të marrë një fitore tenistike ndaj Laçit, në një ndeshje të gjykuar nga tre arbitre femra. Me 4 gola në fraksionin e parë dhe dy në të dytën, skuadra e Plorit ka marrë një fitore të bukur. Ka qenë Bernaca që shënoi i pari, ndërsa më pas vijnë dopietat e Blakçorit dhe të Memës. Në fund, ai që vulos fitoren është Llalla.

internacional laci

Abdulla Dushku

Akademia AAS, e pandalshme

Akademia AAS likuidon Shkëndijën B në një ndeshje mes rivalësh, edhe pse shkodranët e vegjël e kanë siguruar prej kohësh vendin e parë. Kuturreli ka shënuar brenda shtatë minutash dy gola, ndërsa Elezi iu përgjigj, duke çuar skuadrat në pushim me shifrat 1-2. Afër fundit të takimit ishte Kraja që realizoi golin e fitores për miqtë.

shkendija akademia

Abdulla Dushku

Përmbysje e Besëlidhjes

Besëlidhja ka përmbysur Burrelin në ndeshjen e luajtur dje në Lezhë. Vendësit u kapën në befasi, pasi në minutën e 14-të, Kola kaloi në avantazh matjanët. Megjithatë, afër fundit të pjesës së parë, ishte Gjonaj që barazoi shifrat. 40 minutat e dyta ishin më të forta, por lezhjanët insistuan për të shënuar dhe u shpërblyen me Markun.

beselidhja burreli

Preng Gjikola

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"