MOSHAT U17/ “Shpërthejnë” Vllaznia dhe Teuta, Luftëtari e Flamurtari nuk falin në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 18:50

MOSHAT U17/ “Shpërthejnë” Vllaznia dhe Teuta, Luftëtari e Flamurtari nuk falin në shtëpi

“Poker” kuqeblu ndaj Internacionalit

Pas hapit fals në javën e parë, dje Vllaznia ka marrë fitoren e parë në kampionat, duke mundur thellë në transfertë Internacionalin. Skuadra e drejtuar nga Brikeno Bizi e ka zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë. Në minutën e dytë ishte Xhoni Tinaj që kaloi në avantazh shkodranët, ndërsa më pas Egli Jukaj e Keidi Paloka dërguan Vllazninë me shifrat 0-3 në dhomat e zhveshjes. Internacionali u shokua pas pësimit të golit të parë dhe nuk e mori më veten.

22281583_1518642818216533_5443119876316402785_n

Në fraksionin e dytë skuadra shkodrane lëshon disi në lojën e saj, por përsëri nuk heq dorë nga goli. Atë që nuk e bënë vendësit, e bëjnë miqtë, që realizojnë edhe golin e katërt me anë të Tinajt, i cili u bë protagonist me një dopietë. Internacionali vinte pas fitores së thellë në Laç gjatë javës së parë, por dje nuk doli në lojën e vet, falë edhe nivelit më të mirë të Vllaznisë. Trajneri Olgert Muka është munduar të riformatojë një skuadër të re me lojtarë 15-16 vjeçarë. /Abdulla Dushku/

fq1

Luftëtari, tripletë për vendin e parë 

Luftëtari vijon me fitore, teksa këtë herë “viktima” e radhës për gjirokastritët është ekipi privat elbasanas, Pepa. Të besuarit e Neritan Novit treguan një formë të mirë përpara një numri të konsiderueshëm tifozësh në kompleksin “Fusha e Vjetër”. Në minutën e 18-të ishte Serixhio Emini që kaloi në avantazh vendësit.

Ndërsa, në fund të pjesës së parë është Çelo që dyfishon shifrat në 2-0. Në këtë fraksion nuk munguan përplasjet në fushë, ku Xhebra për vendësit dhe Gjolena për miqtë u ndëshkuan me kartonë të kuq, teksa skuadrat u detyruan të luajnë me nga 10 lojtarë për afro 50 minuta.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, miqtë shkaktojnë autogol me Pepën, që si për ironi të fatit ka të njëjtën emër si ekipi. Ky takim u ndoq edhe nga trajneri i Luftëtarit, Millosh Kostiç. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport” trajneri i U-17, Novi, deklaroi: “Kam në dispozicion një grup të mirë lojtarësh dhe pres që të jemi në vendet e para deri në fund”. /Tomor Shehu/

eqwe

Durrsakët në formë, spektakël ndaj Dinamos

Teuta likuidon Dinamon, duke shkëlqyer me lojë dhe gola. Për herë të parë këtë sezon një takim i vlefshëm për kampionatin U-17 u zhvillua në kompleksin më të ri, “Ardian Cara”, që ndodhet në fshatin Arbanë. Skuadra durrsake, e drejtuar nga Ilir Biturku, e ka dominuar pothuajse totalisht ndeshjen, duke shënuar nga dy gola në çdo pjesë. Ndryshe ishte ekipi dinamovit, i cili kishte shumë mungesa, madje në stol kishte vetëm një lojtar rezervë.

Rigel Tepshi hapi serinë e golave për durrsakët në minutën e 22-të. Vetëm pas tre minutash do të jetë Anxhelo Duka, që dyfishon shifrat. Në fillimin e pjesës së dytë është sërish i njëjti autor që realizon edhe golin e sigurisë për Teutën. Por, durrsakët nuk mjaftohen me kaq, pasi Xhordan Lajthia, i futur në pjesën e dytë, do të vulosë fitoren e thellë 0-4. Dinamo u përpoq të shënonte golin e nderit, por nuk e kishte forcën e duhur. Vetëm në dy raste nga Kodusi dhe Kullolli blutë nuk ia dolën. Abdulla Dushku

sdads

Flamurtari nuk fal

Flamurtari nuk fal në shtëpi, duke mposhtur Besën 3-1 dhe duke vijuar me fitore kampionatin. Takimi ka nisur me gol për vlonjatët, që me anë të Kadriajt kaluan në avantazh. I njëjti autor bëhet i papërmbajtshëm, duke shënuar edhe golin e dytë. Besa reagon më pas, teksa shkurton shifrat me anë të Hoxhës, mirëpo Dhrami vulos në pjesën e dytë. Olsen Llambro

flamurtari

 

Shkëlqen Shkëndija e Durrësit

Shkëndija e Durrësit zhvilloi një ndeshje në kufijtë e perfektes ndaj Elbasanit, duke fituar me shifrat e thella 4-0. Vendësit mposhtën jo vetëm me rezultat, por edhe me lojë, një Elbasan i cili ishte tërësisht inekzistent në fushë. Takimi u zhbllokua nga një autogol i R.Hoxhës, e më pas Shkëndija realizoi me Tatanin, Barzezin dhe Islamajn në fund. Preng Gjikola

Shkendia44

Kukësi dhe Pogradeci, tri pikë në shtëpi

Kukësi e ka nisur në mënyrën më të mirë kampionatin, duke fituar ndaj Shkëndijës së Tiranës me shifrat 2-1. Skuadra verilindore ka qenë më kërkuese, duke arritur të shënojë në minutën e 34-t me Kodrën. Mirëpo, reagimi i miqve të shkollës së futbollit ishte i menjëhershëm, duke barazuar shifrat me anë të Tunit. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në të dytën, loja ishte më e ekuilibruar. Megjithatë, Kukësit i buzëqeshi fitorja pas golit të Halitit në minutën e 50-të.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit B, atë mes Pogradecit dhe Skënderbeut, ishin liqenorët që dolën me tri pikë pas triumfit 2-1. Pjesa e parë ishte shumë e luftuar dhe nuk pati gola, ndërsa në 40 minutat e dyta kaluan në avantazh pogradecarët me anë të Isallarit. Korçarët barazuan shpejt me Vankon, por në fund Dervishaj i dha fitoren Pogradecit. Abdulla Dushku

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"