Moshat U-19/ Goleadë e Vllaznisë, ndalet Teuta. Tirana mposht Shkëndijën, Football Republic vazhdon të befasojë në Grupin B

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2021 | 19:20


Moshat U-19/ Goleadë e Vllaznisë, ndalet Teuta. Tirana mposht Shkëndijën, Football Republic vazhdon të befasojë në Grupin B

Kategoria Superiore për moshat U-19, luajti ndeshjet e javës së 15-të në mesjavë. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

VLLAZNIA U-19 DINAMO

Shkëlqen Partizani, “manita” në Durrës

1

Fitorja në derbin ndaj Tiranës e bëri me krahë Partizanin, pasi edhe në mesjavë ndaj Shkëndijës së Durrësit, të kuqtë e drejtuar nga Reinaldo Kalari shkëlqyen. Nikolla dhe Dezhgiu bën dopieta, me këtë të fundit që u fut si zëvendësues. Në limitin e takimit mendoi kapiteni Çarçani për të plotësuar fitoren e thellë 0-5 ndaj Shkëndijës. Skuadra e kuqe e nisi ndeshjen në sulm, por vendësit rezistuan mirë, duke u mbrojtur me shumë forca. Partizani hasi jo pak vështirësi derisa zhbllokoi rezultatin në minutën e 40-të me anë të Nikollës. Ky gol qetësoi “demat” e rinj, që pas pushimit u futën në fushë më të motivuar. Ishte sërish Nikolla që i çoi shifrat 2- 0. Me kalimin e minutave, te Partizani u bënë disa zëvendësime, por sërish të kuqtë ishin të papërmbajtshëm. Dezhgiu bëri diferencën me dy gola të shpejtë, ndërsa në minutën e 87-të Çarçani vulosi triumfin e thellë. Nesër Partizani luan derbin ndaj Dinamos, që pozicionohet në fund. ZAMIR QYPI

Gjumsi udhëheq Tiranën

2

Dopieta e Aldi Gjumsit dhe një gol me penallti nga Andri Stafa i kanë dhënë një fitore të pastër Tiranës kundër Shkëndijës. Skuadra e Gentian Stojkut, pas humbjes në derbi me Partizanin, është rikthyer menjëherë te fitorja. Përveç kapitenit Gjumsi dhe mesfushorit të talentuar Andri Stafa, ka shkëlqyer edhe mbrojtësi Erbi Koni. ABDULLA DUSHKU

Vllaznia, hap kampioni

3

Vllaznia është treguar e pamëshirshme në derbin ndaj Shkodrës, duke fituar thellësisht 5-1. Të besuarit e Luan Zmijanit ishin në formë të shkëlqyer, teksa diferencën e bëri Ardit Nikaj me dy gola. Më pas Filipi, Paloka dhe Smajli plotësuan fitoren. Goli i Hasmegajt ka më tepër vlera statistikore, pasi Vllaznia dominoi totalisht. ADMIR URUÇI

F.Republic, pa “frena”

4

Football Republic nuk fal as ndaj Besës, duke e mundur me rezultatin e thellë 5-1. Skuadra e Erbim Fagut e mbylli ndeshjen që në pjesën e parë, kur Teqja dy herë dhe Hodo një herë shënuan në portën e kavajasve. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Hoxhën, por më pas erdhi përmbysja e madhe. Në pjesën e dytë bëri dopietë edhe Marku. ABDULLA DUSHKU

Elbasani ndal Teutën

5

Të rinjtë e Teutës janë ndalur në barazim 1-1 në Elbasan, në një përballje të luftuar nga të dyja ekipet. Durrsakët kaluan të parët në avantazh me anë të Lajthisë në fundin e pjesës së parë. Për vendësit riktheu baraspeshën Gjolena, i cili shënoi nga penalltia në minutën e 71-të. Përpos përpjekjeve nga të dyja ekipet, nuk pati fitues. VLADIMIR MEMA

Vendosin Çuçka e Peçani

6

Skënderbeu bën detyrën ndaj Flamurtarit, teksa fiton 3-0. Ka qenë një ndeshje pa histori, paçka se miqtë rezistuan deri në minutën e 36- të, kur Çuçka shënoi golin e parë. Peçani bëri dopietë në pjesën e dytë, duke vulosur gjithçka. Vlen për t’u theksuar se Flamurtari kishte ardhur në Korçë me vetëm 11 lojtarë për shkak se s’bën dot federime. LLAZI SARO

Apolonia bën detyrën

7

Apolonia mposht pa vështirësi Butrintin me shifrat 2-0. Interesant është fakti se goli i parë është shënuar në portën e sarandjotëve nga Mërkuri, i cili është nga qyteti bregdetar. Në pjesën e dytë kampionët në fuqi arritën të shënonin edhe golin e qetësisë me anë të Balës. Butrinti u mundua të reagonte, por nuk kishte forcën e duhur. BUJAR RAMA

Laçi përmbys Dinamon

8

Superndeshje në Arbanë mes Dinamos dhe Laçit. Blutë shënojnë dy gola për dy minuta me Hasën dhe Alushin, por më pas përmbysen. Lekaj rihapi takimin për kurbinasit në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë Stafa dhe Farruku i dhanë fitoren Laçit. Dinamovitët vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e parafundit, ndërsa kurbinasit janë të tretët. ABDULLA DUSHKU

Çuni, gol për 3 pikë

9

Një gol i Çunit në minutën e 59-të vendosi ndeshjen mes Shënkollit dhe Internacionalit. Ka qenë një lojë e ekuilibruar, ku fillimisht sulmuesi Daiaj gaboi nga pika e bardhë e penalltisë për vendësit. Megjithatë, skuadra e trajnerit Haris Lika nuk e uli ritmin dhe gjeti golin vetëm pak minuta më pas, kur Çuni goditi saktë me të djathtën. PRENG GJIKOLA

Pogradeci bën surprizën

10

Pogradeci surprizon në kryeqytet Akademinë e Futbollit, duke e mposhtur me shifrat 0-2 dhe rikthyer shpresën e mbijetesës në Superioren U-19. Ka qenë një fitore e bukur, teksa ka vendosur dopieta e Lazellarit afër fundit të lojës. U mendua se gjithçka do të shkonte drejt një barazimi, por miqtë goditën Akademinë në limitin e takimit. ABDULLA DUSHKU