(Mos) Shkëlqimi i kampionatit shqiptar të basketbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2021 | 19:12

(Mos) Shkëlqimi i kampionatit shqiptar të basketbollit

Nga PETRIT STEFA

petrit stefa

Kampionatit shqiptar të basketbollit po i vjen fundi, por të gjithë presin një shkëlqim të rremë që i nervozon dhe i zemëron dashamirësit dhe ndjekësit e tij. Arsyeja është e thjeshtë: i mbushur me lojtarë të huaj amerikanë dhe serbë (m+f) ai nuk u bën shumë përshtypje sportdashësve shqiptarë, sepse shohin nëpërmjet televizorit basketboll me nivel më të lartë dhe nuk çuditen nga të huajt që në Shqipëri kanë gjetur një eldorado (me “e” të vogël) për të jetuar në ato muaj që janë të shpërfillur nga ekipet e tyre (janë ekipe që dështojnë për “play off”-et e tyre). Menaxherët e tyre kanë rënë në ujdi me FSHB-në që te ne mund të federohesh edhe në 31 mars (!!).Patjetër që dokumentet tregojnë se janë lojtarë të lirë edhe pse ndonjë ose disa prej tyre janë aktivizuar një, ose disa ndeshje në fazat e dyta të kampionateve të tyre. Ah, po… dokumentet janë në rregull.

Po verifikimi?… Jo, zero! Shkelje flagrante e rregullores së FIBA-s Tani së fundi, po dynden edhe trajnerë të huaj çudibërës që së shpejti do të futen në ndonjë “draft” NBA-je. Sa poshtë paskemi rënë! Çfarë trajnerësh janë? Thjesht të zakonshëm,si ata ka me mijëra kurse si ata grekët e dikurshëm (veçanërisht i dyti) nuk gjenden në botë. Ndërsa, ne i dhamë edhe Kombëtaren me disa zëvendës që nuk kishin stërvitur as një skuadër fëmijësh. Të njëjtën gjë bëri FSHB (duke i dhënë U-16 dikur dhe që nuk fitonte as edhe ne Divizionin C në Tiranë) edhe me një trajner malazez të fëmijëve që paguhet, ndoshta edhe gaboj, sa 4-5 trajnerë shqiptarë dhe korrigjon një herë në 20 min. Ju kujtohet besoj! Kjo shpërfillje për lojtarët dhe trajnerët tanë të rinj është dëshpëruese duke dëmtuar çdo ditë e më shumë basketbollin tonë, që me sa duket FSHB-ja ka vendosur ta shkatërrojë plotësisht.

Trajnerët tanë të rinj kanë një bazë që do t’i tejkalojnë mentorët e tyre, sepse kjo është koha e tyre dhe jo më e Grevës, Stefës, Shehut etj të cilët, në gjithë këto vite FSHB nuk u njihte as aftësinë për të qenë mentorë ose këshilltarë. Tani po shmangen trajnerët e rinj të cilët edhe do të gabojnë, por do të zhvillohen e përparojnë. Atyre duhet t’u besojmë dhe t’i përkrahim. Them kështu sepse sponsorët nuk i detyrojmë dot. Ata mund të bëjnë çfarë të duan me paratë e tyre në Durrës,Shkodër,Vlorë,Kamza (kjo e fundit është çudia më e madhe! Ah po,harrova dëshiron lagjja të dalë në grupin A, pastaj… ) etj, por në qoftë se iniciativat dhe ëndrrat e tyre dëmtojnë në përgjithësi basketbollin kombëtar ato ndalohen me anë të rregulloreve të brendshme. Shqipëria edhe këtu bën çudira. Nga padituria? Po, patjetër edhe nga ajo. Unë jam nga ata që besoj se në 70 vjet asnjëherë nuk kemi pasur një FSHB më të paditur se kjo që kemi. Por, jo vetëm kaq. Kjo FSHB është edhe e djallëzuar e dinake, pasi ajo kërkon të fshehë gjendjen e rëndë, gati në humbje të basketbollit tonë. Dhe për këtë është edhe ajo përgjegjëse (sigurisht për aq sa është pjesa e saj). Le të mos themi pastaj për ëndrrat e drejtuesve “për ta kthyer basketbollin në biznes” (!!) madje në një vend ku sporti nuk ka oferta nga biznesi sepse është shumë i vogël dhe që pa shtetin ai, në Shqipëri, shuhet.

Por, kjo është temë tjetër. Vini re panoramën: Në “play off” 10-12 amerikanë apo të tjerë, dy trajnerë të huaj dhe… ah jo gjyqtarët do të jenë vendës (mburrej FSHB dikur se disa gjyqtarë u bënë ndërkombëtarë) me plot konflikte dhe gabime. Te femrat tabloja është më ndryshe: Flamurtari, duke pasur vetëm një lojtare vendëse (e ardhshmja është zero), ka mbledhur edhe pesë serbe e kështu të gjashtave do t’u varen në qafë (ndoshta) medaljet e kampionatit shqiptar të basketbollit nga FSHB dhe kryetari i bashkisë, që i harxhon në këtë mënyrë paratë e taksapaguesve vlonjatë. Vetëm basketbolli femra harxhon rreth 60-70 milionë lekë (të vjetër) të bashkisë, veç sponsorit. Situata është shumë e rëndë. Ndryshimi duhet të fillojë nga dorëheqja e menjëhershme e Presidentit,Sekretarit dhe e gjithë Kryesisë së zgjedhur me porosi.

Pa të drejtë rikandidimi që të gjithë. Ata janë përgjegjës që mbërritëm deri këtu, pra në një gjendje të mjerueshme. Së dyti, ndryshimet duhet të prekin menjëherë kampionatin e ardhshëm. Që do të thotë: asnjë trajner i huaj në basketbollin tonë (kohë e pacaktuar), asnjë lojtare e huaj në femra (kohë e pacaktuar), 1-2 lojtarë të huaj meshkuj me federim dhe aktivizim në të dyja fazat (që të shërbejnë si modele), asnjë trajner i huaj në kombëtaret tona (m+f) nga të rriturit e deri te moshat, në kombëtaret e moshave nga U16-U20 vetëm 1-2 lojtarë të shquar nga “prodhimi europian”, reformë dhe kritere të tjera për kandidimin si trajnerë në ekipet kombëtare, etj.

Duken të ashpra? Shkoni dhe pyesni si vepruan dhe veprojnë fqinjët e Jugut 30-40 vjet më parë dhe si veprojnë tani në Kat.IItë dhe të III-të që ngjan me basketbollin tonë. Atje trajnerë të huaj lejohen vetëm në A1(m) dhe nuk lejohen në A2,A3 (m) dhe A1,A2,A3 (f) sepse ishte sindikata greke e trajnerëve që ka detyruar federatën për këtë vendim. Është simotra, le të themi, e SHKTB ( Shoqata Kombëtare e Trajnerëve të Basketbollit), të cilën Ponari dhe Llazani e shpërfillën derisa e shkrinë. Ne jemi i vetmi vend ne Evropë që nuk ka Shoqatë Trajnerësh të Basketbolli, e cila të jetë njëherazi edhe anëtare e Shoqatës Europiane të Basketbollit, kur kjo e fundit është edhe organizatore e certifikimit të trajnerëve të rinj europianë (FEEC). Prandaj, ky kampionat të nervozon sepse sa për shkëlqim… mos të mashtrohemi kaq lehtë!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"