Moshat U-17 | Tirana i bëhet makth Vllaznisë, Flamurtari super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2017 | 18:22

Moshat U-17 | Tirana i bëhet makth Vllaznisë, Flamurtari super

Bardheblutë bëhen makthi i Vllaznisë

Pasi e mposhti në finalen e Kupës së Shqipërisë, Tirana ka fituar edhe në Shkodër ndaj paratërinjve të Vllaznisë. Në ndeshjen e luajtur të shtunën, bardheblutë e vegjël i janë falur golit të Bashës në fundin e pjesës së parë, duke marrë tri pikë të arta në një transfertë shumë të vështirë. Në fakt, ka qenë një lojë e ekuilibruar, me dy skuadra të kujdesshme.

Tirana U-17 fiton Kupen

Gjithsesi, kuqeblutë ishin më kërkues dhe arritën të krijonin disa raste të rrezikshme me protagonistë Boriqin, Kullën dhe Qardakun. Në momentin më të mirë të kuqebluve, Tirana kaloi në avantazh pas një aksioni me kombinime të bukura, ku finalizoi Basha. Skuadra e Sulejman Memës, duke qenë në epërsi, arriti ta administronte më së miri pjesën e dytë.

vllaznia tirana u17

Vllaznia ushtroi presion të vazhdueshëm, por nuk ishte e qartë para portës së mbrojtur nga Mati. Në shumë raste shkodranët ishin edhe të pafat. Ndoshta për nga mënyra se si u zhvillua loja, vendësit meritonin të paktën një pikë. Pas kësaj fitoreje, Tirana forcon pozitat në krye e shkëputur me 5 pikë.

ADMIR URUÇI

Goleadë e vlonjatëve

flamurtari lushnja u17

Flamurtari kryesues ka mundur thellë 5-0 Lushnjën e vendit të fundit dje në stadiumin “Roza Haxhiu”. Klubet ndërruan fushat në fazën e parë dhe kështu ky takim u luajt në Lushnjë. Vlonjatët kaluan në avantazh me anë të Muçollarit, që ekzekutoi mjeshtërisht një goditje dënimi. Në pjesën e dytë shënojnë Rapaj dy herë dhe, më pas, Kreshpa e Aliaj.

ALBAN ALUSHI

Teuta triumfon në derbi

teuta shkendija e durresit u17

Derbi mes Teutës dhe Shkëndijës i ka buzëqeshur skuadrës së klubit durrsak, që fitoi 2-0 ndaj ekipit që përfaqëson Shkollën e Mjeshtërisë Sportive. Teuta kaloi në avantazh me anë të Kapllanit, ndërsa afër fundit të lojës dyfishoi shifrat Çollaku. Edhe pse Shkëndija u mundua të reagonte për të realizuar të paktën golin e nderit, nuk ia arriti.

JETON REXHMATI

Shkëlqen Partizani

internacional partizani u17

Partizani shkëlqen ndaj Internacionalit, duke shënuar tre gola dhe fituar takimin. Në 40 minutat e para janë Çaçi dhe Peti që i çojnë të kuqtë në pushim me avantazhin 2-0, duke e bërë më të thjeshtë triumfin. Në fraksionin e dytë Bozhanaj rihap ndeshjen, duke shkurtuar diferencën e golave, por ai që vulos fitoren është Gjinaj në fund.

ABDULLA DUSHKU

Besa, leksion korçarëve

besa skenderbeu u17

Besa ka mposhtur Skënderbeun, duke zhvilluar një ndër lojërat më të mira deri më tani. Forma gjithnjë në rritje e ekipit tek Ilir Duro u shfaq ndaj korçarëve, ku spikati me dygolëshin e tij Gjongecaj. Miqtë barazuan përkohësisht me Cocin, por Besa ishte më e qartë në lojën e saj dhe arriti të kalonte sërish në avantazh, duke marrë tri pikë.

FERIZ FERIZAJ

Kukësi gjen fitoren

kukesi akademia u17

Paratërinjtë e Kukësit janë rikthyer te fitorja në shtëpi kundër Akademisë. Skuadra e drejtuar nga Agim Belaj ka shënuar dy herë që në pjesën e parë me Ademajn dhe Rakajn. Për miqtë ishte Xhekaj që realizoi golin e barazimit të përkohshëm, por kuksianët u përgjigjën shpejt. Në pjesën e dytë nuk pati gola, teksa Kukësi meritoi triumfin.

SKERDILAID SULOZEQI

AF Dinamo zhyt Elbasanin

elbasani af dinamo u17

AF Dinamo ka mundur në transfertë Elbasanin në shifrat 1-2. Fillimisht ishte Beshaj ai që i kaloi në avantazh miqtë, teksa me shifrat 0-1 u mbyll ky fraksion i parë. Në të dytën, verdheblutë arrijnë të barazojnë me anë të Rrasës, por atëherë kur mendohej se sfida do mbyllej në barazim, pak minuta nga fundi shënon Rama për blutë.

VLADIMIR MEMA

Në Koplik s’ka fitues

veleciku shkendija b u17

Veleçiku dhe Shkëndija B. e Tiranës kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e djeshme në Koplik. Fillimisht ishin miqtë që kaluan në avantazh me anë të Hoxhës në minutën e 18-të, por pa mundur të ruajnë këtë rezultat. Në minutën e 35-të, sulmuesi Rilind Nikshiqi arrin të barazojë pas një goditjeje të bukur në afërsi të zonës mike.

ESAT YMERI

Gallo, debutim me 3 pikë

olimpiku porto u17

Olimpiku fiton bindshëm ndaj Portos në debutimin e Alpin Gallos si trajner. Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i dy fazave, skuadra olimpikase po bën përpjekje maksimale për të marrë sa më shumë pikë, në mënyrë që të dalë nga zona e ftohtë e tabelës. Beqiraj, Memaçi dhe Dokaj u bënë protagonistë të fitores ndaj Portos.

ABDULLA DUSHKU

Luftëtari e nis me “poker”

luftetari pepa u17

Luftëtari i Andrea Çullit e ka nisur në mënyrën më të mirë fazën e dytë, duke fituar 4-2 ndaj Pepës dhe u shkëputur me +6 pikë në krye të renditjes. Për gjirokastritët ka shkëlqyer Ardit Ziaji, i cili ka realizuar plot tre gola. Sulmuesi i talentuar gjirokastrit, i cili është nën vëzhgimin e ekipit të parë, ishte më i miri në fushë.

TOMOR SHEHU

kategoria superiore u17 grupi a renditja

kategoria superiore u17 grupi b renditja

kategoria e pare u17 grupi a renditja

kategoria e pare u17 grupi b renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"