MOSHAT U-19/ Vllaznia super, Tirana bie në Laç. Partizani gjen fitoren e dytë, Teuta barazon me Skënderbeun
Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së katërt. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:
Bind Partizani, Kalari udhëzime nga tribuna
Partizani mposht Shënkollin dhe afrohet me 4 pikë nga vendi i parë në Grupin A. Të kuqtë kanë bërë një ndeshje mjaft të mirë ndaj skuadrës e cila deri në javën e tretë kryesonte renditjen. Trajneri Reinaldo Kalari, për shkak të pezullimit për një javë, u detyrua të udhëzonte skuadrën nga jashtë stadiumit, ndërsa në pankinë ishte ndihmësi i tij, Çelmeta. Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar, por diferencën e bëri goli i Shibës në minutën e 24-t. Me rezultatin 1-0 “demat” janë më të lirshëm në lojë dhe nuk kalojnë as tri minuta dhe arrijnë të dyfishojnë. Koldashi ka shënuar golin e dytë, duke i dhënë qetësi skuadrës. Mirëpo, pa u mbyllur ende pjesa e parë, miqtë reagojnë. Përgjoni fiton një penallti dhe Daija e kthen në gol. Në fraksionin e dytë bëhet një lojë edhe më e fortë, por Koldashi është në superformë dhe u dhuron të kuqve fitoren me golin e tretë. Në minutat e mbetura Shënkolli e ka të pamundur të rihapë lojën dhe ndeshja mbyllet 3-1. ABDULLA DUSHKU
“Poker” i Vllaznisë
Vllaznia po shkëlqen në këtë start kampionati. Forcën e shkodranëve e ka provuar këtë javë Shkëndija e Durrësit, teksa të besuarit e Luan Zmijanit shënuan katër gola. Smajli kaloi në avantazh kuqeblutë në minutën e 40-të, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë Papaj realizoi me penallti. Golat e tjerë u realizuan nga Alivoda dhe Perloshi. ADMIR URUÇI
Tirana, pa… trajner
Një konflikt mes trajnerëve te Tirana e ka detyruar klubin të pezullojë Ilir Spahiun dhe Alpin Gallon. Bardheblutë e rinj janë paraqitur në Laç pa trajnerin e parë, Spahiun, ndërsa në protokoll figuronte emri i Andi Bazes. Në ndeshjen e luajtur në Laç ishin vendësit që fituan me shifrat 3-2, ku dopieta e Bytyçit dhe goli i Lleshit u dhanë 3 pikë.
Shkëndija T. nuk fal
Klevis Dragaj nderon Shkëndijën e Tiranës në ndeshjen ndaj Internacionalit. Dopieta e tij i dha tri pikë skuadrës së drejtuar nga Shpend Kumbarçe. Shkëndija ka qenë cinike, duke shfrytëzuar në maksimum aksionet drejt portës mike. Rastet më të shumta i ka pasur skuadra e Internacionalit, por në fund golat i shënoi Shkëndija. ABDULLA DUSHKU
Besa, triumf në limit
Besa ka vuajtur shumë për të mposhtur Flamurtarin, teksa një gol në fund i Muhos i ka dhënë tri pikë. Verdhezinjtë kaluan shpejt në epërsi me Muzhaqin, por në minutën e 78-të barazoi Goxhaj për vlonjatët. Kur pritej vërshëllima e arbitrit dhe ndeshja të mbyllej 1-1, u desh klasi i Muhos që të shpëtonte nderin e Besës. FERIZ FERIZAJ
Teuta ngec në shtëpi
Skënderbeu ndal vrullin e Teutës, që pas tri fitoreve radhazi ngec në Durrës. Të besuarit e Xhevahir Kapllanit nuk arritën të ruanin ecurinë pozitive. Goli i Bocit në minutën e 34-t krijoi idenë se gjithçka do të shkonte mirë, por në pjesën e dytë korçarët arritën të barazonin me Çarllakun. Ky i fundit goditi saktë brenda zonës në minutën e 62-të. ZAMIR QYPI
Apolonia, fitorja e parë
Apolonia gjen më në fund tri pikët e para për këtë kampionat. Të rinjtë fierakë ia dolën të fitonin ndaj Elbasanit me shifrat 2-0, ku gjithçka u mbyll që në pjesën e parë. Mërkuri shënoi në minutën e 11-të një gol shumë të bukur pas një aksioni me disa pasime. Ndërsa në minutën e 44-të, Bala vulosi fitoren e skuadrës së Bledi Borovës. BUJAR RAMA
F.Republic merr kreun
Football Republic fiton në Pogradec dhe merr kreun duke përfituar nga ndalesa e Teutës. Ka qenë një lojë e dobët nga vendësit, të cilët rezistuan vetëm në pjesën e parë. Miqtë nga kryeqyteti kaluan në avantazh me autogolin e Betës, ndërsa Teqja në minutën e 60-të i çoi shifrat në 0-2. Gjyqtarja Rusta nxori plot 8 kartonë të verdhë. REDI DANDALLAKU
Katër gola për 1 pikë
Butrinti dhe Akademia e Futbollit kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e luajtur në Sarandë. Ka qenë një lojë e bukur, ku fillimisht miqtë realizuan me Millën dhe pjesa e parë u mbyll 0-1. Butrinti barazoi me Ruçin e më pas përmbysi gjithçka me golin e Kaçajt. Por, Akademia e Futbollit insistoi deri në fund dhe gjeti barazimin sërish me Millën. TOMOR SHEHU
Shkodra bën spektakël
Shkodra ka dhuruar spektakël në ndeshjen kundër Dinamos. Pas një pjese të parë ku vendësit dominuan dhe nuk arritën të shënonin, në të dytën Shpuza kaloi në avantazh Shkodrën. Mirëpo, Dinamoja reagoi me Hasën dhe barazoi shifrat. Megjithatë, në minutat në vijim Hoxha, Suka dhe Xhakaj shënojnë njëri pas tjetrit dhe i çojnë shifrat në 4-1. ADMIR URUÇI
