Moshat U-19 | Kryesuesit shpërthejnë në goleada

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2017 | 17:12

Moshat U-19 | Kryesuesit shpërthejnë në goleada

KATEGORIA SUPERIORE, GRUPI A

Partizani nxjerr dufin kundër Laçit

Pas hapit fals në javën e kaluar, Partizani ka shpërthyer kundër Laçit, duke fituar me shifrat e thella 5-0. Në mungesë të trajnerit Ylli Shehu, i cili u dënua nga Komisioni i Disiplinës me dy ndeshje, të kuqtë u drejtuan nga zv.trajneri Florian Ristani. Tre gola në pjesën e parë dhe dy në të dytën bënë që Partizani të shkatërronte kurbinasit. Çela i zhbllokoi shifrat në minutën e 21-të, ndërsa Smaçi mendoi për golin e dytë. Kur pritej që të mbyllej fraksioni i parë, ishte Prodani që i dërgoi skuadrat në pushim me shifrat 3-0.

Edhe 45 minutat e dyta janë dominuar nga Partizani. Protagonist është bërë Alban Gjinaj, 16-vjeçari i talentuar i të kuqve, i cili ka debutuar me të rinjtë me një supergol. Gjinaj goditi nga 30 metra dhe i çoi shifrat në 4-0. Në fund ka vend edhe për një tjetër gol, ku Kodra vulosi fitoren e thellë. “Demat” ruajnë vendin e dytë dhe ecin të sigurt për një biletë në zonën “play-off”, duke qenë pretendentë për titullin kampion.

Abdulla Dushku

Partizani - Laci

“Çmendet” Vllaznia

Vllaznia shkatërron Briansin dhe ruan vendin e parë. Gjashtë gola kanë shënuar dje të rinjtë kuqeblu, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalojnë. Pusi hapi serinë e golave, ndërsa brenda pjesës së parë realizuan edhe Isufi e Palushani. Në pjesën e dytë protagonistë u bënë Smajli, Palushani dhe Stafa, që vulosën fitoren e thellë 6-0.

Admir Uruçi

Vllaznia - Briansi

“Poker” i bardhebluve

Tirana bën “poker” në kërkim të një bilete për zonën “play-off”. Bardheblutë e drejtuar nga Sokol Bulku, pasi kanë fituar një javë më parë 5-0 edhe dje kanë shpërthyer ndaj Shkëndijës, duke shënuar plot katër gola. Kapiteni Zhivanaj realizoi në minutën e 28-të, ndërsa Joti, Berisha dhe Çeliku plotësuan triumfin bindës të bardhebluve.

Abdulla Dushku

Tirana - Sh.T.

Internacionali nuk fal

Internacionali ka mposhtur bindshëm Akademinë me shifrat 3-0. Ndeshja ka qenë e baraspeshuar për rreth 40 minuta. Më pas vendësit kanë bërë diferencën me golin e Pinarit falë një goditjeje nga jashtë zone. Edhe në fraksionin e dytë është Internacionali që dominon, teksa Çema dhe Çelaj sigurojnë fitoren e pastër falë dy golave shumë të bukur.

Abdulla Dushku

Internacional - Akademia

Kukësi, 3 pikë shprese

Kukësi ka marrë tri pikë shprese në luftën për mbijetesë në Kategorinë Superiore U-19. Mjaftuan 19 minuta që skuadra verilindore të siguronte triumfin. Ibishi dhe Beshiri shënuan dy gola të shpejtë, duke ia thjeshtësuar vazhdimësinë e lojës Kukësit. Porto u mundua të reagonte në pjesën e dytë, por e pati shumë të vështirë në “Zeqir Ymeri”.

Kukesi - Porto

Skerdilaid Sulozeqi

kategoria superiore u19 grupi a renditja

KATEGORIA SUPERIORE, GRUPI B

Flamurtari nuk fal

Flamurtari ka mposhtur Lushnjën me rezultatin e thellë 4-0. Vlonjatët nuk e kanë diskutuar fitoren për asnjë moment. Serinë e golave e hapi Dalanaj, i cili goditi mjaft bukur në zonë me kokë. Më pas Haruni dyfishon shifrat pas një aksioni personal. Në pjesën e dytë Koreshi shkakton autogol, ndërsa në fund Dalanaj vulos fitoren e Flamurtarit.

Kastriot Brahimaj

Flamurtari - Lushnja

Elbasani bën surprizën

Elbasani trondit Skënderbeun në Korçë, duke i shkaktuar një humbje të papritur në shifrat 0- 2. Dishani në pjesën e parë dhe M.Dalipi në të dytën ishin autorët e golave për miqtë. Skuadra e trajnerit Kila ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni. Pavarësisht humbjes, Skënderbeu vijon të qëndrojë në vendin e dytë me 44 pikë.

Llazi Saro

Skenderbeu - Elbasani

Teuta bën detyrën

Teuta e Gentian Begejës ka fituar pastër ndaj Besës, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në zonën “play-off”. Durrsakët kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të Vilës, që shënoi në minutën e tretë. Për të dyfishuar shifrat do të mendojë Lajthia, i cili goditi bukur nga afërsia e zonës. Besa nuk kishte forca për të reaguar.

Jeton Rexhmati

Teuta - Besa

Derbin e fiton… Dinamo

Spektakël në derbin mes dy Dinamove, teksa në fund fitues janë të rinjtë që përfaqësojnë klubin dhe drejtohen nga Olsi Uku. Pesë gola të shënuar dhe një lojë me shumë ritëm. Manellari u bë protagonist me dy gola, ndërsa Veseli shkurtoi shifrat me penallti. Tabaku shoi shpresat e AF Dinamos, edhe pse në fund Pjetra e çoi rezultatin 2-3.

Abdulla Dushku

AF Dinamo - Dinamo

Në Durrës s’ka fitues

Shkëndija e Durrësit dhe Pogradeci ndajnë nga një pikë, në një ndeshje që ka lënë të pakënaqur vendësit, të cilët e shikojnë veten në fund të tabelës dhe të rrezikuar për të rënë nga Superiorja. Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë në minutën e 65-të me anë të Hykollarit, ndërsa më pas Hoxha iu përgjigj me një penallti.

Sh.D. - Pogradeci

Jeton Rexhmati

KS U19 B

KATEGORIA E PARË, GRUPI A

Befason Besëlidhja

Besëlidhja bën fitoren e javës në Kategorinë e Parë U-19, duke shokuar Shkëndijën e B. të Tiranës. Ka qenë një nisje mjaft e bukur për skuadrën lezhjane, e cila ka shënuar dy gola të shpejtë me Ndue Kovaçin dhe Grilando Lleshajn. Në fraksionin e dytë skuadra vendëse kërkoi me ngulm barazimin, por shënoi vetëm një herë me Xhafën.

Shkendija B - Beselidhja

Abdulla Dushku

kategoria e pare u19 grupi a renditja

KATEGORIA E PARË, GRUPI B

kategoria e pare u19 grupi b renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"