Moshat U-17 / Ngec Tirana, Akademia bën presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2017 | 15:41

Moshat U-17 / Ngec Tirana, Akademia bën presion

Mjafton një gol, Leci thyen bardheblutë

Kryendeshja e paratërinjve mes Shkëndijës dhe Tiranës është mbyllur me fitoren minimale 1-0 të skuadrës së Luan Pinarit. Një gol i Lecit në minutën e 63-të ka vendosur këtë takim. Ka qenë një ndeshje e rasteve të shpërdoruar nga të dyja skuadrat, por Shkëndija ishte më superiore. Vendësit sulmuan më shumë dhe gabuan para portës së mbrojtur nga Mati.

shkendija e tiranes tirana u17

Tek të dyja skuadrat ka në përbërje mjaft elementë me të ardhme. Në ndeshjen mes tyre kanë shkëlqyer Bakaj, Ismailgeci, Tabaku e Xhaferri për Tiranën, ndërsa te Shkëndija e Pinarit bënë diferencën emra si Dylgjeri, Leci e Kosmollari. Shkëndija ka qenë më dominuese në fillim, por gjithsesi goli i avantazhit ka ardhur vetëm në pjesën e dytë nga Leci.

Ky i fundit shfrytëzoi më së miri një krosim të Dylgjerit dhe goditi bukur me kokë brenda zonës. Deri në fund bardheblutë e Sulejman Memës u munduan të barazojnë, por ishin të paqartë para portës së Kocës. Gjithsesi, një meritë të madhe ka edhe mbrojtja e Shkëndijës.

ABDULLA DUSHKU

Përmbysje e Vllaznisë

Një gol i shpejtë i Olimpikut me autor Mustafajin ka befasuar paratërinjtë shkodranë. Megjithatë, Vllaznia ka gjetur forca dhe ka përmbysur rezultatin, duke fituar me shifrat 2-1 në shtëpi. Asllani dhe Çardaku kanë shënuar për kuqeblutë, në një ndeshje që u mendua më e lehtë, por që miqtë nga Tirana ishin të vendosur mirë dhe bënë rezistencë.

vllaznia olimpiku u17

ADMIR URUÇI

Shkëlqen Partizani

Partizani nuk e ka diskutuar fitoren ndaj Laçit, duke zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, teksa bindi edhe me lojë. Në pjesën e parë miqtë u mbrojtën mirë, por gjithsesi pësuan gol në minutën e 39-të. Kaso kaloi në avantazh të kuqtë, ndërsa Çaçi shënoi golin e qetësisë. Ai që vulosi fitoren e Partizanit ishte i talentuari Alban Gjinaj.

partizani laci u17

ABDULLA DUSHKU

Flamurtari, pa frena

Flamurtari kryesues ia del të fitojë edhe në Korçë. Skuadra vlonjate i është falur golit të Kolilës në minutën e 30-të, duke marrë tri pikë të arta në transfertë. Skënderbeu është munduar të reagojë, por nuk ka qenë i qartë në fazën sulmuese. Pjesa e dytë ishte më e ekuilibruar, ndërsa korçarët insistuan për të barazuar, por gjithçka u mbyll 0-1.

skenderbeu flamurtari u17

LLAZI SARO

Triumf mes tensionit

Akademia ka triumfuar mes tensionit në derbin ndaj Internacionalit. Ndeshja është ndërprerë për 10 minuta në pjesën e dytë, kur kryesori Indrit Ujka ka akorduar një 11-metërsh dhe tensioni ka qenë më tepër në shkallët e kompleksit mes prindërve të lojtarëve. Penalltia u shpërdorua dhe ndeshja u vendos nga supergoli i Indrit Tucit.

internacional akademia u17

ABDULLA DUSHKU

Goleadë e AF Dinamos

Akademia e Dinamos ka marrë një fitore të thellë ndaj Lushnjës, duke mbajtur gjallë shpresat për zonën “play-off”. Skuadra e Ergi Lubanit ka qenë e papërmbajtshme në ndeshjen e djeshme, duke mbyllur praktikisht historinë e fitores që në pjesën e parë. Plaku dy herë, e më pas Balla, Bashaj dhe Braçe u bën protagonistë të golave.

af dinamo lushnja u17

ABDULLA DUSHKU

Besa i falet Qarrit

Besa fiton dhe fundos Dinamon falë një katërgolëshi të Qarrit, i cili ishte lojtari më i mirë për të dyja skuadrat. Pas një loje të ekuilibruar gjatë 40 minutave të para, në të dytën Qarri ishte i papërmbajtshëm, ndërsa goli i Canit për vendësit nuk mjaftoi. Në fund të takimit ka pasur tension, por gjithsesi loja u mbyll “fair-play”.

dinamo besa u17

ABDULLA DUSHKU

Teuta humbet derbin

Shkëndija e Durrësit ka fituar derbin ndaj Teutës, duke iu afruar kësaj të fundit me vetëm dy pikë. Një gol i Kuqit në pjesën e parë ka vendosur ndeshjen e paratërinjve. Pas zhbllokimit të rezultatit, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave, nuk u shënuan gola të tjerë. Teuta ishte më kërkuese për të barazuar, por nuk ia arriti.

shkendija e durresit teuta u17

JETON REXHMATI

Çmendet Shkëndija B.

Shkëndija B. e Tiranës ka marrë një fitore të thellë 6-0, duke shkatërruar Besëlidhjen. Fillimisht janë tre sulmues që shënojnë gjatë fraksionit të parë, pikërisht Pepkolaj, Çeka e Qokaj. Ndërsa në fraksionin e dytë është tripleta e Ozunit që bëri diferencën. Pas kësaj fitoreje, Shkëndija B. vijon të mbajë vendin e dytë.

shkendija b beselidhja u17

ABDULLA DUSHKU

“Poker” i elbasanasve

Ekipi i Pepës ka mundur thellësisht atë të Fierit me shifrat 4-1. Pas një pjese të parë të vakët dhe pa gola, skuadrat u hapën shumë në fraksionin e dytë dhe shënuan pesë herë. Fillimisht shifrat zhbllokohen nga Lleshanaku, ndërsa më pas Hida me një dopietë trefishon për Pepën. Afër fundit ka kohë edhe për dy gola të tjerë.

pepa fieri u17

VLADIMIR MEMA

Dështim dhe… akuza

Apolonia u befasua në shtëpi nga Vlora, duke humbur me shifrat 2-3 në një ndeshje të kontestuar nga fierakët. Këta të fundit pretendojnë se vlonjatët kanë aktivizuar futbollistin Aliaj, të pezulluar nga Komisioni i Disiplinës. Gjithashtu, stafi fierak ka reklamuar se Vlora nuk i paraqiti kartonët e federimit për secilin futbollist.

apolonia vlora u17

MIKEL MBRIÇAJ

kategoria superiore u17 grupi a renditja

kategoria superiore u17 grupi b renditja

kategoria e pare u17 grupi a renditja

kategoria e pare u17 grupi b renditja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"