Moshat U-19 / Flamurtari nuk ka mëshirë as në fund, një ndeshje ndërpritet nga shiu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2017 | 18:59

Moshat U-19 / Flamurtari nuk ka mëshirë as në fund, një ndeshje ndërpritet nga shiu

Flamurtari feston me fitore

Flamurtari ka festuar dje si kampion i grupit të jugut për të rinj. Vlonjatët e drejtuar nga Dritan Resuli kishin siguruar matematikisht vendin e parë dhe mbyllnin kampionatin në shtëpi me Teutën. Edhe dje vlonjatët kanë fituar, duke u konfirmuar si skuadra më e mirë e grupit.

Pjesa e parë ka nisur e qetë, por Flamurtari merr frenat e lojës në dorë me kalimin e minutave. Tushi, Bocaj dhe Dalanaj në mesfushë kanë zhvilluar një takim mjaft të mirë. Flamurtari i afrohet golit me Dalanajn, ndërsa Teuta shfrytëzon kundërsulmin dhe kërkon të surprizojë, por portieri Qirko eviton golin pas goditjes së Hajdinit.

flamurtari u19

Me rifillimin e pjesës së dytë, Flamurtari hyn në fushë me një marsh tjetër, duke zhvendosur lojën në portën kundërshtare. Pas një krosimi në zonë, Dalanaj godet traversën, por vetëm pak minuta më pas, i njëjti lojtar kthen në gol një penallti të fituar. Flamurtari gjen edhe golin e dytë, teksa Sadushi përfiton nga një gabim i portierit. G

jithçka mbyllet me fitoren 2-0 të kuqezinjve, që në fund shpërthyen në festë. Drejtori rajonal i FSHF për jugun, Maks Tegu, si dhe përfaqësues të klubit Flamurtari, duke filluar nga presidenti Idrizi, drejtorët Behari e Laluci, por gjithashtu emra si Ruci e Xhafa, që punojnë me akademinë, ishin prezentë gjatë ceremonisë së trofeut.

flamurtari tueta

Ndërkohë, për këtë sukses të skuadrës vlonjate foli trajneri Dritan Resuli, i cili tashmë shpreson që të besuarit e tij të fitojnë edhe titullin kampion për moshën U-19. “Ka qenë një kampionat shumë i vështirë, por kemi arritur që të jemi gjatë gjithë kohës në krye. Kemi lojtarë mjaft cilësorë në përbërje, ndërsa qëllimi mbetet që të furnizojmë sa më shumë ekipin e parë të Flamurtarit. Ishte një titull mjaft i merituar, por tashmë mendojmë për fazën ‘playoff’, aty ku duam të shpallemi kampionë”, deklaroi Resuli për “Panorama Sport”.

KASTRIOT BRAHIMAJ

Tetë gola për një pikë 

Derbi mes Internacionali dhe Tiranës ka dhuruar spektakël dhe një barazim të çmendur me shifrat 4-4. Të parët kanë qenë bardheblutë, që shënuan nga pika e bardhë me anë të Halilit. Më pas, Bardhi ka dyfishuar, ndërsa Çema shkurtoi diferencën. Dopieta e Topallit nuk mjaftoi për Tiranën, pasi Çema, Ndreko e Çikani shënuan për vendësit.

internacional tirana

Abdulla Dushku

Akademia fundos Briansin

Akademia dhe Briansi luajtën dje një finale mbijetese, teksa vendësit fituan me shifrat 4-2, duke zhytur lezhjanët. Për Akademinë, spikati Mehmetllari, që shënoi dy herë. Në pritje të ndeshjes Porto-Shkëndija, që nuk u zhvillua, duket se Briansi i ka dhënë lamtumirë Superiores, pasi skuadra tjetër private nga Lezha pritet të fitojë në tavolinë.

akademia briansi

Abdulla Dushku

Elbasani bind ndaj bluve

Në një ndeshje ku asnjë prej skuadrave nuk e kishte të domosdoshme marrjen e pikëve, Elbasani mposhti Dinamon falë një goli të Lleshit. Blutë u munduan të reagonin, por nuk kishin forcën e duhur për të barazuar. Te Dinamo spikatën Kelo, Tabaku, Alimani dhe Manellari, ndërsa tek elbasanasit emra si Dervishi, Malko, Lleshi e Bullari.

dinamo elbasani

Abdulla Dushku

Kamza s’fal në shtëpi, as me gjyqtare femra

Kamza ka marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Olimpikut, duke qëndruar në krye të grupit A të Kategorisë së Parë. Ademi ka shënuar me kokë pas krosimit të Mcinit, ndërsa në fraksionin e dytë është lojtari me ngjyrë, Erik Asere, që dyfishon shifrat dhe në fund vulos Mcini. E veçanta e këtij takimi ishte se u gjykua nga një treshe femrash.

kamza olimpiku

Abdulla Dushku

Luhet në kushte ekstreme, ndalet Shkëndija B

Shkëndija B. e Tiranës dhe Tirana B., nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1. Ndeshja është luajtur në një terren shumë të rënduar, si pasojë e shirave. Gjyqtarët nuk e ndërprenë lojën, as kur rrebeshi i shiut me stuhi u bë mjaft i madh. Të parët shënuan lojtarët e shkollës së mjeshtërisë me anë të Xhungës, ndërsa më pas barazoi Alban Tema.

shkendija tirana

Abdulla Dushku

Akademia bën tris dhe i afrohet vendit të parë

Akademia AAS ka fituar me shifrat 3-2 ndaj Veleçikut, duke hedhur një hap të sigurt drejt arritjes së vendit të parë. Haveri, Daija dhe Bruno shënuan për skuadrën e drejtuar nga Entri Çaku. Ndërsa për koplikasit shënuan Popaj dhe Gjelaj. Akademia do të kërkojë të parakalojë tashmë Kamzën, për të qenë ajo e para në fund të kampionatit.

akademia veleciku

Esat Ymeri

Pas 18 javësh kampionat, Luftëtari bie në Berat

Luftëtari thyhet pas 18 javësh kampionat. Të rinjtë gjirokastritë, kryesues të grupit B të Kategorisë së Parë, kanë humbur me shifrat 0-1 në Berat. Një gol i Oshafit në minutën e 70-të ka vendosur këtë takim, që u luajt në një terren shumë të vështirë. Pas pësimit të golit, gjirokastritët fituan një penallti, por Mahmutaj gaboi nga pika e bardhë.

tomori luftetari

Eris Sylyku

Bie shumë shi, ndërpritet sfida e mbijetesës

Ndeshja mes dy rivalëve për mbijetesë nuk është zhvilluar e plotë gjatë ditës së djeshme. AF Dinamo dhe Lushnja kanë ngecur për shkak të reshjeve të shumta gjatë paradites së djeshme në kryeqytet. Në minutën e 20-të, kryesori Arlind Pirani vendosi që të ndërpriste takimin, pasi fusha ishte e mbushur me ujë dhe nuk mund të vazhdonte.

dinamo lushnja

Abdulla Dushku

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"