MOSHAT U-15/ Vllaznia i shënon 12 gola Kukësit, Internacionali dhe Tirana s’falin. Ja rezultatet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2020 | 16:30

MOSHAT U-15/ Vllaznia i shënon 12 gola Kukësit, Internacionali dhe Tirana s’falin. Ja rezultatet

Kategoria Superiore për moshat U-15, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së 16-të, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

tiranasa

“Poker” i bardhebluve kundër Shënkollit

Tirana

Tirana shkëlqen ndaj Shënkollit dhe vazhdon të jetë në ndjekje të Internacionalit kryesues. Bardheblutë e vegjël e mbyllën historinë e ndeshjes që në pjesën e parë, kur shënuan dy gola të shpejtë. Në minutën e 15-të ishte Bali që kaloi në avantazh Tiranën pas një aksioni shumë të bukur. Shënkolli u mundua të reagonte, por ishte sërish ekipi bardheblu që shënoi. Në minutën e 29-të Demaj goditi në hyrje të zonës dhe dyfishoi shifrat.

Në fillimin e pjesës së dytë ishte Ageja që realizoi golin e tretë dhe të sigurisë për Tiranën. Megjithatë, Shënkolli nuk u dorëzua dhe Mardedaj rihapi takimin pak minuta më pas. Por, goli i nokautit vjen me anë të Kajës në minutën e 55-të, duke çuar shifrat 4-1. Për të vulosur ndeshjen mendoi Deda nga pika e bardhë e penalltisë dhe gjithçka përfundoi me shifrat 4-2 për bardheblutë, që ndodhen në vend të dytë pas 16 javësh kampionat. Diferenca me kryesuesit e Internacionalit është pesë pikë. Abdulla Dushku

Tripletë ndaj Laçit

Laci

Internacionali i trajnerit Artur Shulku nuk di të ndalet në kampionatin U-15. Këtë herë kryesuesit kanë fituar me shifrat 0-3 në transfertë ndaj Laçit, në një ndeshje të dominuar plotësisht. Që në pjesën e parë Internacionali shënoi dy herë, fillimisht me Çelkupën dhe më pas me Gucin. Ndërsa afër fundit Hysa shënoi golin e tretë. Abdulla Dushku

Akademia i falet Shehut

Partizani skeda

Akademia thyen Partizanin me një gol të Shehut duke marrë tri pikë të rëndësishme në javën e 16-të. Ka qenë një ndeshje mjaft e luftuar dhe e hapur deri në fund. Të kuqtë e Ledio Panos, pavarësisht përpjekjeve të shumta, nuk ia kanë dalë të marrin një pikë. Kjo fitore e mban Akademinë e trajnerit Zjarri në vendin e katërt me 31 pikë. Abdulla Dushku

Argëtohen shkodranët

Vllaznia 12

Vllaznia shpërthen ndaj Kukësit, duke u treguar e pamëshirshme me 12 gola të shënuar. Skuadra kuksiane është kthyer në një kundërshtar të preferuar për të gjithë në Grupin A, pasi ka vetëm humbje. Halili realizoi dy herë në 11 minutat e para, ndërsa më pas Guri dhe Selmani. Protagonist me tripletë në fitoren e kuqebluve u bë Zaganjori. Abdulla Dushku

Teuta fundos Luftëtarin

Luftetari

Luftëtari vijon të humbë në shtëpi, këtë herë ndaj Teutës me shifrat 2-3. Gjirokastritët janë katapultuar në vendin e fundit pas kësaj humbjeje. Demircani u bë hero për durrsakët me tre gola, dy në pjesën e parë dhe një afër fundit. Deri në minutën e 68-të rezultati ka qenë 2-2, pasi Avduli kishte shënuar dy herë për bluzinjtë e vegjël. Tomor Shehu

Besa përmbys Bylisin

Besa-Bylis

Besa ka përmbysur Bylisin në Kavajë me shifrat 4-1. Ka qenë një episod kur kavajasit pësuan që në minutën e 14-t, teksa ballshiotët realizuan me anë të Islamajt. Deri në minutën e 37-të Bylisi rezistoi pas ndërhyrjeve të portierit Jahaj. Më pas verdhezinjtë shënuan katër gola me Lecinin, Subashin, K.Hoxhën dhe Duron, duke fituar me meritë. Feriz Ferizaj

Mjaftojnë pesë minuta

Briansi

Football Republic është mposhtur në fushën e vet nga Briansi me shifrat 1-2. Skuadrës nga Lezha i mjaftuan pesë minuta për të triumfuar. Fillimisht shënoi Myrta në minutën e 2-të, ndërsa më pas Gjoni dyfishoi shifrat. Briansi e menaxhoi mirë ndeshjen, edhe pse në minutën e 65-të Teqja rihapi takimin me një gol nga pika e bardhë. Abdulla Dushku

Gol në fund, Flamurtari vuan ndaj Tomorit

Flamurtariu15

Sfida mes Flamurtarit dhe Tomorit ka rezultuar e jashtëzakonshme, duke kënaqur të pranishmit në fushën sportive të Pyllit të Sodës. Ishte një takim mjaft i bukur, ku u shënuan plot 5 gola dhe fitorja u buzëqeshi vlonjatëve vetëm në fundin e lojës. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-2, ndërsa pjesa e parë u mbyll me shifra të barabarta 1-1 pas disa rasteve të shpërdoruara. Goli i parë u shënua nga Hasanramaj në minutën e 23-të, ku 8 minuta më vonë E.Buba barazoi për Tomorin.

Vlonjatët kryen disa zëvendësime, duke sjellë freski në lojë. Në pjesën e dytë Lleshi kaloi sërish në avantazh vendësit, duke u dhënë qetësi kuqezinjve. Miqtë nuk pajtohen me rezultatin dhe vazhdojnë përpjekjet. Beratasit barazojnë për herë të dytë me E.Bubën, i cili realizoi një dygolësh në këtë përballje. Kur gjithçka po shkonte drejt barazimit, Haxhiraj shënon golin e tretë për Flamurtarin në minutën e 80-të, duke vulosur fitoren që i jep tri pikë ekipit të Bledion Gugës. Enriko Gabaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"