Moshat U-17 / Tirana super, arratiset Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2017 | 15:15

Moshat U-17 / Tirana super, arratiset Flamurtari

Akademia i jep leksion Partizanit

Akademia ka zhvilluar një nga ndeshjet më të bukura të këtij sezoni, teksa ka mundur me shifrat 3-0 Partizanin. Skuadra e drejtuar nga trajneri Topi konfirmohet në vendin e dytë dhe pranë arritjes së synimit madhor, atë të pjesëmarrjes në fazën “play-off”. Interesant ishte fakti se paratërinjtë e kuq drejtoheshin nga legjenda e klubit të “demave”, Perlat Musta.

partizani u17

Pas një loje të ekuilibruar gjatë 40 minutave të para, Akademia shpërtheu në të dytën. Futja në lojë e Agim Gunit i dha një impuls tjetër ekipit të Topit. Në minutën e 64-t u bë i mundur zhbllokimi i rezultatit pikërisht nga Guni. Më pas është Corri që dyfishon shifrat dhe u heq shpresat të kuqve për të marrë të paktën një pikë.

partizani akademia u17

Ekipi i Mustës u mundua të reagonte, por nuk kishte forcën e duhur. Ndërkohë, afër fundit, kur duheshin edhe katër minuta të mbyllej takimi, Akademia fitoi një 11-metërsh. Ai që vulosi fitoren e miqve ishte Mehmetllari, i cili ekzekutoi bukur penalltinë.

ABDULLA DUSHKU

Pogradeci thyen Teutën

Pogradeci ka mposhtur me shifrat 3-1 Teutën, në një ndeshje shumë të bukur. Abazaj për vendësit u bë protagonist me dy gola shumë të bukur. Fillimisht shënoi në minutën e 12-të, ndërsa rezultatin e dyfishoi Drizaj dhe më pas Abazaj i dërgoi ekipet në pushim me shifrat 3-0. Në pjesën e dytë, Teuta realizoi golin e nderit me anë të Shtamës.

pogradeci teuta u17

PËLLUMB STAROVA

Vendos goli i Kuqit

Shkëndija e Durrësit ka fituar minimalisht takimin kundër Lushnjës, falë një goli të shënuar që në minutën e 6-të nga Kuqi. Të zotët e shtëpisë e kanë nisur mirë ndeshjen dhe pas kalimit në avantazh kanë administruar lojën. Edhe pse lojtarët e mjeshtërisë sportive tentuan të shënojnë golin e qetësisë, nuk arritën të kalonin portierin mik.

shkendija e durresit lushnja u17

JETON REXHMATI

Në Lezhë s’ka fitues

Porto dhe Laçi kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e djeshme. Në fillim ishin miqtë me anë të Morinës që kaluan në avantazh, teksa pjesa e parë u mbyll 0-1, por Porto ka reaguar me anë të Gjergjit, duke barazuar shifrat. Fraksioni i dytë ishte edhe më i fortë, ku të dyja skuadrat kërkuan avantazhin, teksa shënuan secila nga një gol.

porto laci u17

PRENG GJIKOLA

Spektakël i Flamurtarit

Flamurtari triumfon ndaj Dinamos me nga një gol në çdo pjesë, duke ruajtur kryesimin në grupin B. Skuadra e trajnerit Sherif Idrizi kaloi në avantazh me Merkajn dhe arriti ta menaxhonte më mirë lojën. Në fund është Rrapaj që vulos fitoren, duke shënuar golin e dytë për vlonjatët. Dinamo u mundua të rrezikonte, por e kishte të pamundur.

dinamo flamurtari u17

ABDULLA DUSHKU

Internacionali s’fal

Internacionali ka fituar me shifrat 3-2 ndaj Olimpikut, në një takim spektakolar. Loja ishte e ekuilibruar në pjesën e parë, ku Olimpiku kaloi në epërsi me Likën dhe, më pas, Çela shënoi për vendësit. Në 40 minutat e dyta, Internacionali ishte më i qartë. Gjini dhe Çela shënuan për vendësit, ndërsa më parë miqtë kishin shkurtuar me anë të Nelës.

internacional olimpiku u17

ABDULLA DUSHKU

Allkja nderon Elbasanin

Një gabim në fillimin e ndeshjes i ka kushtuar shtrenjtë Besës ndaj Elbasanit. Allkja kaloi në avantazh miqtë në minutën e 7-të dhe ky gol u ruajt deri në fund. Edhe pse krijuan një volum të madh loje, sulmuesit e Besës nuk arritën të shënonin në pjesën e parë. Edhe në të dytën, kavajasit gabuan me Krasniqin, Lemetin e Madanin.

besa elbasani u17

FERIZ FERIZAJ

Skënderbeu vuan, por mposht AF Dinamon

Skënderbeu ka vuajtur jo pak për të mposhtur AF Dinamon në ndeshjen e djeshme. Korçarët kanë shënuar dy gola vetëm në minutat e fundit. Edhe pse loja ishte shumë e fortë, vendësit e merituan triumfin. Fjalët më të mira duhen thënë për skuadrën e Ergi Lubanit, që u prezantua denjësisht në Korçë.

skenderbeu af dinamo u17

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, pavarësisht disa rasteve të pastra për Skënderbeun dhe vetëm një momenti të mirë për AF Dinamon. Ndërkohë, në 40 minutat e dyta, loja është edhe më e bukur, teksa Skënderbeu këmbëngul shumë për të shënuar golin e parë. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Ligoraq Tiko e gjen avantazhin vetëm në minutën e 70-të me anë të Shores.

Pas pësimit të golit, miqtë nuk kanë çfarë të humbasin dhe hidhen në sulm, duke vënë në vështirësi portierin Nazari. Mirëpo, Skënderbeu “vret” ndeshjen, teksa gjen golin e dytë me Cenollin, i cili goditi bukur brenda zonës. Pas kësaj fitoreje, korçarët blindojnë vendin e pestë në tabelë.

LLAZI SARO

Katër gola, Ziaji mund i vetëm Fierin

I programuar për t’u zhvilluar në qytetin e Fierit, takimi mes ekipeve U-17 të Fierit dhe Luftëtarit u luajt paraditen e djeshme në “Fushën e Vjetër” në Gjirokastër pas arritjes së dakordësisë mes ekipeve dhe FSHF-së. Ndeshja e fundit e fazës së dytë u mbyll me një poker golash për Luftëtarin kryesues të grupit B. Heroi i takimit ka qenë Ardit Ziaji, i cili shënoi katër gola.

fieri luftetari u17

Talenti gjirokastrit ishte i papërmbajtshëm, teksa e nisi me gol që nga “tuneli”. Në minutën e parë bluzinjtë e vegjël fituan një penallti dhe Ziaji e ktheu në gol. Pjesa e parë u mbyll 0-1. Me fillimin e pjesës së dytë është po Ziaji, i cili në minutat 55, 62 dhe 76 katërfishon rezultatin për Luftëtarin. Me katër golat e realizuar në përballjen e djeshme, Ziaji e çon në 22 numrin e rrjetave të tundura për formacionin gjirokastrit gjatë këtij kampionati.

TOMOR SHEHU

Akademia AAS nuk ka rivalë në grupin A

Akademia AAS po bën “ligjin” në grupin A të Kategorisë së Parë për U-17. 14 ndeshje dhe po kaq fitore, teksa skuadra e drejtuar nga Entri Çaku nuk njeh rivalë. Edhe në transfertën e djeshme në Lezhë ndaj Briansit, skuadra private me qendër në Shkodër ka triumfuar me shifrat 1-2. Në fakt, ka qenë një takim shumë i fortë, edhe pse miqtë ditën të merrnin tri pikë. Lezhjanët rezistuan mirë dhe u ndëshkuan vetëm nga një episod në pjesën e dytë.

briansi akademia aas u17

Starti është i ekuilibruar, me dy skuadra që luajnë më tepër në mesfushë. Megjithatë, shkodranët arrijnë të godasin Briansin në minutën e 15-të me Haverin, që shënon një gol të bukur. Nuk kalojnë as pesë minuta nga ky gol dhe Briansi reagon mrekullisht. Pjeshka vendos baraspeshën pas një aksioni model, ndërkohë që pjesa e parë mbyllet 1-1. Në pjesën e dytë lufta sportive është e madhe, por diferencën e bëri një gol i Krajës në minutën e 55-të.

PRENG GJIKOLA

kategoria superiore u17 grupi a renditja

kategoria superiore u17 grupi b renditja

kategoria e pare u17 grupi a renditja

kategoria e pare u17 grupi b renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"